FB

October 6, 2026 | 11:30

Pediatrja Lira Gjika: Prindër, mësojini fëmijët të përdorin thikën dhe pirunin që në moshë të vogël!

Përdorimi i thikës dhe pirunit gjatë ushqyerjes nuk është vetëm një mënyrë për të mësuar fëmijët me rregullat e tavolinës, por mund të shërbejë edhe si një ushtrim për zhvillimin e aftësive psikomotorike.

femije-tryeze

Kështu shprehet pediatrja e njohur Lira Gjika, e cila u drejtohet prindërve me një këshillë për t’i nxitur fëmijët që në moshë të hershme të përdorin mjetet e ngrënies.

“Prindër! Nxitini fëmijët tuaj që gjatë ushqyerjes të përdorin pirunin dhe thikën. Nuk ka ushtrim psikomotor më të mirë sesa përdorimi i kombinuar i thikës dhe pirunit”, shprehet Gjika. Sipas pediatres, mësimi i përdorimit të thikës lidhet gjithashtu me edukimin e fëmijës dhe mënyrën se si ai e percepton këtë mjet.

“Gjithashtu, nuk ka ‘ushtrim’ edukativ më të mirë për t’i mësuar fëmijës që thika është mjet për të ngrënë dhe jo armë”, thekson ajo.

Gjika sugjeron që njohja me thikën të nisë që në muajt e parë të ushqyerjes me ushqime të ngurta. Sipas saj, përdorimi i saj mund të fillojë që rreth moshës 9-muajshe. Edhe nëse fëmija ende nuk është në gjendje ta përdorë vetë, pediatrja këshillon që thika t’i vendoset pranë lugës dhe pirunit gjatë vakteve.

“Kur fëmija ushqehet, pavarësisht se ende nuk e përdor, thika i vendoset së bashku me lugën dhe pirunin”, shprehet ajo.

Pediatrja u bën apel prindërve të mos udhëhiqen nga frika dhe të mos e shohin thikën vetëm si një mjet që mund të shkaktojë dëmtime. Sipas saj, njohja e hershme dhe përdorimi i kontrolluar i mjeteve të ngrënies janë pjesë e procesit të edukimit të fëmijës.

“Prindër, mos u trembni. Fëmija nuk do ta përdorë keq atë dhe nuk do t’i ndodhë asgjë e keqe. Që fëmija mund të pritet apo t’i bëjë dëm dikujt, kjo është vetëm në fantazinë e të rriturve, por jo në praktikën e fëmijëve”, përfundon Lira Gjika.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top