Psikofakt

January 23, 2017 | 11:02

Nga Edmond Tupja/ Shoqëri brinare?

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sot, në shoqërinë shqiptare tmerrësisht demokratike, pabarazia gjinore, pavarësisht se po luftohet dhe, si rrjedhojë, po bie, ka rrënjë të thella, çka pasqyrohet edhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006). Kështu, te fjala “bri”, syri të zë, mes të tjerash, edhe shprehjen “i vë brirë (burrit), e tradhton”, kurse e anasjellta nuk ekziston, d.m.th. shprehja “i vë brirë (gruas), e tradhton”.

Në të njëjtin fjalor, një faqe më tej, gjejmë fjalën “brinar”, e cila shpjegohet kësisoj: “burrë, të cilit e shoqja i vë brirë”, kurse fjala “brinare” nuk ekziston, rrjedhimisht as shpjegimi “grua, së cilës i shoqi i vë brirë”.

Këtë mungesë është përpjekur ta shmangë deri më sot, me sa di, me sa kam parë, dëgjuar e lexuar, vetëm një shkrimtar, ai që, pra tre vjetësh, ka botuar romanin “Njeriu me fat”.

Cili është ky shkrimtar? Oh, të dashur lexuese dhe lexues të kësaj rubrike të përjavshme, më vjen keq, por këtë do t’jua them në fund fare sepse, përndryshe, kureshtja juaj do të shuhej në çast dhe ju, mbështetëse e mbështetës të flaktë të barazisë gjinore në shoqërinë tonë do ta ndërprisnit në çast leximin e këtyre radhëve dhe do të derdheshit drejt librarive për ta blerë këtë roman tejet interesant, që do ta lexonit – për këtë jam krejt i bindur, i sigurt dhe optimalisht optimist – brenda dy-tri ditëve pa e lëshuar një çast nga dora.

Në këtë roman, protagonisti dyshon se e shoqja i vë brirë, pra, e tradhton, madje një ditë, para pasqyrës, i duket sikur i kanë mbirë një palë brirë në majë të kokës po aq madhështorë sa ata të drerit.

Pas ca ditësh, në një ceremoni zyrtare me pjesëmarrje biznesmenësh të rëndësishëm e politikanësh të rangut më të lartë, nga ata që t’i zë syri vetëm në televizor, protagonistit, shkruan autori, “iu shfaq një pamje surrealiste.

Salla e madhe, ku ndiheshin në sfond tinguj të lehtë muzike, ishte mbushur me meshkuj dhe femra brinarë. Lloj-lloj brirësh, që nga më madhështorët dhe elegantët, si brirët e tij, deri te më pak madhështorët, fjala vjen brirë sqapi ose dhie, brirë sorkadhesh apo antilopash, e gjithë bota brinare përfaqësohej aty, madje sytë i zunë edhe ca brirë kaba prej rinoqeronti”.

Ja, pra, se si shkrimtari ynë, tani për tani ende anonim, e mbron barazinë gjinore duke folur për “meshkuj e femra brinarë”, çka e përforcon disa faqe më tej duke vënë në gojën e protagonistit këto fjalë: “… rrjedhimisht, në atë sallë unë pashë vetëm brinarë, domethënë burra të tradhtuar nga gratë e tyre, dhe brinare, domethënë gra të tradhtuara nga burrat e tyre, në përputhje me barazinë gjinore”.

Nxitoni, pra, ju militante e militantë të barazisë gjinore në gjirin e shoqërisë sonë civile, qoftë edhe të tipit sorosian, ta përgëzoni shkrimtarin tonë ende anonim duke i dhuruar lule e, sidomos, buzëqeshje para se t’i thoni me admirim: “Të lumtë dora, maja jote e penës, it is marvellous!”.

Mirëpo, shkrimtari ynë ende anonim shkon edhe më larg kur e shtrin barazinë brinare përtej çiftit burrë-grua. Po, po, mos u habisni fare për këtë! Ja se si shprehet protagonisti i tij gjysmë faqe më tej: “Ç’të ishte, pra, ajo fanitje me brirë? Ç’përfaqësonte turma brinare dhe kush ia vinte? A mund të konsiderohet shoqëria jonë si një bashkësi së cilës i kanë vënë brirë e ajo vegjeton ngaqë ose i pëlqejnë, ose nuk i sheh?”

E shihni, pra, o lexuese e o lexues të rubrikës sime, se sa i madh është shkrimtari ynë ende anonim? Le ta pyesim tani veten të gjitha e të gjithë së bashku: “Vërtet jemi pjesë e një turme brinare? Vërtet i përkasim një shoqërie me brirë në ballë? Vërtet jemi kokë e këmbë ose, më saktë, brirë e këmbë të dënuar të tradhtojmë njëra-tjetrin ose njëri-tjetrën, njëritjetrin ose njëra-tjetrën, shteti individin dhe individi shtetin, partia në pushtet popullin dhe populli pa pushtet partinë në opozitë, sidomos këto vitet e fundit, me shitblerje votash, demagogji e hipokrizi të pashoqe, pra, duke mashtruar të tjerët dhe medoemos vetveten po aq tronditshëm sa e ka përshkruar Fatos Kongoli në romanin e tij “Njeriu me fat”?

Burimi: http://www.panorama.com.al/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top