Pika referimi

February 9, 2018 | 15:51

Nga Leonard Veizi: Leksion i hapur nga Shirli Valentina

Impresione pas një premiere në Teatrin Kombëtar

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Në ndarjet e sotme administrative të hartës së botës, e më konkretisht në Evropë, për të cilën thuhet se është një kontinent i plakur e largqoftë jashtë mode, duket se pushteti i burrave ka dominuar po aq shumë në pragun e mijëvjeçarit të tretë, sa dhe në mesjetën e hershme e obskurantiste. Këtë na jep të kuptojmë një autor anglez, Willy Russell, nëpërmjet një personazhi shkruar prej tij e që quhet Shirli Valentina.

olta-dakuKomedia e njohur angleze, e shkruar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në vitin 1988 do të ishte dhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit. Por në gamën e famës së saj përtej Britanisë erdhi edhe në shqip për publikun e kryeqytetit, pasi kishte kaluar më parë bankëprovën në skenën e teatrit të Durrësit.

Shirli Valentina u bë e famshme, jo vetëm në Liverpul, ku jetonte si një grua shtëpie që veç lante dhe gatuante për bashkëshortin e saj Tom e dy fëmijët e tyre ekscentrik, por dhe në ishullin turistik grek të San Torinit, ku pas vitesh monotonie do të gjente çlirimin dhe jetën e vërtetë.

E megjithëse lëvizja feministe mund të quhej si e ezauruar në Anglinë e fundshekullit të kaluar, duket se Liverpuli, Londra apo Mançesteri kishin ende nevojë për një rifreskim të protestave masive, qoftë edhe nëpërmjet revoltës me tone të buta, por shumë domethënëse lëshuar në eter nga një grua e vetme, me moshë 42 vjeç, që ndryshe cilësohet dhe si një “middle…” apo mesogrua.

olta1

Driada Dervishi si regjisore, kishte zgjedhur një aktore si Olta Dakun për të frymuar Shirli Valentinën. Duket se me këtë zgjedhje inteligjente, regjisorja, që paradokohësh na njohu me një nga bëmat e vështira të Pirandelos, kishte futur afrofe në xhep dhe suksesin. Dalja e saj në fund të shfaqjes vetëm sa konfirmonte gjithçka flitej, përpara se komedia të jepej premierë: suksesin e garantuar.

Nga ana e saj Olta Daku e solli Shirli Valentinën të plotë, jo si një angleze shtëpiake, por si një shqiptare të tillë, – që gjendet pa vështirësi nga Unaza e tutje, – me batuta të përshtatura për realitetin ku jetojmë, gjë që sillte vazhdimisht ngacmimin e platesë, ku ndoshta gabohem, por dukej se dominohej nga spektatori femër. Pra, ishte si një leksion i hapur, për ato që i vunë mend e u thelluan dhe jo për ndonjë që mund të kishte ardhur me qëllim për të ekspozuar rrobat e reja firmato, “prej mëndafshi”.

Leksion thashë…? Mos u gabova gjë? Se, kush di të marrë leksione, kërkon t’i zbatojë ato edhe në jetë.

Po a thua që një komedi e tillë, me kripë e piper bashkë, të bëhet shkak për të filluar një lëvizje feministe edhe në Shqipëri?

Ndoshta.

“Viva la Revolution”.

shirli-valentinaSepse ne shqiptarët kemi shumë etapa të padjegura. E duhen djegur ca prej tyre se ndryshe marrim flakë për fare. Vetëm se zakonisht ndodh që kur këto etapa, të cilat Perëndimi i ka kaluar një shekull më parë, duam t’i implementojmë me nja dy a tri kohë vonesë bëhemi qesharakë sa më s’ka.

Por ta lëmë mënjanë lëvizjen feministe, meqenëse gratë kanë fituar goxha të drejta, e po lulëzojnë në Parlament e Qeveri, dhe të vijmë te komedia.

Mes dilemash të mëdha, Shirli Valentina vendosi të largohej nga jeta e saj monotone prej mjeraneje dhe të hapte një kapitull të ri, ku për çudi do të zbulonte jo vetëm dashurinë për veten, por dhe… seksin me një burrë vendas, të paprovuar kurrë më parë si të tillë. Dhe këtë, mesogruaja angleze e gjeti pikërisht në Greqi. Tani, gojët e liga mund të thonë se, “ç’donte Shirli në Greqi mor amani kur kishte Shqipërinë si shpirt. Ja, një “vrap pele” larg, se afër jemi, kufiri na ndan. Helbete po të kishte kaluar nga nahija jonë, mjerë Shirli çdo të hiqte e çfarë zbulimesh do të kishte bërë. Hata fare. Se këtej hamshorët bridhnin rrugëve të hazdisur e pa fre”. Por ja që në ato vite kur autorit iu tek të shkruante këtë komedi sociale, Shqipëria nuk hynte në axhendën e askujt, sepse për shëndetin tonë të tepruar nuk ishim as me Lindjen as me Perëndimin. Shkurt nuk ishim më asnjë. E për pasojë Shirli Valentina nuk mund të kalonte mbi Shqipëri as me avionin e linjës “British Airways” dhe as me “Olympic”-un e Athinës, se si mjete fluturuese të paidentifikuara do te asgjësoheshin nga bateritë kundërajrore të Babicës dhe ato të Karaburunit.

shirliPor gjithsesi, ajo erdhi me më shumë se 30 vite vonesë për të na rikujtuar edhe një herë se teknologjia e ka lëvizur botën në mënyrë të skajshme, por jo mentalitetin njerëzor, e për më tepër mentalitetin e një mashkulli.

Këto mendime që po shpreh në këtë shkrim të shkurtër janë thjeshtë të një spektatori, i cili e ndoqi shfaqjen nga lozha, e pëlqeu dhe e shijoi atë në çdo detaj, në regji, lojë aktori e skenografi. E mbi të gjitha, në humorin aq fin të anglezit Willy Russell. Se bën vaki vënia në skenë nuk ishte kurrkund, me teknikë të gabuar, mizanskena të pavendosura mirë… e ku ta di unë se çfarë, që thënë troç, syri im i pavëmendshëm s’i kap dot. Por nisur nga niveli i të qeshurave dhe duartrokitjeve të vazhdueshme, them se sprova kaloi e pastër dhe pa ngërçe. E në këtë mënyrë mora rolin e një zëdhënësi, ku edhe pse mund të refuzohem nga shumica absolute e spektatorëve të pranishëm, them përsëri se shpreh mendimin e shumicës absolute të tyre në natën premierë të Tiranës, të atyre që ndoshta s’kanë shumë dhunti për të shkruar, e as mundësi për të botuar materiale publicistike, sidomos në një revistë me prestigj të lartë si “Psikologjia”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top