Pika referimi

May 7, 2018 | 8:45

Nga Orjona Tresa: Gruaja e ditëve të mia, një ambulante e “padukshme”

“Të ushqej familjen”… kryefjala e një gruaje

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Është një grua që si shumë ambulantë të tjerë ka zgjedhur ta nxjerrë bukën e gojës me të ardhurat që mbledh nga shitja e paketave të cigareve, apo dhe të diçkaje më tepër, aq sa mund të mbajë në tezgën e saj të vogël.

“Është shtrënguar kohët e fundit, – më thotë. – Tregtia ka rënë. Por tek e fundit e ka të mirën e vet dhe kjo punë. Nuk të lë pa bukë. Se në fund të fundit është tregti, edhe pse në kushte të tilla”.

Ky refren më është kujtuar kohë pas kohe, sa herë jam ndalur në tezgën e saj të vogël, për të blerë diçka po aq të vogël, mëngjeseve kur shkoj për në punë time, pika e kontaktit që më lidh me pjesën tjetër të angazhimit ditor.

Shitësja ambulante qëndron në të njëjtin vend çdo ditë, ndonjëherë e pashfaqur, ose thënë troç e fshehur cepave të një pallati, për shkak të qarkullimit të policëve bashkiakë.

Është një mesogrua, të themi 45 vjeç. Ndoshta dhe më e re se kaq. Por mungesa treguese e nevojave jetike e bëjnë të duket disa vite më shumë. Të paktën 55 vjeç. E shkurtër, fytyrë rrumbullake, me flokët ngjyre lajthie e onde të çrregullta. Të bien në sy dhëmbët e rrallë, të shkulur e të pavënë, sepse sigurisht protezat kushtojnë shumë më tepër nga sa ajo mund të nxjerrë nga tezga e saj e cigareve. Më duhet të them se me keqardhje kjo pamje më diktoi në prezantim e më bëri të ndihem jo fort mirë.

foto-ilustruese

Foto ilustruese

Profesioni, i cili bashkë me pjesën njerëzore më udhëheq, më bën ta pyes çdo herë ndalem në tezgën e saj për diçka të re, njohëse më shumë për të, edhe pse nuk do ta mendoja se ndonjë ditë do të bëhej pjesë e rreshtave të mi të përshkrimit.

Është e sjellshme, e dashur dhe gjithnjë mirënjohëse, edhe nëse ti ndal për të marrë qoftë një çamçakëz. Si është kjo punë? Sa më i vogël, aq më njerëzor. Sa më shumë para të ketë njeriu aq më shumë shkëputet nga realiteti, nga jeta e përditshme. Po pse vallë duhet t’i gjejmë këta njerëz këtu dhe jo ca më lart se kaq, aty ku formimi akademik, diplomat e masterat mbushin jetëshkrimet, por që mbeten thjesht një fasadë pasi etika është e zhbërë. 

Ka vite që del në të njëjtin vend. Ka një kuti kartoni ku në mënyrë simetrike ka renditur gjithçka shet. Me to mban familjen. Ka aty paketa cigaresh, nga më të lirat deri te prodhimet më me emër. Ka dhe nga ato që kontrabandë futen nën dorë për të ‘shpërblyer’ me pak lekë xhepat e fatkeqëve që fati i ka sjellë të tregtojnë në rrugë. Me paketë apo cigare të hapura për të nuk ka problem, mjafton të kënaqë klientin, sepse ai do të kalojë prapë e duhet ta mbajë mend. Sepse në një ndalje të dytë do të bëjë të njëjtin shpenzim. Dhe në ndaljen e tretë me siguri do ta ketë fituar si klient të përhershëm.

“Jam e kënaqur” më thotë L, sa herë e pyes se si i kanë shkuar gjërat. Asnjëherë nuk mërzitet të më kthejë përgjigje apo të ndajë mërzinë e saj me mua. Ka takt dhe thotë njëmijë herë faleminderit nëse ti nuk kursehesh, por shpenzon diçka aty dhe kthehesh herë pas here. Është e vëmendshme. Nuk i shket syrit të saj. Me sjelljen di të bëjë dhe ndere. Me aq sa mundet, kuptohet.

Është e martuar me dy fëmijë. Dikur ka punuar në një ndërmarrje të madhe prodhimi, por siç e solli koha, përveç ‘mbytjes’ dhe infeksioneve nga kimikatet, mbeti dhe e papunë. Në fillim e kishte të vështirë përballjen me rrugën në këtë formë, por mbijetesa, dhe për më tepër ushqyerja e shkollimi i dy fëmijëve, nuk ia bënë të rëndë zgjedhjen. Prej kohësh tregu ishte mbushur me ambulantë të tillë dhe të fitoje bukën e gojës me djersë, nuk mund të ishte një turp.

Bashkëshorti i saj është i pamundur fizikisht, megjithëse edhe ai një punë të rëndomtë bën. Në mundësitë e tyre nuk ka vend për teka.

Ajo që më pëlqen më shumë te kjo grua është buzëqeshja. Gjithnjë të jep pamjen e një njeriu të lumtur kur sheh t’i afrohet dikush, e sjellshme, e kënaqur për një ditë që ndoshta mund të mos jetë si gjithë të tjerat.

“Ka ditë kur nuk shes fare, por nuk mërzitem. Kështu e ka kjo punë. Një ditë mirë e një ditë keq. Nuk duhet të qahemi nga fati, Zoti është i madh”.

Ky besim në vetvete i jep siguri, e po kaq të ngarkon pozitivisht nëse i dëgjon këto fjalë nga një grua si ajo. Një energji që thellë çdokush duhet ta kërkojë te vetja, për të besuar në forcat që ka, shpirtin, dhe të luftojë mbi të pamundurën që ta bëjë të mundur.

Nëse një njeri ‘i vogël’ si L. të jep kaq motiv, pse jo mos ndalemi në reflektime të tilla pas emocioneve të vështira që marrim në punë apo nga njerëz me energji negative që të rrëmbejnë ashtu kot fare ditën. 

E kam njërin nga shembujt e ditëve të mia. Ka plot të ngjashëm që rruga më kthen për të marrë dhe për të dhënë pozitivitet. Ato janë aty, kur ne i shohim, kur nuk i shohim, e për më tepër kur bëjmë sikur nuk i shohim. Ato janë aty, dhe kjo është ajo për çka kemi nevojë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top