Editorial

March 23, 2017 | 17:46

Nga Leonard Veizi / Moda e “shpërthimeve” pasive dhe shashkat me silenciator

Prej shumë kohësh, aq sa s’e mbaj mend, nuk kisha marrë mundimin të hidhja qoftë dhe një gjysmë rreshti, ku të flitej për ndonjë problem social apo diçka nga fusha e kulturës. Them për këto dy rubrika, meqenëse në ujërat e politikës nuk para futem, sepse e di që nuk ia thek, ose më saktë: jam i dobët politikisht aq sa dhe në zgjedhje nuk shkoj të votoj. Ky mosangazhim ka ardhur jo se kam pasur ndonjë gjë më të rëndësishme për të bërë, por kam menduar se mjaft kam shkruar në gjithë këta vite, pasi edhe pse ca e ca-ve do t’u mungoja, ca të tjerëve me siguri u jam mërzitur. Dhe vendosa të bëj lexuesin. Një lexues të denjë lajmesh e intrigash popullore.

maxresdefaultPortaleve që u besoja ua mbaja mend link-un, mjafton një “www” përpara. Të tjerët më dilnin rrugës, pa më munduar. Në fundjavë blija dhe ndonjë gazetë printi të njihesha me të rejat e VIP-eve, kush kishte bërë ndërhyrje artificiale në vithe e gjoks, e kush i kishte mbajtur veshur brekët atë javë aq sa dhe paparacëve nuk u kishte lënë shkas. Por meqenëse e ndërrova sërish smartfonin dhe mora një patllake sa një lap-top, e kam parë të udhës që ngjarjet e nxehta t’i lexoja drejt e mbi ekranin e celularit, ndërsa ato me përmbajtje të thellë e shkencore t’i merrja’ me avashllëk, si të rehatohesha në kolltukun e zyrës e të ndizja ekranin e kompjuterit që e kam sa një televizor.

Dhe ndodhi ajo që u ka ndodhur dhe shumë të tjerëve, që pas njëfarë kohe u mërzita duke rrëmuar mbi google. Tani e kam fare të qartë menynë e ditës, që në mëngjes:

images

Hap portalin e parë e ndeshem me germa kapitale: “Shpërthen gazetari i njohur…”. Shpërthe vëlla shpërthe. Bëhem kureshtar të di ç’ka thënë kolegu, meqenëse prej 25 vitesh edhe unë kam punuar në të njëjtin front. “Ca si i vonuar ky shoku yt”, më thotë një klient i rregullit i së njëjtit bar, me të cilin rastis të ndajmë biseda mbi aktualitetin. Epo… “shpërthim pasiv”, ia kthej unë me mëdyshje në duhet ta thosha diçka të tillë. Bashkëbiseduesi qesh dhe vazhdon të mos ia ndajë sytë ekranit të aparatit të tij.

Unë vazhdoj ritmin tim. Hap portalin tjetër. Shpërthen shkrimtari i njohur…” Po hë më i lumtë. Të shohim çfarë thotë! Se dhe për shkrimtaret interesohem hera-herës, meqenëse dhe një faqe zyrtare e Ministrisë së Kulturës më kategorizon te seria: shkrimtar. Ja dhe një thagmë nga kolegu shkrimtar. Idilin ma prish interferenca e ziles së celularit. “Ku je?” janë fjalët e para të një miku, i cili më merr çdo dy ditë në telefon, në të njëjtën orë. “Në Tiranë ia kthej, – rrugën e Italisë e anulova”. “Ore po të pyes çfarë po bën tani?” Po lexoj axhanset, – ia ktheva, – paska shpërthyer një shkrimtar… edhe një gazetar”. “Lëri ata se atë punë kanë, por eja ta kthejmë një gotë se kam marrë leje nja dy orë. Në 11.00 të pres te vendi…?” Shoh orën, ka kohë boll. Hap portalin e radhës: “Shpërthen aktori i njohur…” Edhe ky paska shpërthyer them me vete. Se këtu po shpërthejnë të gjithë. Do Zoti nuk na shpërthen lufta, ajo e treta për të cilën foli dhe Papa i Romës.

Dhe kështu vazhdon menuja e “shpërthimeve pasive” deri në vetëmohim. “Do ta thyej heshtjen, – marr një vendim të shpejtë. – Do të shpërthej dhe unë. Domethënë do reagoj një herë, pa decibelin e zhurmës e vendosin ekspertët”. 

Dhe sërish kërkoj në google. Është forcë zakoni tanimë, nuk ka asgjë të re. Veç në qoftë se vritet ndokush brenda unazës së Tiranës. Se me këtë punën e shpërthimeve portalet duket se po i ngjajnë aq shumë njëri-tjetrit sa vetëm emri te kreu u ndryshon. Tani s’di kujt t’i drejtohem për informim të saktë e të shpëtoj nga shpërthimet. Duken më të sigurta ato portale që kanë në prapavijë dhe një media tjetër: gazetë, revistë apo televizion. Të paktën ato kanë ca gazetarë që vazhdojnë t’u bien këmbët në terren, e të sjellin ndonjë lajm me më shumë se dy burime. Sepse portalet janë zaptuar nga gazetarë “dhome” që nuk firmosin asnjë shkrim, e nuk u njihet emri veç në Gjendje Civile. Askush nuk di se kush mban përgjegjësi për shkrimet përderisa asnjë prej portaleve nuk bën publik stafin që punon për të, emrin e administratorit, kryeredaktorit, adresën, etj. Ndaj dhe moda e copy-paste-it, që merr një citim prej faqes personale të një personazhi publik drejt medieve online, nga trend shpërthimesh shpejt do të përfundojë në shashka me silenciator.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top