FB

January 12, 2022 | 8:10

Nga Edmond Tupja / Përshtatu për të mbijetuar!

Që nga fillimi i marsit të këtij viti, po përballemi me një pandemi të frikshme që, ende në mungesë të një vaksine të premtuar e të mezipritur, po merr jetë njerëzish në të katër anët e rruzullit tokësor. Pavarësisht përpjekjeve për ta pranuar këtë realitet të dhimbshëm, e kemi të vështirë për t’u përshtatur, në jetën tonë të përditshme, me kufizimet dhe veçanërisht me privimet që po na imponon ky ndryshim i papritur e frustrues i vetë konceptit “normalitet”.

Përse kështu? Thjesht sepse nuk jemi më të lirë, për hir të shëndetit, të bëjmë ato veprime me të cilët ishim mësuar prej vitesh e dekadash si, për shembull, të shkojmë në kinema ose opera, të vemi me pushime apo të shëtisim ku të duam, të takojmë kë të duam, ta përqafojmë, ta puthim atë, t’i shkojmë në shtëpi për vizitë, të marrim pjesë në gëzime – festa, përvjetorë, fejesa, dasma, lindje etj., – apo në hidhërime kur goditemi ne e të afërmit tanë më të dashur nga ngjarje të rënda burime traumash shpirtërore – vdekje, sëmundje të pashërueshme e ngjarje të rënda si pasoja fenomenesh natyrore ose sociale.

Me sa duket, në këto rrethana, duhet të pranojmë objektivisht se nuk kemi rrugëdalje tjetër – nëse duam vërtet që të mos biem në depresion – veçse të heqim dorë nga shumë veprime që na ishin bërë shprehi qysh kur kemi lindur e me të cilët ishim mësuar deri para tetë a nëntë muajsh; të heqim dorë duke iu referuar historisë së njerëzimit i cili, ndër shekuj, ka njohur mynxyra nga më të ndryshmet: tërmete, shpërthime vullkanesh dhe përmbytje të përbindshme, shkatërruese e madje rrafshuese qytetesh të tëra, lloj-lloj epidemish – lebër, murtajë apo kolerë –, pa harruar luftërat e masakrat e herëpashershme, kasaphana të vërteta masash njerëzore, qofshin ushtri apo popullata civile. Pra, ka pasur gjithmonë edhe më keq.

Po, të heqim dorë, siç sapo e shkrova, veçse me një kusht: T’i kthehemi jetës shpirtërore, këtë veprim koronavirusi nuk mund të na pengojë që ta kryejmë; të mos tutemi, pra, por le të lexojmë libra, le të dëgjojmë muzikë, le të bredhim gjeografikisht duke lundruar në internet, le t’i përdorim më shpesh celularët e skype-et për të qëndruar bashkë duke këmbyer mendime e duke filozofuar për tema të mëdha, për tema të përditshme, si miqësia, dashuria, dhembshuria për njerëzit, por edhe për kafshët, drurët e lulet.

Sigurisht, lexuesja apo lexuesi i këtyre radhëve, mund të pyesë: “Ç’do të thotë të filozofosh?”, por përgjigjen e ka dhënë tashmë filozofi bashkëkohor francez André Comte-Sponville: “Të filozofosh do të thotë të jetosh mendimin tënd dhe të mendosh jetën tënde”. Në këtë kuadër, ndryshimin e konceptit “normalitet” në kushtet e pandemisë aktuale dhe reagimin shpirtëror përballë asaj, na ndihmon gjithashtu në mënyrë të veçantë t’i marrim në konsideratë edhe praktikimi i rregullt i jogës, pa harruar ecjen e ushtrimet fizike në ajër të pastër.

Së fundi, por jo më së paku, duhet menduar pozitivisht edhe sikur nga “normaliteti” i ri të mbetet diçka në jetët tona pasi njerëzimi ta ketë kapërcyer me sukses, ndonëse me sakrifica, këtë epokë të frikshme të Covid-19-s. Bëhet fjalë për vigjilencën që duhet mbajtur në lartësinë e duhur në mënyrë që në të ardhmen, të jemi më të përgatitur shpirtërisht për të përballuar më mirë situata të ngjashme duke iu përshtatur këtyre për të mbijetuar.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top