Në fokus

April 14, 2018 | 11:51

10 këshilla se si të përballoni kthimin në bangat e dijes

Për të gjithë, prindër e fëmijë, kthimi në shkollë është gjithmonë një ngjarje e rëndësishme. Si të jetoni në mënyrë të çlirët, si të përballeni me një ankth të caktuar – në të dyja rastet – psikologjia e fëmijës duhet të jetë gjithmonë në qendër të çdo mendimi, në mënyrë që këshillat e nevojshme të favorizojnë rikthimin në shkollë pa trauma.

Nga bërja e detyrave gjatë verës, tek organizimi i materialit shkollor… ja se si t’i ndihmoni fëmijët ta përjetojnë pa trauma fillimin e shkollës…

  1. Bëni të mundur që fëmija ta fillojë shkollën i çlodhur. Gjatë pushimeve verore ai duhet të argëtohet, por edhe të bëjë detyrat që u kanë caktuar mësuesit. Prej vitesh në Shqipëri mësuesit e klasave fillore u këshillojnë nxënësve që gjatë verës të plotësojnë “Librin e Pushimeve”. Për nivelet e mësipërme ka libra me ushtrime, dhe gjithashtu mund të lexojnë letërsi për moshën e tyre. Gjatë ditëve të pushimeve, fëmija duhet të bashkojë detyrën me kënaqësinë, sepse pa dyshim, një nga burimet e frikës për fëmijën, mund të jetë fakti që do të shkojnë të papërgatitur në shkollë.
  2. Krijoni një situatë rehatie për fëmijën. Organizimi i materialit shkollor mund të jetë një pikënisje e shkëlqyer. Prindërit mund të kalojnë kohë me fëmijët e tyre edhe gjatë përgatitjes së çantës, blerjes së librave, materialeve kancelarike apo fletoreve.
  3. Edhe ta shoqëroni fëmijën në shkollë është një mënyrë që ta përballojë pa trauma rikthimin në klasë. Është mirë të qëndroni me të derisa të hyjë në klasë. Mos ia lini këtë detyrë gjyshërve apo dadove. Duhet të jeni korrektë në orarin e shkollës, madje duhet të shkoni më herët, në mënyrë që fëmija të ketë kohë të takohet e të bisedojë pak edhe me shokët e klasës.
  4. Ndihmojini fëmijët edhe në zgjedhjen e rrobave që do të veshin. Kjo gjë do t’i bëjë të ndihen më të sigurt.
  5. Prindërit duhet të evitojnë që ankthin e tyre t’ia transmetojnë fëmijëve. Shpesh janë prindërit që janë në ankth më shumë se sa fëmijët për rikthimin e tyre në shkollë.
  6. Bëni të mundur që fëmijët të shkojnë të përgatitur ditën e parë të shkollës. Kjo do të thotë që të ketë bërë detyrat gjatë verës, në mënyrë që të mos kenë frikë për përballjen me mësuesit.
  7. Informojini fëmijët për organizimin sa më të mirë në familje. Njësoj siç janë të organizuar mami e babi që të mësohen me rutinën e re dhe ritmin e ri, ashtu edhe fëmijët duhet të mësojnë të jenë të përgjegjshëm për çka ndodh rreth e qark tyre.
  8. Kujtojini fëmijës që kthimi në shkollë nuk do të thotë se do të heqin dorë nga aktivitetet sportive apo lojërat poshtë pallatit. Këto aktivitete duhet t’i zgjidhni së bashku me fëmijën, derisa ai të kryejë aktivitetin që i pëlqen atij dhe jo juve.
  9. Mos e mbingarkoni fëmijën me stimuj që përmbajnë shumë aktivitete e detyra të vështira.
  10. Mos e nënvlerësoni fëmijën tuaj, përsa i përket aftësive të tij. Duhet ta siguroni mbi faktin se do t’i mësojë shumë shpejt e do t’i rikthehet mësimeve sa hap e mbyll sytë, do t’i rikthehet memoria për mësimet e kaluara dhe do të kënaqet që ditët e shkollës do t’i ndajë bashkë me të tjerët.

Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top