“Faji është jetim” është shprehja që dëgjojmë shpesh kur mundohemi të gjejmë ndonjë fajtor/e për gjërat që ndodhin. Për gjithçka që ndodh apo nuk ndodh, shprehja tjetër që dëgjojmë është se ‘kështu ishte e shkruar’ dhe pastaj vazhdojmë të qetë, pa brerje ndërgjegjesh e pa menduar a kishte ndonjë mundësi për ta bërë më mirë, apo jo?
Nga Edlira Çepani
Tendenca për ta lënë fajin ‘jetim’ apo tendenca për t ’ua lënë atë gjithmonë të tjerëve, duket sikur na ka larguar pak nga nivelet e nevojshme të përgjegjshmërisë. Faji i parë është gjithmonë i shtetit, por nga kush përbëhet shteti? A nuk përbëhet nga njerëz që janë afër nesh apo nga neve vetë? Pastaj faji është i shkollës. Por kush i drejton shkollat/universitetet? Kush jep mësim në to? Po në spitale? Po në polici? Po në biznes? Po në sistemin e drejtësisë? Po në politikë? Po në bujqësi? Po në media? Kur ankohemi se këta sektorë e të tjerë nuk funksionojnë siç duhet, për kë ankohemi? Për sektorin në përgjithësi, apo për njerëzit që e përbëjnë? E nëse është për njerëzit e secilës kategori, a nuk e relativizojmë sërish fajin duke e lënë “jetim ” brenda kategorisë? Të gjithë politikanët janë njësoj. Të gjithë gjyqtarët, të gjithë mësuesit, të gjithë… E dimë të gjithë në fakt, që kjo nuk është aspak e vërtetë, por shpesh i biem shkurt për arsye nga më të ndryshmet!
Nuk duhet harruar asnjëherë se shoqëria, familja, politika e çdo kategori tjetër përbëhet nga individë. Individët kanë secili dy zgjedhje: 1. të konformohen e të kontribuojnë për mosfunksionimin e sistemit dhe 2. të mos konformohen e të bëjnë pjesën e tyre për të mundësuar funksionimin e sistemit. Kudo ku janë e çfarëdolloj pune të bëjnë, që nga biznesmeni me dhjetëra kompani e deri tek bujqit e vegjël nga të cilët marrim ushqimet çdo ditë. Për zgjedhjen e dytë të gjithë thonë se është e pamundur që 1 individ në 1000 të bëjë ndryshimin, por nëse ata që zgjedhin të kontribuojnë për të përmirësuar nuk janë 1, por 5, 10, 100 apo 500, atëherë kjo bëhet e mundur!
Shoqëritë janë grupe njerëzisht të cilat në përgjithësi lëvizin sipas forcës së shumicës, por edhe shumica në vetvete krijohet, nuk lind e tillë. Ndaj për secilin, pyetja është tek cili lloj individi do bëj pjesë? Tek ai që e sheh gjithçka si përgjegjësi të të tjerëve dhe konformohet me shumicën, apo tek ai që përgjegjësinë e vet e mban të plotë dhe bën diçka për përmirësim? Tek cila kategori do të bëj pjesë? Tek ajo e profesionistëve që ndikojnë në përmirësim, apo tek ajo që ndikon në përkeqësim të sistemit? Do bëj pjesë tek ata individë që ndikojnë për keq apo për mirë tek shoqëria? Përtej gjithë filozofisë se si funksionojnë sistemet, kategoritë, shoqëritë, zgjedhja dhe zgjidhja mbeten gjithmonë individuale.
Është e vërtetë që shpesh as problemet e as zgjidhjet nuk kanë ardhur e nuk do vijnë nga një veprim apo mosveprim i vetëm, por çdo zgjidhje e çdo problem, është një zinxhir përgjegjësish, të cilat i ka secili prej nesh në pjesën e vogël që bën si individ në shoqërinë ku jeton. Ndaj matematika është e thjeshtë: nëse për të përmirësuar apo përkeqësuar një sistem duhet një kontribut që vjen nga tërësia e asaj që bëjnë individët, ne kemi në dorë ta kalojmë peshën tonë të kontributit nga njëra ana e peshores ose nga tjetra, zgjedhja, zgjidhja dhe përgjegjësia janë të gjitha individuale.
Në trajnimet e takimet që bëjmë me të rinjtë, u themi gjithmonë shembullin e dy mollëve. “Nëse jemi dy veta e secili prej nesh ka një mollë dhe i shkëmbejmë, secili prej nesh do të ketë sidoqoftë nga një mollë, por nëse kemi nga një ide dhe e shkëmbejmë, atëherë secili prej nesh bëhet me dy ide ”. Efektet janë të njëjta edhe kur nuk flitet për ide, por për kontribute, dhe shtohen edhe shumë më tepër në shkallë edhe më të gjerë. Nëse do të presim që të jenë të tjerët të parët për ta bërë zgjedhjen e për t ’u rreshtuar nga ana e duhur, e pastaj t ’i ndjekim, ndoshta përmirësimi do ndodhë, por për të do të na duhet shumë kohë pritje. Nëse vendosim të bëjmë pjesën tonë, atëherë jemi gjithmonë një hap më afër e asnjëherë një hap më larg një përmirësimi që, si çdo gjë në botën e rrumbullakët ku jetojmë, na kthehet e na prek, në një mënyrë apo në një tjetër.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.