FB

July 31, 2026 | 17:30

Nga Edmond Tupja: Të vrasësh kohën?

 

Siç po e dëshmojnëstudimet dhe parashikimet e ekologjistëve për Tokën, pra për planetin tonë, siç e pranojnë edhe disa nga ambientalistët tanë, hapësira e banuar nga njerëzimi, por edhe nga tërë gjallesat e tjera, po rrezikon të kthehet në një varrezë të frikshme, sepse gjithçka po ndotet: ajri, toka, uji, bimësia etj., dhe kjo ndotje globale po kërcënon ekzistencën e njerëzimit.

edmond-tupja

E thënë ndryshe dhe krejt qartazi, njeriu që me shfaqjen e tij në Tokë, pra që në epokën e homo erektusit e, pas tij, të homo sapiensit (kur një primat tejet i lashtë nisi të ecte jo më me katër këmbë, por vetëm me dy të pasmet) duke hedhur kështu hapin e parë drejt krijimit të njeriut, i cili, pas qindra e mijëra vitesh, do të shndërrohej në njeriun modern d.m.th. të sotëm. Pikërisht njerëzit e këtij kallëpi, nisën pak nga pak ta ndotnin planetin Tokë, këtë mrekulli të natyrës dhe të jetës, këtë parajsë, që njerëzimi i sotëm po vijon ta ndotë, duke e shkatërruar pa pikë mëshire.

Problemi në fjalë, pra shkatërrimi i planetit, rrezikon të zgjidhet në mënyrë tejet fatale, sidomos thjesht përmes luftërash bërthamore. Duke shpresuar se një ditë Fuqitë e Mëdha do t’i thërrasin mendjes dhe zemrës (nëse e kanë një të tillë) për të shmangur zhdukjen e njerëzimit dhe njëkohësisht të vetë hapësirës jetike për atë, por kjo nuk mjafton sepse shfrytëzimi i egër i pasurive tokësore, nëntokësore, ajrore, ujore e nënujore të planetit Tokë, do të peshojë rëndë mbi të ardhmen e brezave që do të vijnë. Me këtë rast, le të kujtojmë fjalët e filozofit indian Gandi, i cili ka thënë: “Kjo tokë nuk na përket neve, atë ia kemi marrë hua brezave që do të vinë pas nesh”.

Nga ana tjetër, në disa gjuhë vërehet një prirje e çuditshme, që mund t’i shqetësojë njerëzit e ndjeshëm: Ka individë, për shembull, të cilët, tek bisedojnë me njëri-tjetrin në grupe të vogla, kur një i njohur i pyet kalimthi se ç’po bëjnë, shpesh i përgjigjen: Ja, po vrasim kohën!

Oh, të vrasësh kohën? E pabesueshme! Sigurisht që kjo fjali është huazim nga anglishtja To kill the time. Veçse edhe francezët thonë Tuer le temps. Po ashtu edhe italianët thonë ose Ammazzare il tempo, ose Ingannare il tempo. Me shumë gjasë duhet të ketë edhe gjuhë të tjera, folësit e të cilave përdorin të njëjtën strukturë sintaksore me të njëjtin kuptim.

Pasi vrasim hapësirën jetike të rruzullit tonë tokësor, ja ku mendojmë të vrasim edhe kohën e ekzistencës së tij. Çfarë guximi i paturpshëm! Harrojmë që ne, njerëzit, nuk jemi të përjetshëm! Nuk jemi të përjetshëm pikërisht se jemi të përkohshëm, çka do të thotë se koha nuk mund të vritet nga njeriu, përkundrazi, me kalimin e kohës kalon dhe jeta jonë! Pra, koha na vret ne dhe aspak anasjelltas!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top