Kurioziteti, vetia më e përhapur e më e gjallë e fëmijërisë dhe adoleshencës, së bashku me dyshimin, tharmën e çdo aktiviteti kritik dhe të kombinuar me fantazinë, janë motori dhe çelësi i vënies në punë të mendjes, të inteligjencës, për të zbuluar, njohur dhe krijuar dhe mbi të gjitha, për të krijuar dhe fuqizuar vetëdijen.
Kurioziteti e nxit fëmijën të njohë dhe zbulojë gjërat që e rrethojnë, e nxit fëmijën të flasë si mami.
Dyshimi e nxit fëmijën të verifikojë atë, që ka mësuar, që di dhe thotë, të përsërisë fjalën dhe veprimin, për t’u siguruar, që e di saktë, apo ka nevojë për përmirësim dhe korrigjim.
Fantazia është “magneti” që e tërheq fëmijën, adoleshentin, njeriun, në çdo kohë e në çdo moshë, drejt së panjohurës, dijes dhe të ardhmes.
Kombinim i këtyre tre elementëve, krijon procesin psikik të të menduarit dhe të vetëdijes, të aftësisë për të ndërthurur bashkë dhe vënë në veprim ato që njeriu di. Krijon mundësinë e përjetimit, të këtij procesi, që së bashku me elementin kohën, merr emrin rritje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.