FB

July 12, 2022 | 7:45

Nga Edmond TUPJA / Përsiatje për elegancën

Po t’i besojmë “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), mbiemri “elegant” ka kuptimin “i bërë me shije të hollë; i hijshëm; që ka elegancë”, ndërsa vetë emri “elegancë” ka kuptimin “shije e hollë në të veshur, në të shprehur etj.; të qenët elegant”; rrjedhimisht, me të drejtë shembujt që na jep fjalori i sapopërmendur janë “veshje elegante; njeri elegant”, çka e konfirmojnë në Shqipërinë e sotme një numër revistash e emisionesh televizive. Nga ana tjetër, në jetën e një shtrese shoqërore me nivel kulturor serioz, flitet madje edhe për sjellje elegante, pra, të hijshme, të edukuar e të moralshme, me një fjalë për sjellje qytetare.

Nga Edmond TUPJA

Mirëpo, çuditërisht, fjala “elegant” këto vitet e fundit po përdoret përherë e më shpesh edhe në kuptimin “i dobësuar, nën peshë”, p.sh. në fjali të tilla si “Ha një çikë më shumë, si tepër elegant po më dukesh!” ose, me një nuancë qesëndisëse, “Mos ke qenë gjë sëmurë? Sapo ke dalë nga spitali? Po më tremb kjo eleganca jote!”. Me shumë gjasë, ky shqetësim vjen, brez pas brezi, edhe nga zakoni që prindërit e sidomos gjyshet kishin dikur, në një kohë kufizimesh dhe racionimesh ushqimore, kur trembeshin tek vinin re çehren e zbehtë të fëmijëve apo të mbesave e nipave të tyre tashmë të rritur. Sigurisht, pa dashur t’i stigmatizoj përdorueset e përdoruesit e fjalës “elegant” në këtë kuptim të gabuar, do të ishte mirë t’i kthehemi një çast përkufizimit të fjalës “elegancë” në kuptimin “shije e hollë jo vetëm në të veshur, por edhe në të shprehur”:

Së pari, ta këqyrim atë në komunikimin tonë të përditshëm me të tjerët: Proverbi ynë “kocka s’ka, por kocka thyen” (është fjala për gjuhën) tërheq vëmendjen te fakti se fjalët lëndojnë, ndoshta më keq se armët, ngaqë ngulen keqas në kujtesë, ndërgjegje e shpirt duke na bërë kësisoj të vuajmë; rrjedhimisht, takti, mirësjellja e respekti për të tjerët duhen mbajtur parasysh sa herë që komunikojmë me ta, përndryshe, siç e dëshmon çdo ditë e më shumë aktualiteti ynë, pasojat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Gjithsesi, po qe se eleganca në të shprehur rezulton e pafuqishme për t’u marrë vesh me të tjerët, atëherë le t’i drejtohemi elegancës së heshtjes duke i dhënë fund dialogut, çka populli ynë e shpreh me proverbin “Të dehurit dhe të çmendurit hapu rrugën”.

Së dyti, le të shohim ç’vend zë apo, më saktë, duhet të zërë “eleganca në të shprehur” kur bëhet fjalë për çiftin. Kjo elegancë ka për bazë të pashmangshme sinqeritetin midis dy pjesëtarëve të tij, pra midis asaj dhe atij, sepse, në mungesë të sinqeritetit, eleganca kthehet, herët a vonë, në aktrim apo, e thënë pa doreza, në hipokrizi. Nga ana tjetër, nuk duhet lënë mënjanë as eleganca në të heshtur kur ai/ajo vëren se, pas dialogut, ajo/ai ka nevojë për pak vetmi të përkohshme sigurisht, por të dobishme për të parë më qartë në botën e vet shpirtërore dhe për të kuptuar se çfarë po i ndodh në marrëdhënien me tjetrin/tjetrën. Ky ekuilibër midis “elegancës në të shprehur” dhe “elegancës në të heshtur” është i domosdoshëm në gjirin e çiftit në qoftë se ai kërkon ta përsosë marrëdhënien dashurore sipas këndvështrimit të Fromm-it, i cili përmblidhet me pak rreshta: Dashuria ende nuk është pjekur për aq kohë sa themi “Të dua, sepse kam nevojë për ty”, por ajo ka arritur të piqet vetëm kur themi: “Kam nevojë për ty, sepse të dua”!

Si përfundim, le të kujtojmë Cioranin, filozof, shkrimtar e poet rumun, që thoshte: “Eleganca e vërtetë morale qëndron në të paraqiturin e fitoreve si disfata”.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 170

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top