FB

September 25, 2021 | 8:06

Nga Edmond Tupja / Mona dhe Liza

Prej më se një gjysmëviti, njerëzimi po përballet me një pandemi të frikshme, atë të Kovid-19-ës, vdekjeprurës për moshat e mëdha, por që po sfidon gjithashtu jetën ekonomike, sociale e kulturore të çdo vendi dhe njëherazi, të mbarë rruzullit tokësor. Në këtë kuadër, përfytyroni dy motra, dy binjake, që ende jetojnë me prindërit e tyre, sepse, ta zëmë, janë studente. Fizikisht ato janë identike, ngjajnë si dy pika uji, aq sa edhe një pikatore do t’i shihte me zili, ngaqë nuk do të kishte mundur të nxirrte dy pika uji aq të ngjashme me njëra-tjetrën.

E para, Mona, është një tip i hapur ndaj botës që e rrethon, ajo ka plot miq e mikesha, shokë e shoqe, del shpesh nga shtëpia, sepse, siç shprehet vetë ajo, “përjashta ndihem vërtet si në shtëpinë time”, por edhe kur nuk del, nuk i ndahet facebook-ut dhe rrjeteve të tjera sociale. E dyta, Liza, është një tip i mbyllur, ka pak miq e mikesha, shokë e shoqe, kur del nga shtëpia, nuk vonon të kthehet atje, ndërkohë që nuk u kushton shumë kohë rrjeteve sociale, por lexon libra dhe analizon.

Për psikologët, Mona renditet në kategorinë e ekstrovertëve, pra, të atyre që janë të hapur ndaj botës që i rrethon, që ndihen shumë mirë në gjirin e saj, që mund të anojnë nga altruizmi, ndërsa Liza renditet në kategorinë e introvertëve, pra, të atyre që janë të mbyllur ndaj botës që i rrethon, që kanë shoqe të ngushtë si heshtjen, ashtu edhe vetminë, që mund të anojnë nga egocentrizmi.

Në epokën e sotme të Kovid-19-ës, kur mbajtja e maskës, ruajtja e largësisë dhe karantinimi në rast nevoje janë tre kushte thelbësore për t’u mbrojtur nga pasojat e rënda të infektimit me virusin në fjalë, duket sikur introvertët e kanë më të lehtë për t’iu shmangur kontakteve dhe lidhjeve shoqërore të drejtpërdrejta, pra me të tjerët, duke pakësuar kështu rreziqet e një infektimi.

Sipas mendimit tonë modest, kjo nuk duhet absolutizuar, sepse, për shembull, në rastin e dy motrave binjake të lartpërmendura, nëpërmjet pranisë së Monës, ekstroverte, e cila nuk i shmang, përkundrazi i kërkon kontaktet me shokë e shoqe jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe fizikisht, e motra, Liza, mund të infektohet, ndonëse mbrohet natyrshëm për vetë tipin e saj si introverte.

Nga ana tjetër, Liza, mund ta bindë Monën ekstroverte, përmes diskutimesh të sinqerta e serioze, që të dalë më pak jashtë shtëpisë duke u marrë më pak me të tjerët dhe më shumë me veten për ta mbrojtur atë në dobi gjithashtu të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kuptohet që ky tip diskutimesh është i dobishëm jo vetëm për familjet, por edhe për shoqërinë, për shëndetin e saj fizik, madje mendor, në kuadrin e vetë shëndetit social, të mbrojtjes e të përforcimit të tij sistematik.

Sidoqoftë, pësimi le të bëhet mësim, thotë populli ynë, prandaj, meqë punët në planetin tonë të tejpopulluar, të tejndotur e të tejngrohur po shkojnë keq e më keq, një rëndësi e veçantë për mbijetesën e tij i duhet dhënë vazhdimisht jo vetëm marrjes së masave konkrete (nxjerrjes së vaksinës antikovid, ndër të tjera), por gjithashtu edukimit të pandërprerë shëndetësor të popullsisë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top