FB

May 5, 2023 | 7:15

Nga Edmond Tupja / Çfarë e mban gjallë një dashuri?

Pavarësisht nivelit të tyre socialkulturor, prindërit shqiptarë, kur fëmijët u rriten dhe mbarojnë studimet, duan, kush më shumë e kush më pak, që ata të gjejnë një punë të mirë, si edhe urojnë që ata të krijojnë familje, çka u mundëson atyre të thonë me krenari: “Ja, e kryem detyrën tonë si prindër, pra, i lindëm, i rritëm, i shkolluam dhe i sistemuam në jetë”.

Nga Edmond Tupja, publicist, përkthyes

Mirëpo, me sa duket, çdo çifti të ri të ‘porsasistemuar” do t’i duhet, nëse dëshiron ta mbajë gjallë familjen, t’i kushtojë vëmendjen më të madhe lidhjes burrë/grua si burimin kryesor të kohezionit familjar. Ky kohezion, pra kjo forcë bashkuese, është para së gjithash dashuria midis dy pjesëtarëve të çiftit, çka duhet t’u përcillet edhe fëmijëve deri sa këta të kenë krijuar familjet e tyre. Në vendin tonë, në kushtet socialekonomike me të cilat përplasen çiftet e reja jo vetëm ato ende pa fëmijë, por edhe ato me fëmijë, kohezioni në fjalë duhet mbajtur gjallë nëse ato, pra çiftet, dëshirojnë t’i qëndrojnë kohës.

Prej shumë vitesh, këtë çështje e kanë prekur në veprat e tyre detyrimisht edhe psikologët, nga studimet dhe përvoja e të cilëve – sidomos në terapinë e çiftit – rezulton që disa nga mënyrat më të efektshme për ta mbajtur gjallë kohezionin familjar, pra atë midis dy pjesëtarëve të çiftit, por edhe atë midis çiftit dhe fëmijëve, janë gjithashtu një varg veprimesh të herëpashershme që, ndonëse të kufizuara në kohë, janë më të efektshme se dhuratat më të çmuara, zbavitjet më të çmendura, udhëtimet më marramendëse etj., etj. Kështu, në jetën e përditshme, vështrimet e përmalluara, fjalët e ëmbla, gjestet ledhatuese të burrit në drejtim të gruas, por edhe anasjelltas, e thyejnë monotoninë e veprimeve rutinore, të cilat, jo rrallëherë në jetën e përditshme, e hallakatin kohezionin familjar.

Sigurisht që vështrimet, fjalët dhe gjestet e sapopërmendura duhet të burojnë natyrshëm nga thellësia e shpirtit, duhet të jenë fryt i dhembshurisë, i vëmendjes më të ndierë, poezi e çastit dhe jo produkt i ndonjë marifeti aktorial, pozë artificiale apo bejte e mësuar përmendsh. Falë këtyre veprimeve të thjeshta, mbahet ndezur në vatrën e dashurisë bashkëshortore ose familjare zjarri i mallit për njëri-tjetrin, sidomos në përpjekjet që duhen bërë në mënyrë që çifti të mos përjetojë atë që psikologët e quajnë “vetmia dyshe”.

Kuptohet që, në këtë drejtim, nuk ka receta të gatshme, nuk ka klishe të përdorshme në të gjitha rrethanat dhe vetëm vëmendja ndaj tjetrës/tjetrit e mban gjallë marrëdhënien me të: kjo vëmendje është si një sahat me zile që tringëllin brenda teje për të të kujtuar se duhet t’i falësh një vështrim, një buzëqeshje, një fjalë të bukur, një përkëdhelje tjetrit/tjetrës që ke pranë, ashtu, krejt papritur, ose kur e larg, t’i nisësh, po aq papritur, një sms të këndshme, t’i telefonosh për t’i thënë një fjalë drithëruese, që do t’i mbajë vlagë një copë herë, madje qoftë edhe një minutë, çka do t’i mjaftojë që të mos ndihet e/i vetmuar, që të lumturohet se dikush mendon për të.

 

 

 

Së fundi, duhet theksuar se kur fëmijët vërejnë sa të vëmendshëm janë vazhdimisht prindërit e tyre ndaj njëri-tjetrit, sa të ndjeshëm janë pareshtur ata ndaj mirëqenies shpirtërore të çiftit të tyre, atëherë, kur t’u vijë radha edhe atyre për të krijuar familje, ata do ta kenë më të lehtë për ta kuptuar e përjetuar çfarë e mban gjallë një dashuri.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.179, muaji Maj

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top