Zakonisht njerëzit shprehin me fjalë, atë më të mirën, për t’i dëshiruar dikujt që ka ditëlindjen. Mirëpo në realitet sa e dëshirojmë, dhe e mirëpresim një urim të tillë?!
Procesi i natyrës është i tillë që, njeriu lind, plaket dhe në fund vdes. Mirëpo sa ne jemi të gatshëm që të ofrojmë kujdes ndihmë dhe mëshirë e dashuri ndaj personave të moshuar, prindërve e gjyshërve.
Sikurse është bërë dukuri kohëve të fundit, pretekst i obligimeve dhe angazhimeve të jetës, që mos të kemi kohe për të qëndruar afër njerëzve tanë, të cilët kanë moshën e plakjes.
Jo më kot thuhet se “Njeriu dy herë bëhet fëmijë”. Që do të thotë se, në moshën e fëmijërisë është e nevojshme për kujdesin në të gjitha aspektet. Ushqyerjen, veshjen, mbrojtjen, përkrahjen. Kjo nevojë është e njëjtë edhe për prindërit dhe gjyshërit, të cilët kanë arritur në një moshë që kujdesi ynë i ndërsjellë për ata është e nevojshme dhe e domosdoshme.
Përderisa këta persona nuk kanë kursyer kohën, vullnetin, dashurinë, gjumin, paratë për të kontribuar për fëmijët e tyre, ashtu duhet që edhe ne të jemi në vullnetin e mirë, të dashur e human që t’ua kthejmë, kur më së shumti kanë nevojë.
Atributet njerëzore dhe shoqërore duhet të jenë të nivelit sa për të arritur shkallën e ndjenjave dhe humanitetit që të jemi ashtu siç duhet.
Është bërë një dukuri aspak e mirë që personat e moshuar të mbesin në ironinë e fatit. A thua valle se kur t’i humbim, ku mbetet ndërgjegjja jonë? A do i bëjmë vetes pyetje, a do të gjykojmë veten dhe sa do të jemi kritikë ndaj vetes tonë se, a mos u mbetëm borxh, se a ishte e mjaftueshme ajo se çka neve kemi bërë ose edhe fare nuk u munduam.
Brezat kalojnë dhe secili do të përjetojë atë se çka kemi mbjellë më herët. Përkundër angazhimeve të ndryshme, përballjeve me sfidat e jetës, orareve të gjata të punës, duhet që të ushqejmë ndjenjën me gjëra pozitive, humane e njerëzore.
T’u kushtojmë kohën, dashurinë e kujdesin atyre që u munduan një jetë të tërë për ne, dhe falë tyre, secili kemi arritjet dhe sukseset tona në jetë. Andaj, mos të bëjmë urimet vetëm sa për sy e faqe, mos të mbeten vetëm një fjalë goje, por në realitet t’i urojmë me vepra, sepse secila vepër e jona do të bëhet rezultat i të ardhmes tonë. Dhe kjo do të përcillet nëpër breza.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.