FB

July 4, 2022 | 7:45

Nga Edlira ÇEPANI / Lëre të shkojë…

Që prej momentit që vijmë në botë, një nga instinktet e para është të kapemi fort tek njerëzit që kemi pranë, të shtrëngojmë fort lodrat që kemi në dorë, të kapemi e të mbahemi fort dhe të ndjehemi të sigurt. Bebet ndjehen më të sigurta edhe kur janë të mbështjella me diçka, pasi mblidhen si në barkun e nënës dhe ndjejnë sigurinë se nuk do të bien, se nuk do të jenë në rrezik.

Rritemi pak nga pak me instinktet për të mbajtur rrotull sa më shumë lodra dhe gjëra që na kujtojnë se nuk jemi vetëm. Kohë pas kohe lodrat bëhen gjëra të tjera, bëhen këmbëngulje, bëhen njerëz nga më të ndryshmit, që i mbajmë afër e nuk i lëmë dot të shkojnë, bëhen punë, angazhime, copë të jetës që i marrim me vete kudo! Miqtë shpesh më ngacmojnë për çantën e madhe që mbaj çdo ditë me vete, më pyesin pse e mbaj çdo ditë çantën e rëndë ndërkohë që gjërat që kam aty mund edhe të mos më duhen fare atë ditë. Përgjigja ime është se nuk kam kohë të mendoj se ç’do të më duhet gjatë ditës sime të ngarkuar me aktivitete e ndodhi nga më të ndryshmet, ndaj shumë gjëra i mbaj sidoqoftë në çantë, për çdo rast. Ndonjë ditë kur harroj ta mbush çantën siç e kam zakon, ndjej një lehtësi të këndshme në ecje dhe i premtoj vetes që kështu të lehtë do ta mbaj çantën çdo ditë. Ditën tjetër ama i jap më shumë rëndësi punëve e gjërave që më duhen dhe e harroj e eci sërish me ngarkesë. Po e mendoja si një shembull krejt banal dhe të thjeshtë për ngarkesat psikologjike dhe emocionale që zgjedhim të mbajmë, për njerëzit nga të cilët nuk pranojmë të shkëputemi e për shumë gjëra të cilat, nëse do t’i linim pas, do të na e lehtësonin shumë jetën.

Shpesh kemi tendencën të vijojmë me këmbëngulje marrëdhënie të dështuara, punë të tepërta, gjëra që nuk na duhen, me idenë se ndryshe nga ç’mund të bëjmë fizikisht, psikologjikisht dhe emocionalisht nuk e kemi problem të mbajmë shumë pesha. Në fakt jemi shumë më vulnerabël nga ana psikologjike dhe emocionale se sa nga ajo fizike. Ndaj në këtë kuadër, sa herë vijnë kohët e pushimeve bëjmë mirë t’i kujtojmë vetes se mendja dhe shpirti kanë nevojë për të njëjtin rehabilitim ashtu siç ka trupi. Dezintoksikimi nga ngarkesat e panevojshme psikoemocionale është një nga aspektet pozitive që sjellin pushimet, por nuk duhet harruar se kjo nuk duhet bërë një herë në vit për pushime, por çdo ditë. Çdo ditë që jetojmë është një ditëjetë dhuratë, e cila nuk do të na kthehet më mbrapsht, e kemi vetëm njëherë. Si mund të zgjedhim ta kalojmë? Duke mbajtur peshën e ditëve të mëparshme apo të ardhshme? Apo duke i lënë thjesht peshën e vet? Një versë shumë interesante në Bibël thotë: “Mos u shqetësoni për të nesërmen, se e nesërmja mendon vetë për vete. Çdo dite i mjafton shqetësimi i vet.” E në fakt kjo nuk vlen vetëm për shqetësimet, por edhe për njerëzit, për punët, për gjithçka që, si në atë çantën plot e mbajmë peshë në çdo çast pa patur mundësinë të ecim lehtshëm.

Ndonjëherë, njerëz, punë, shqetësime është mirë të mos i tërheqim me vete por t’u themi “JO” dhe të zgjedhim t’i lëmë të shkojnë. Në momentin e parë do të na duket sikur nuk jetojmë dot pa ta, por më pas do të kuptojmë se ishim më mirë pa peshën e tyre, se ecim më lehtë në rrugëtimet e duhura, të cilat më parë nuk i bënim dot. E njëjta gjë vlen edhe për ndjesitë e këqija. Mendojmë se duhet të mbajmë inat, të hakmerremi apo të mos hapim rrugë, derisa të tjerët të kuptojnë se e kishin gabim, por në fakt… ndjehemi shumë më mirë kur i lëmë të shkojnë…Koha e pushimeve është koha më e mirë për të marrë vendime të qëndrueshme dhe pozitive për veten dhe për një mënyrë më të shëndetshme jetese nga ana psikoemocionale, ndaj këto pushime ndoshta mund t’i fillojmë duke menduar: Cilën ngarkesë mund të lë pas që të mos më rëndojë në gjithçka më pret në të ardhmen? Gjërat që “i lëmë të shkojnë”, nuk na bëjnë më të pasigurt, përkundrazi, na ndihmojnë shumë më tepër të ecim përpara, se sa hapat që hedhim me ngarkesë mbi supe.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top