FB

June 20, 2022 | 9:20

Nga Edlira ÇEPANI / Fëmijët që nuk shohim…

Endrin e vogël, vetëm 12 vjeç, e takova pak ditë pas tërmetit, kur në zonën ku kishte shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti, po mundoheshim mes shumë miqsh të bënim diçka për t’iu lehtësuar ato ditë të vështira. Nuk fliste me askënd, ishte i ndrojtur dhe i heshtur. Vullnetarët e qendrës e mbanin afër dhe mundoheshin ta bënin të buzëqeshte. Iu afrova me shpresën se do të më fliste, u ula në lartësinë e tij (siç bëj gjithmonë kur flas me fëmijët) dhe i thashë emrin tim. Më buzëqeshi pak me sytë e bukur dhe u mblodh në vete si për të shpëtuar nga një tjetër e panjohur që mundohej t’i fliste…

Nga Edlira ÇEPANI

Siç e respektoj gjithmonë dëshirën dhe zgjuarësinë e fëmijëve për të mos folur menjëherë me të panjohurit, u largova pak edhe unë prej tij, por e vijova bisedën, duke i treguar diçka për veten dhe se sa më pëlqenin makinat, meqë kishte një prej tyre në dorë. I sjellshëm dhe i heshtur, tashmë po më shihte me pak më shumë kureshtje, ngaqë nuk po pyesja atë për gjëra, por po flisja për vete. Pas disa minutash, e pyes çfarë do kishte më shumë qejf që t’i sillja nëse do të rishiheshim sërish. Më buzëqesh dhe më thotë: “Asgjë, faleminderit”. Unë vijoj të këmbëngul për një makinë të kuqe, për lodra të tjera dhe pastaj më shkon ndërmend diçka tjetër. “A ke qenë ndonjëherë në kinema?” – e pyes. – “A do kishe qejf të shkonim një ditë në kinema?” Në atë moment fytyra e tij u ndriçua, sikur mbi të ish mbledhur e gjithë drita e botës!

Nuk ka gjë më të bukur sesa kur ndriçojnë sytë e një fëmije! Mes 100 vështirësish në kohën e tërmetit, por si gjithmonë me miq të mirë që nuk e kursejnë kurrë mbështetjen në këto raste, mundësuam organizimin e një dite në kinema për Endrin dhe një grup fëmijësh nga zonat e prekura nga tërmeti, së bashku me prindërit… Nuk di ishte e bukur apo e dhimbshme lumturia në sytë e tyre, pasi të gjithë pa përjashtim shkonin për herë të parë në kinema në jetën e tyre…

Fëmijë nga 6 deri në 13 vjeç, që jetojnë shumë, shumë pak kilometra larg Tiranës, nuk kishin qenë kurrë, as në një qendër tregtare, as në kinema… Kur dolëm prej andej Endri nuk ishte më i heshtur, por vetëm fliste me gëzim e rikujtonte momentet e filmit, të dyqaneve plot ngjyra e të gjërave që kish bërë… Çdo herë që shkojmë në terren në fshatra edhe fare pranë Tiranës, gjejmë fëmijë të mrekullueshëm, me sytë plot shpresë e me gëzimin e një fëmije që nuk trishtohet nga jeta e vështirë, por që sheh me shpresë drejt së ardhmes dhe mundohet të gjejë bukurinë në gjërat e vogla të së tashmes… Kemi patur fatin të njohim fëmijë si yje, të zgjuar, të edukuar dhe të dashur, të cilët, me gjithë vështirësitë e jetës në varfëri ekstreme që bëjnë, nuk harrojnë asnjëherë të buzëqeshin. Fëmijë që bëjnë orë të tëra rrugë në të ftohtë, në shi e në borë për të shkuar në shkollë, fëmijë të cilëve u mungon vëmendja, të cilët nuk kanë ngrohje, ndonjëherë as ushqim, ndonjëherë as një strehë normale mbi kokat e tyre.

Sa herë që ka ndonjë festë, është 1 qershori apo diçka tjetër, kujtohemi që të urojmë fëmijët, por harrojmë se këta fëmijë kanë nevojë për shumë më tepër se kaq. Kanë nevojë për shkollim serioz, për kushte më të mira jetese, për kujdes shëndetësor në zonat e tyre, kanë nevojë për një kujdes dhe vëmendje që sot u mungon. Këta fëmijë dhe mënyra si trajtohen, janë një nga treguesit më të mirë të një shoqërie dhe të vëmendjes reale që kemi ndaj fëmijëve. Nuk do të shkojmë kurrë larg, nëse nuk do të investojmë në mënyrë serioze për fëmijët, nëse nuk do të kthejmë sytë realisht drejt tyre dhe jo vetëm të përdorim shpresën e jetën e tyre për postera shoqërish të lumtura, sepse është përgjegjësi e ne të rriturve t’u garantojmë fëmijëve një jetë të denjë! Kjo duke filluar që nga institucionet e deri tek individët, me çfarëdolloj mundësie që kanë, duke filluar që nga vëmendja ndaj fëmijëve e më pas adresimi i problematikave të tyre.

Nuk do jemi dot kurrë një shoqëri e lumtur, nëse për shkak të veprimeve apo mos veprimeve tona, ka ende fëmijë që detyrohen të luftojnë me varfërinë, pamundësinë dhe mungesën e kujdesit që në hapat e para të jetës, ndërkohë që duhet të ishin duke e gëzuar atë, e duke bërë botën një vend më të mirë, siç vetëm ata dinë ta bëjnë. “Ndërkohë që ne mundohemi t’u mësojmë fëmijëve gjëra për jetën, ata na mësojnë se cili është realisht kuptimi i jetës!” Shënim: Emri i djalit të vogël është ndryshuar për të ruajtur privatësinë e tij.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 168

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top