Kur në Panairin e fundit të Librit publiku mori vesh se isha paraqitur me një fjalor sharjesh dhe mallkimesh të gjuhës shqipe, më përfshiu një ndjenjë faji ndaj urimeve tona aq të shumëllojshme. Gjithsesi, nuk më shkoi fare mendja t’i futesha punës për të përpiluar një fjalor urimesh, sepse me siguri që urimet prekin thuajse gjithë etapat e jetës së një njeriu, madje shumë më tepër se sharjet dhe mallkimet.

Në epokën e sotme, për aq sa e mendoj dhe e vërej unë, më duket se vetëm një urim përdoret shumë më dendur se gjithë të tjerët. Për cilin urim e kam fjalën? Thjesht për urimin “Gjithë të mirat!”. Dy shqiptarë apo shqiptare, pasi mbarojnë së biseduari dhe përqafojnë njëri-tjetrin (sidomos njëra-tjetrën) tek ndahen, nxjerrin nga goja, në trajtë urimi, thjesht këto tri fjalë “Gjithë të mirat!” para se ta vulosin takimin e tyre me një “Të fala!” dhe “Mirupafshim!”.
“Gjithë të mirat!” Oh, sa bujarë tregohemi kur bëjmë këtë urim! Harrojmë se në Shqipërinë e sotme gjithë të mirat i kanë vetëm qeveritarët, pushtetarët, të korruptuarit, oligarkët, baronët e drogës dhe të tjerë zvarranikë të sërës së tyre.
“Gjithë të mirat!” Kam një shok, i cili, kur dikush nga miqtë, të afërmit – kushërinj apo krushq qofshin këta – madje edhe kolegë ose fqinjë, ai, shoku në fjalë, i kthen këtë përgjigje: “Të lutem, mjaft u talle me mua! Po t’i ketë njeriu gjithë të mirat, ai prishet si karakter, bëhet i pandjeshëm ndaj halleve të tjetrit, i babëzitur, babëziar, barkshpellë, egoist, grykës, lubi, barklubi, makut, i pamëshirshëm, i panginjur, i pangopur, i pangishëm, tamahqar, gopçar, llokmëmadh, etj. etj.
“Gjithë të mirat!” Ah, t’ia shprehësh këtë urim një varfanjaku është po aq e pamoralshme sa të flasësh për litar në shtëpinë e të varurit.
“Gjithë të mirat!” Ah, t’ia përplasësh këtë urim cinik në fytyrë të mjerëve është diçka që të shtyn në revoltë, siç ka ndodhur në Francë ku revolucionarët patën për parullë “Mos kini mëshirë për të pamëshirshmit!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

