Editorial

July 10, 2020 | 8:05

Nga Orjona TRESA / Jepi vlerë profesionit!

Një muaj i mbarë për të gjithë ju, ju që i lexoni këto rreshta jo si një nevojë për të kapërcyer fletët, por si një kërkesë për t’u ballafaquar më shumë me atë çka ne trajtojmë çdo numër të ri të revistës “Psikologjia”. Më së shumti, mbi atë çfarë kemi menduar t’ju përcjellim si mesazh reflektimi apo nxitjeje mes shkrimeve tona. Natyrisht që për gjithë këtë punë, bashkëpunimi bëhet i frytshëm kur specialistë të fushës i bashkohen këtij terreni, që është pa dyshim i vështirë.

orjonaShumë, për aq kohë sa në “betejë” ka shumë “gladiatorë” që mundohen e përpiqen që të kapin një hapësirë që do këllqe për t’u realizuar. Do kohë, shumë kohë, do profesionistë, të cilët t’ju them të drejtën, është shumë e vështirë t’i gjesh. Dhe nëse i gjen Ata të mirët, angazhimet i kanë kaq të mëdha sa koha e tyre për t’u ndarë me tonën është si një pikë uji në oqean. E megjithatë, jo se nuk ka dhe të tjerë si Ata, se çdo vit diplomohen me qindra, por se ajo diplomë në një pjesë të rasteve sipas meje, qan në një kornizë etazheri a murale, ku Ata, duke u rrekur, e gjejnë shpëtimin ashtu të gatshëm diku tjetër. Dhe kjo na bën të ndihemi me faj.

Natyrisht që në çdo fushë ka sfida profesionale, terreni, gjinish e grupmoshash, që, nga miklimi për të qenë të parët, harrojnë sfidën bazë, atë të të qenit profesionist i vërtetë. Dhe në gjurmët e një mishmashi që të ngatërron vazhdimisht, siç mund të jetë interneti, puna më e shkurtër i bën fitimtarë. Por gjella me kripë dhe kripa me karar. Çdokush ka nevojë për mend, por duke vënë në punë dhe mendjen e tij për të ofruar mendimin e vet.

Jo pa qëllim jam ndalur në këtë kontekst të opinionit tim, pa dashur të fyej kërkënd apo të nëpërkëmb profilin e dikujt që mund të preket mes rreshtave, por, dua t’u ngacmoj ambicien atyre që zgjidhjen e marrin të gatshme, t’u kërkoj të punojnë më shumë për profilin që kanë zgjedhur, për të qenë fitimtarë kurajozë dhe këmbëngulës për veten.

U ndala tek terreni i psikologjisë, (pavarësisht dashamirësisë bashkëpunuese me të gjithë ata që na shkruajnë dhe u botojmë shkrimet) se kjo fushë shpesh rend në shkrime të kopjuara apo plagjiaturë, ku studimi i një kolegu merr pa të keq emrin e tyre, ku si pa të keq fare, sy për sy të bëjnë lolo, kërkojnë të marrin meritën e një gjëje që as u shkon për shtat ta udhëheqin.

Sinqeriteti në profesion është si puna e çorbës që e ke bërë nga halli se nuk të jepet fare, dhe përfundimi është ajo shija që nuk ta pranon fyti, dhe supa përfundon në kosh të hedhurinave. Që t’i japësh vlerë punës, profesionit, profilit që ke zgjedhur të bësh, do shumë punë, përkushtim, e natyrisht shumë dashuri. Kjo të bën të zgjedhur dhe ta meritosh me dinjitet vendin që meriton.

Syresh na kalojnë shkrime nga autorë që kemi zgjedhur të bashkëpunojmë, jo të gjithëve mund t’u biem në qafë për punën që bëjnë. Janë nga Ata që e kanë një titull para, Dr., Msc., Prof… e nuk na lejohet të ndërhyjmë kësisoj, por për sa kohë do të ketë plagjiaturë, ndëshkimi edhe për ta do të jetë një formë e prerë e bashkëpunimeve tona.

Në dhjetë vite pranë redaksisë së revistës “Psikologjia”, bashkë me mua dhe kolegë më të vjetër, pretendojmë se jemi autodidaktë mesatarë të fushës. Lexojmë e përkthejmë vazhdimisht autorë të huaj, profesionistë të shkencave sociale e jo vetëm. Kjo shqisë na ndihmon t’i shquajmë rastet që përmenda më sipër. Natyrisht ka dhe nga ata që na kalojnë nën hundë. Por a ka më ndërgjegje në vetë profilin e atyre që punën e tjetrit ta shesin për të vetën? A mund të konsiderohet kjo farsë një meritë? A mund ta quash më veten profesionist?

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top