Mirëqenie

May 11, 2018 | 12:31

Nga Lorela Garuli / Kur fëmija përjeton sëmundjen e nënës

Rrufe në qiell të hapur diagnoza e kancerit të gjirit. Mastektomi, kimioterapi, frikë, ankth, pasiguri për të ardhmen. E në mes të gjithë këtyre turbulencave psikologjike, qëndron dhe një shqetësim sfilitës: si t’ia bëjmë të ditur fëmijëve dhe si t’u ofrojmë atyre mbështetjen e duhur në këtë situatë?

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Të vegjlit janë akoma shumë të brishtë për të mbajtur në shpatullat e tyre një dhimbje të tillë, megjithatë dialogu dhe komunikimi është shumë i rëndësishëm. Sado e rëndë që është e vërteta, nuk u duhet fshehur fëmijëve. Sigurisht që mënyra sesi u bëhet e ditur sëmundja e nënës varet nga mosha, karakteri dhe niveli i ndërgjegjësimit të fëmijëve.

Në radhë të parë, duhet që fëmija të vihet në dijeni për situatën me fjalët e thjeshta dhe të duhura, sepse ka nevojë të dijë e të dëgjojë se çfarë po ndodh, për të kuptuar shkakun e vërtetë të gjendjes së nënës, duke mos lënë kështu dhe vend për keqkuptime, pasi shpeshherë fëmija duke mos ditur sesi qëndron puna, mund të fajësojë veten për atë çfarë po ndodh. Është shumë e rëndësishme që gjatë komunikimit me fëmijën për sëmundjen e nënës, të lihen hapësira për të përcjellë shpresë dhe pozitivitet. Ndërkohë që si rrjedhojë e sëmundjes dhe e kurave, nëna do të jetë më pak e pranishme në shtëpi, është thelbësor roli i figurave të tjera për fëmijën. Babai është personi kryesor mbi të cilin bie përgjegjësia, për të ruajtur ekuilibrat psikoemocionalë të fëmijës, të cilit i duhet të flasë, komunikojë e t’u përcjellë dashuri e siguri të vegjëlve. Zgjidhje tjetër shumë e mirë, është që dikush prej gjysheve/gjyshërve të vijë të jetojë për disa kohë në shtëpi bashkë me fëmijën, për të siguruar në këtë mënyrë një burim dashurie dhe mbështetjeje.

Fëmija nuk duhet të ndihet vetëm. T’i tregohet një përrallë përpara se të flejë, të nxitet të vizatojë për të shprehur ndjenjat, të ndihmohet të bëjë detyrat e shkollës, të mos lihet vetëm në kryerjen e rutinave të përditshme, të shoqërohet për në shkollë dhe në aktivitete të tjera që ai ndjek, deri dhe tek blerja e një kafshe të vogël shtëpiake për ta pasur si shok loje. Nuk duhet harruar që pas një nëne të sëmurë me sëmundje terminale, qëndron një familje në vështirësi. Për këtë arsye, solidarizimi dhe mbështetja edhe prej gjyshërve e të afërmve të tjerë, është shumë ndihmuese.

Mes dhimbjes, humbjes, ankthit, largimit e mungesës së nënës, gjëja e mirë për t’u bërë është t’u përcjellim atyre shumë dashuri, t’u ngjallim besim e t’u tregojmë se jemi të pranishëm aty, me ta.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top