Mirëqenie

June 5, 2018 | 15:19

Nga Lorela Garuli / Dija si informacion apo si edukim?      

“Më mirë të dish sesa të kesh”, një postulat i hershëm, i cili nxjerr në pah rëndësinë e paçmuar të dijes përballë të pasurit dhe zotërimit. Duke marrë parasysh që të dish në këtë rast është më mirë sesa posedimi i të gjitha të mirave materiale, automatikisht do të marrim të mirëqenë faktin se, dija nuk është veç informacion, por përkthehet në virtyt, vlerë e aftësi.

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Megjithatë, sa e vërtetë është kjo në një realitet social përherë e më të prirur nga virtualja, teknologjia, televizioni, trendet dhe moda? Në radhë të parë, është thelbësore të qartësohet se informacioni dhe dija janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

Informacioni mund të merret në rrugë të ndryshme të pafundme, sidomos nëpërmjet aksesit tëlirë që çdokush ka në internet. Ndërsa dija, kalon përtej kësaj. Kalon përtej të pasurit e një informacioni sipërfaqësor të përciptë, ka të bëjë me kultivimin e një mendësie dhe njohurish të caktuara që në fëmijëri.

Sipas kësaj pikëpamjeje, dija është baza për të ndërtuar një profesión, për të menaxhuar një konflikt, për t’u pozicionuar në një marrëdhënie, për të zgjidhur një problem për të marrë një vendim e me radhë. Siç duket pra, ka kaq shumë elementë që nuk merren dot thjesht as nga televizori, as nga media, as nga teknologjia. E sigurisht këtu hyn roli i protagonistëve njerëzorë, prindërit, familjarët, edukatorët, mësuesit e pedagogët, të gjithë ithtarët e dijes në njëfarë mënyre.

Në kohën kur është shumë e lehtë të marrësh informacione të caktuara (dhe fatmirësisht që është kështu), është shumë e rëndësishme që të rritet dhe roli i ndërveprimit social. Pra, për të shmangur perceptimet e gabuara apo informacionet e pasakta që mund të transmetohen lehtësisht te fëmijët, prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm e të vëmendshëm të shtojnë komunikimin me ta.

Do të ishte shumë më mirë që fëmijët të merrnin përgjigje për pyetjet e tyre të pafundme nga prindërit, në formë dialogu, sesa nga google apo televizioni. Natyrisht që, praktikisht është e pamundur t’i izolojmë fëmijët nga teknologjia dhe moria e informacioneve që marrin prej saj, por ajo që mund të bëhet shumë mirë është të shtohet komunikimi me ta. Kështu do të ekuilibrohej pak ky raport e do të zbehej efekti negativ i teknologjisë në rastet e keqinformimit.

A nuk do ishte më mirë t’i tregonim fëmijëve një përrallë në vend që t’i ulnim përpara një filmi vizatimor?!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top