FB

June 30, 2022 | 8:00

Nga Edmond TUPJA / Lërmë të më marrë malli

Për të analizuar vlerat që e konsolidojnë çiftin si edhe, për rrjedhojë, antivlerat që krijojnë të çara në gjirin e tij, duhen patur parasysh një sërë faktorësh jo vetëm psikologjikë, por edhe socialkulturorë, edhe ekonomikë, por edhe disa të tjerë, si rutina. Çfarë kuptojmë me këtë lloj rutine? Thjesht përditshmërinë, pa harruar edhe përnatshmërinë, e jetës në çift, e cila vjen një moment dhe përfundon me atë që francezët e quajnë “la solitude à deux”, pra “vetmia e çiftit”, më saktë e secilit prej dy pjesëtarëve të tij pavarësisht se jetojnë bashkë në të njëjtën hapësirë e në të njëjtën kohë.

Nga Edmond TUPJA

Këtë temë trajton me realizëm, por njëkohësisht edhe me finesë psikologjike, francezi Alexandre Jardin në romanin e tij “Le zèbre” të përkthyer e të botuar në gjuhën shqipe me titullin “Mos harro të më puthësh – Zebra” (Botimet Pegi, Tiranë, 2014). Në këtë libër, protagonisti, i martuar prej 15 vitesh, vëren se rutina ka zëvendësuar tashmë afshin e dashurisë së fillimit të jetës së tij në çift, madje ai mendon se “çiftet vdesin nga heshtja”; për këtë arsye ai përpiqet të gjejë një zgjidhje duke bërë çmos që të rilindë dashuria midis atij dhe së shoqes.

Sot, në vorbullën e një realiteti shpesh të vrazhdë, për të mos thënë të pamëshirshëm, psikologët, ata që merren në veçanti me mbarëvajtjen e jetës së çiftit, vërejnë se qysh kur shfaqet mrekullueshëm në ekzistencën e porsanisur të çiftit, dashuria përmban në vetvete embrionin e një çekuilibri potencialisht të rrezikshëm për kompaktësinë e vetë çiftit: dëshira e secilës/secilit prej pjesëtarëve për të qenë tërë kohën e pranishme/i pranishëm tek tjetri/tjetra jo vetëm psikologjikisht, por edhe fizikisht; mirëpo kjo dëshirë e tejskajshme, posesive, nuk shfaqet përherë me të njëjtin intensitet te secili prej partnerëve: Që nga ky çast, kur intensiteti i pranisë së njërit/tjetrës është më i lartë se ai i tjetrës/tjetrit, kësaj/këtij të fundit mund t’i krijohet përshtypja e lodhshme se po bie viktimë e pranisë tej mase imponuese nga ana e partnerit/ partneres; e thënë më ndryshe, kjo mund të ndodhë kur njërës/njërit prej pjesëtarëve të çiftit i duket sikur tjetri/tjetra po bëhet tepër “ngjitës/ ngjitëse”, siç shprehen aktualisht shumë të rinj, por edhe të reja në shumë vende.

“Ngjitës”ose “ngjitëse”… Sigurisht, ky epitet merr një ngjyrim deri diku përbuzës po të kujtojmë se ka për sinonime disa epitete gati fyes, si, për shembull, “mastiç” ose “rrodhe”, por ai të bën të mendosh se diçka është e vërtetë në këtë mes: Në çdo çift, secili/secila duhet të mos harrojë se edhe tjetra/tjetri ka privatësinë e vet, e cila duhet respektuar, prandaj me të drejtë, një ish-studentja ime dhe, më pas kolege, tek kuvendonim kohë më parë lidhur me këtë temë delikate, më tregoi se dikur njëri prej të dashurve të saj, të cilin ajo e donte aq çmendurisht, saqë nuk i ndahej orë e çast as fizikisht, as në cellular e as në internet, i kërkoi një ditë që të takoheshin më rrallë, qoftë edhe për fare pak kohë, duke iu përgjëruar me këto fjalë: “Të dua shpirti im i brishtë, shpirti im i kaltër, të dua, të jesh e bindur, por që të të dua edhe më thellë, edhe më bukur, edhe më gjatë, lërmë të më marrë malli…”

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Drejtor Marketingu - Geart Shehu: 0682097486
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top