FB

February 2, 2022 | 8:10

Nga Edmond Tupja / Më i ëmbli i muajve!

Nuk e kam fjalën thjesht për muajin e mjaltit, jo, por për atë muaj pa të cilin muaji i mjaltit do të dukej i paplotë, madje disi i cungët. Ç’është e vërteta fjala është për muajin shkurt, i cili, siç e dëshmon vetë emri i tij, shfaqet si muaji më i shkurtër i vitit, por në fakt ai fsheh në gjirin e vet një perlë fort të rrallë, atë të dashurisë së çiftit, pra ditën e tij të katërmbëdhjetë.

Kjo perlë, pra dita e Shën Valentinit, nuk festohej në Shqipërinë e kohës së diktaturës, por kishte familje, sigurisht me një nivel kulturor të ngritur, që e përmendnin atë me gjysmë zëri, sepse kjo ditë dilte jashtë kuadrit të tejpolitizuar të festave zyrtare. Fatmirësisht, me ardhjen e demokracisë, krejt natyrshëm, ajo u rreshtua përkrah festave që lejoheshin të kremtoheshin tradicionalisht si nata e këmbimit të viteve, dita e verës, ajo e shpalljes së Pavarësisë apo ajo e Çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj.

Mirëpo kjo festë, pra, dita e Shën Valentinit, nuk vonoi dhe shumë shpejt u kthye gati në një festë kombëtare deri në atë pikë saqë shumëkush ia uronte atë shumëkujt tjetër pa qenë i/e dashuruar me atë, çka e kam ilustruar para shumë vitesh me diçka që më ndodhi me disa studente dhe një student, të cilëve u jepja mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Ishte, pra, mëngjesi i një 14 shkurti dhe kisha mësim që në orën tetë të mëngjesit. Ngaqë kisha ardhur paksa para kohe, në klasë ende nuk kishte njeri; u ula dhe nxora një libër nga çanta; dy-tri minuta më vonë, hapet dera dhe brenda futen dy studente, që të dyja më thanë gati njëzëri: “Gëzuar festën, profesor!” Unë ua ktheva: “Cilën festë, vajza?”. Ato vështruan njëra-tjetrën si të habitura dhe njëra syresh u hodh e tha: “Si, cilën festë, profesor? Po Shën Valentinin, pra!”. Atëherë m’u desh t’i sqaroja: “Zonjusha, unë nuk jam as i dashuri, as i fejuari, as partneri dhe aq më pak bashkëshorti juaj! Dita e Shën Valentinit është dita e të dashuruarve, pra e çiftit dhe, sipas traditës europiane, djali i dhuron së dashurës një tufë me lule të shoqëruar ose jo me një dhuratë!”

Pak si në siklet, ato u ulën në vendet e tyre dhe nuk u ndien; pak më vonë, erdhën në klasë tri studente të tjera që më uruan festën në fjalë, të cilat i sqarova në të njëjtën mënyrë dhe e njëjta skenë u përsërit. Përfundimisht, i vetmi djalë i grupit, me emrin Vangjel, hyn në klasë dhe ulet në bankën e tij. Njëra nga studentet, pasi më hodhi një vështrim prej çapkëneje, i thotë studentit: “Vangjel, s’po ia uron profesorit festën e Shën Valentinit?”

Djaloshi u skuq dhe, në çast më kërkoi ndjesë duke shtuar “Gëzuar festën, profesor!”. Shoqet e tij të klasës ia plasën gazit, kurse ai më vështroi si i çorientuar ngaqë nuk po kuptonte reagimin e bashkëstudenteve, të cilat nuk m’i ndanin sytë, sepse prisnin të reagoja ashtu siç kisha vepruar me ato, prandaj i shpjegova Vangjelit ç’ishte realisht dita e Shën Valentinit dhe se, për rrjedhojë nuk mund të isha i dashuri i tij aq më tepër që isha heteroseksual.

Sidoqoftë, me të mbaruar ora e mësimit, pra gjatë pushimit, të gjithë ramë dakord që simbolika e Shën Valentinit mund të përdoret si një metaforë në kuptimin që do të ishte diçka shumë e dobishme sikur njerëzit ta respektonin e ta donin njëri-tjetrin me të njëjtën dëlirësi, me të njëjtën dhembshuri që shpalosin pjesëtarët e një çifti të dashuruarish kur e respektojnë dhe e duan vërtet njëri-tjetrin.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 164

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top