Editorial

April 10, 2024 | 7:08

Nga Orjona Tresa: Kur realiteti është më i frikshëm se ai brenda një formati kuti!

 

Big Brotherin e kemi jashtë. Ai brenda është një pikë uji në oqeanin e jetës së përditshme shqiptare. Ndaj mos ju bëjë përshtypje se një debat, sharje, fyerje apo mallkim nga ata brenda bën diferencën e madhe. Ne shtypemi përditë jashtë, nga vetë ne të ngjashmit. Pa mëshirë dhe me negativitet. Thyhemi, përbuzemi, na ngrihen kurthe dhe na abuzojnë me pa të drejtë. Ndaj ky reality nuk ka se si të jetë ndryshe.

orjona

Kemi harruar çfarë është njerëzorja. Në përditshmëri njerëzit kanë probleme me etikën. Mirësjellja duket tabu ndërsa të falenderuarit utopi. E has këtë në  gjithfarëlloj kontaktesh njerëzore. Ti shkon të marrësh një shërbim dhe personeli, operatori apo ndihmësi të sheh si kavjen e radhës, jo klientin për të cilin duhet të jetë korrekt, përtej të qenit i komunikueshëm dhe bindës, që nuk është. Dhe të mendosh që është veç një teknik rrogëtar e jo CEO i kompanisë.

Cilësia e jetës në Shqipëri po bie në mënyrë të rëndomtë. Perceptimi është një vrasje që i bëhet qenies prej mishi dhe prej gjaku. Nuk ndodh nga pakujdesia, as nga injoranca, por po ndodh nga keqdashësia. Është tejet i dukshëm ky tipar, fatkeqësisht mes atyre pak njerëzve që kanë mbetur të saktë. Dhe ata, i përkasin një moshe pak mbi mesataren dhe pjesa tjetër të moshuar. Kjo do të thotë që brezi i ri është shumë më i paedukuar e problematik. Një bjerrje që po na thyen çdo ditë e më shumë, dhe kur ndër nesh që deri dje thoshim: “nuk e lëmë vendin tonë, do bëhet më mirë”, sot po i shtyjmë me zor fëmijët të mos na humbasin në shtresat e sekretimit të pamëshirshëm të një llumnaje që po na përpin. Ndaj emigracioni rritet, dhe vendi ka më pak banorë se dje.

Më vjen shumë keq që në këto rreshta frymëmarrja më shtypet nga emocionet e pafuqisë për të ndryshuar gjendjen. Me parimin “nga vetja japim shembullin” nuk po i hyn më kujt në punë. Në shoqëri duket se lufta për ekzistencë, po bëhet e pamëshirshme. Ndërsa Ju përqendroheni tek një spektakël i mbyllur dhe monitoruar nga 100 kamera. E çfarë prisni, që nga epiqendra e lojës të transmetohen mesazhe edukative? Ndoshta këto fjalë janë “të pamëshirshme” për një artikull, një qëndrim apo një hapësirë kur trajta e revistës e do të ndash emocione që ngrenë lart pozitivitetin. Por jo. Familja shqiptare është në krizë. Po shkërmoqet. Ajo që themi se ka peshën më të madhe të përgjegjësisë.

Ajo që edukon në qelizë njeriun e të ardhmes. Në Shqipëri trumbetimi i së keqes po vjen në gjithfarë formash, modelesh. Disa thonë se dhe në botë ka nga këto ngjarje. Padyshim, andej i kemi importuar. Por në raport me numrin e popullsisë tek ne humbja e identitetit është edhe më alarmuese.

Tik Toku po rrëmben jetën e të pafajshmëve, të parriturve, krimi brenda familjes me pafund arsye i merr jetën lidhjes së gjakut, një nënë e braktisur i jep fund jetës së një foshnjeje që sapo ka ardhur në jetë duke e braktisur në errësirë… një operator i thjeshtë telefonie të përfshin në një kontratë ligjore interesi, edhe pse nuk e ka firmën tënde. Dhe këtë nuk e bën thjesht ballazi, por pa u paraqitur fare. Dhe ti je i detyruar të paguash, sepse demek: je futur në sistem”. Në fakt ne na kanë futur në sistem. Të gjithëve si shoqëri.

Askush nuk ka një komunikim apo një përgjegjësi për sjelljen. Fatkeqësisht përplasemi mes nesh. Mos u çudisni kur të rrëzohemi të gjithë. Ky vend, vendi ynë, ka nevojë për mëshirë, atë qielloren. Në duhet një Papë, një Hoxhë a një Peshkop, të ngrihet dikush dhe të lutet që të na ndodhë një kthesë e madhe. Kthesën njerëzore, humanen të njerëzve, e cila në Shqipëri po humbet.

Ndaj, për t’iu rikthyer nisjes së këtij shkrimi, pavarësisht se një eksperiment televiziv ju ka çoroditur parimet tuaja, mos u çuditni dhe aq se ai nuk është asgjë nga e keqja që qëndron jashtë atyre mureve. Jeta e vërtetë është e përbindshme dhe duket se askush më nuk ka forcë ta ndalë. Ah, vetëm nëse arrin inteligjenca artificiale ta bëjë. Gjithmonë, nëse…

Sepse edhe ajo është krijuar për të bërë të tjera gjëra. Se nuk është çudi që ajo, siç thonë ekspertët, mund të na shuajë fare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top