Editorial

October 6, 2018 | 8:10

Nga Orjona Tresa / Humanizmi, baras me dashuri

Nëse fal dashuri, nuk ke humbur asgjë, përveçse je duke mbushur shpirtin tënd me po të njëjtën ndjenjë. Është kjo arsyeja që shumë njerëz zgjedhin ta transmetojnë dashurinë duke bërë humanizma të ndryshme, punë vullnetare, bamirësi, të cilat, megjithëse nuk paguhen me para të thata në dorë, thonë se shpërblehen me po të njëjtën vlerë, të barasvlershme me: dashuri. E parë në këtë këndvështrim, padyshim që dashurisë nuk i vë dot çmim askush. Madje dhe njësia matëse mungon.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Ndjesia që merr kur ndihmon dikë ka të bëjë me kënaqësinë që përfton, e kjo shndërrohet gjithaq në burim energjie dhe motivimi për të ecur përpara në rrugëtimin tënd. Profesionin tim e kam nisur me shumë pasion, në një rrugë që kish fort pengesa. Jam përballur me sfidat, e kjo më ka bërë të fortë. Mes tyre, realiteti më çonte në situata a ngjarje jo fort të këndshme. Vetëofrimi vinte si një ngacmim i brendshëm, i cili më shtynte ta ndaja atë që ishte e imja dhe me të tjerë. Sot po e shkruaj atë që brenda meje ka qëndruar gjatë. E bëj këtë pasi duhet, jo ndaj asaj që më takon mua, por si një mesazh për të tjerë.

Lodhemi shumë duke gjykuar të tashmen, si pamundësi për të nesërmen. Fajësojmë kohën, vendin, njerëzit, rrethanat, gjithçka që na bën të vuajmë e të mos kënaqemi më shumë se e shkuara. Por e gjitha kjo është veç një justifikim i madh, një gënjeshtër që e bëjmë në dëm të vetes, por që çuditërisht na duket gjithaq në favor të saj. Në fakt nga duhet t’ia nisim? Duke vlerësuar atë që na është dhënë! Jetën për së pari. A nuk duhet nisur nga këtu?!

Në gazetarinë sociale, atë që kam lëvruar për shumë vite, e që më mban fort lidhur edhe sot, kam ndjekur mjaft raste në nevojë. I përkisnin asaj kategorie, gjë e cila sot në Shqipëri është shndërruar në një kauzë të fortë, ndjekur me humanizmin njohës si bamirësia. Fëmijë të braktisur në jetimore, me aftësi ndryshe, familje në skamje, njerëz të pafuqishëm spitaleve, e plot raste që të bëjnë të reflektosh në të qindtën e sekondës për jetën. Asnjëherë nuk e kam gjykuar se duhet të tregohem e ftohtë, të shmangem e të largohem. Përkundrazi, kam arsyetuar duke e vënë veten në vendin e këtyre njerëzve. Kam zgjedhur me mundësitë e mia ta ndaj në gjysmë atë që kam, kam zgjedhur të jap, të dhuroj me gjithë shpirt një pjesëz sado ndihmuese për atë që përballë meje është më i dobët. Më mbyt angështimi kur dikush që të shfaqet para dhe ka nevojë, të mos mundesh t’i ofrosh sadopak.

Ndonjëherë kam dyzime me veten kur përballë kam njerëz që dinë mirë të shtiren. Por zemra të bën ta diktosh atë që shpreson diçka nga ty, e ti e ndan të bardhën nga e zeza nëpërmjet vështrimit nga sytë e tjetrit. Nuk ka lumturi më të madhe kur sytë shpresues i gëzohen asaj që ndan bashkë me të. Ky parim më ka ndjekur përgjatë gjithë jetës. Nuk ka qenë e nevojshme ta bëja publike më parë se kaq. Ndoshta nuk është e nevojshme ta bëj publike as sot. Por një kauzë ka nevojë për mbështetje, fjalë të thëna në eter, por dhe fjalë të mbetura në letër.

“Nëse nuk bën dot mirë, të paktën mos bëj keq”. Kjo është një shprehi që edhe pas kaq vitesh kur jam bërë grua e nënë, ime më ma kujton vazhdimisht si një thënie të domosdoshme për ecurinë në jetë. Modeli i të parëve të mi ma ka shëndoshur më shumë virtytin e humanizmit. Por mesa duket, kur i kalon dhe ca etapa apo vite mbi supe, ndërgjegjja shtresëzohet tek ti dhe shndërrohet në një nevojë pa të cilën nuk bën dot. 

Unë nuk bëj dot pa këtë cilësi, virtyt, një vlerë qenësore do ta quaja, që më thërret çdo kohë, duke më treguar rrugën e shpresës për të tjerë. E në këtë jetë, të cilën nuk e jetojmë asnjëherë vetëm, vëmendjen duhet ta kthejmë pikësëpari ndaj më të afërmve tanë, janë të parët që kanë nevojë për ne, e syri mandej mund të shohë edhe më larg se kaq për të ofruar mbështetje.

Dhe nuk ka shpërblim më të madh për jetën se sa të ndjekësh udhën e virtyteve të mira. Është jo thjesht një akt sublim, por mbi të gjitha mirëqenie shpirtërore, të cilën ashtu siç e gjen te natyra, e zbulon në ripërtëritjen e vetes sa herë që e bën një veprim human a bamirësie.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top