Editorial

January 31, 2020 | 8:20

Nga Orjona TRESA / Liria jonë…

Është një fjalë që mund të kërkojë njëmijë forma leksikore bërë bashkë, për t’i dhënë kuptimin që meriton. E megjithatë po e njëjta fjalë, duke i hequr njëmijë format alternative të leksikut, mbetet po ajo që mbart mbi vete të gjithë dimensionin e saj të jashtëzakonshëm. Sepse është vetë fjala dhe veprimi në tërësinë e tij, ajo që dikton njeriun për të bërë zgjedhjet e në jetë. Dhe mbi të gjitha është domosdoshmëri.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Sot nuk jemi të pushtuar nga çizmja e ushtarëve të fashos, as nga ushtria naziste dhe për më tepër nga jeniçerët e Portës së Lartë që na mbajnë nën hyqëm për 500 vjet me radhë. Pra sot jemi të lirë. Por gjithsesi, atëherë dhe tani, në kohë të ndryshme e me pushtime të ndryshme, kjo përcakton vetëm një dimension të lirisë. Sepse edhe pse pas largimit të ushtrive të huaja, sërish mbetesh peng si popull apo thjesht si një qenie njerëzore, kësaj radhe i njësive të specializuara dhe vetë paramilitarëve të vendit ku jeton, pra të të njëjtës gjuhë. E përkundër kësaj, që të gjithë pa dallim, madhorët e fuqive të mëdha dhe drejtuesit e vet vendit, propagandojnë të njëjtën bazë: U kemi sjellë lirinë! Në fakt nuk është kështu.

Liria… në shpjegimin gjuhësor, akademik apo enciklopedik nëse doni, është: të mos kufizohesh, mos kesh pengesa, të mos shtypesh, përdhosesh e denigrohesh nga gjykimet, smira, mospëlqimi i dikujt që nxitet nga egoja e paudhësia, inferioriteti a lakmia. Pa dyshim, LIRIA një fjalë që e përdorim me lehtësi sa herë që flasim për tema të shumëfishta, por që megjithatë është shumë më komplekse se sa mund të duket.

Por çfarë është liria? A duhet me të vërtetë ta kërkojmë në botën fizike ku jetojmë? A jemi më të lirë nëse jetojmë në një zonë të planetit dhe jo në një tjetër?

Liria i ka rrënjët në mendjen, në emocionet, në zemrën e në thellësinë e shpirtit tonë, pra në gjithë qenien tonë. Është ndërgjegjja jonë krejtësisht e lirë nga zinxhirët, gjëja që kondicionon mendimet tona dhe mënyrën se si e shohim dhe e kuptojmë botën. Dhe ky është një nga përkufizimet më të mira për lirinë mes dhjetëra e qindra të tjerësh që qarkullojnë në formë frazash e postulatesh.

“Zinxhirët e skllavërisë bllokojnë vetëm duart, është mendja që e bën një njeri të lirë ose skllav”, shkruan poeti kombëtar austriak, Franz Grillparzer. Mirëpo e keqja jonë është se ne e autosugjestionojmë veten, e censurojmë, ia kufizojmë lirinë. Do të thonim se sot jemi të gjithë të aftë për të krijuar burgun tonë, dhe për këtë arsye, është indiferente se ku jetojmë. Kjo do të thotë se, edhe nëse lindim në vendin më liberal në botë, mund të krijojmë zinxhirë të tillë të fortë me përdorimin e thjeshtë të mendjes dhe zemrës sonë, se kurrë nuk do të na lirojnë këmbët dhe gjoksin tonë.

Jemi vetë ne tiranët e lirisë tonë. Kur në fakt duhet të bëjmë të kundërtën, të luftojmë deri në fund që ashtu siç hoqëm zinxhirët e skllavërisë, ashtu siç luftuam kundër një pushtuesi shfrytëzues, duhet të vazhdojmë luftën për ta hapur mendjen tonë edhe më shumë se kaq. Vetëm atëherë mund ta shijojmë lirinë tonë.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top