Editorial

January 10, 2019 | 8:15

Nga Orjona Tresa / Lumturia gjendet te gjërat e vogla

Nga Orjona Tresa, gazetare

 

Lumturia gjendet te gjërat e vogla. Kjo sentencë e përsëritur shpesh e më shpesh në fakt na ndihmon të rimarrim veten. Sepse nuk duhet të të bjerë medoemos një lotari prej dy milionë dollarësh që të jesh i lumtur. Madje paratë mund të të sjellin stres dhe probleme të paparashikuara. Ndërsa Arçibald Kronini, ky shkrimtar i madh britanik i fillimviteve 1900, te romani “Vitet e Rinisë” shkruan, se paratë nuk ishin gjithçka dhe si për kundërpeshë të kësaj shprehje po i njëjti personazh i romanit, Robert Shehon, shprehet se lumturinë e kishte gjetur tek një palë patina të vjetra me të cilat rrëshqiste mbi akull.

Pra, lumturia gjendet te gjërat e vogla. Por a mjafton vetëm kjo? Natyrisht që po. Asnjëherë nuk duhet ta kërkojmë lumturinë në diçka më të madhe, që përgjithësisht lidhet me materien. Jeta sot është shndërruar në një rutinë ku nuk dëgjon tjetër veç ankesa, vështirësi, papunësi, varfëri e plot situata të tjera kësisoj që duket sikur nuk kanë fund. Ndërsa rrëmbehesh nga destini i kujtdo takon nga afër, kjo situatë të plogështon e të bën të marrësh me vete energji negative.

Vetëm kur mbetesh me veten e kupton se sa forca ke humbur në një përpjekje të pakuptimtë për të rikuperuar fatet e trishta të të tjerëve, e për këtë shkak dhe dita jote ka shkuar në djall. Por, teksa kësi ndjesish të çojnë në përjetime aspak të dëshirueshme, nuk të mbetet tjetër veçse të marrësh në dorë fatin e vetes tënde e ta shëtisësh diku në një hapësirë ku askush nuk mund të t’i vjedhë emocionet.

Mos u shqetësoni për këtë. Gjithkush mund ta bëjë një gjë të tillë pa fare shpenzime. Të duhet veç një pushim i shkurtër i ndërmjetëm, një ndalesë për një kafe meditative, një takim rastësor me një mik a mikeshë të vjetër, një telefonatë përshëndetëse që mund ta dërgosh me bujari diku apo ajo të vjen pas nga një i dashur i familjes. 

Ndodh që adrenalinën ta marrësh pikërisht pas kësaj sjelljeje spontane, e cila bëhet burim mirëqenieje edhe për ata që ndajnë kohën me ty. Vendos për veten kohën më të mirë për të gjetur qetësinë, programoje ditën tënde, beso në forcat e tua dhe mbi të gjitha, reflekto dhe medito për atë që ka vërtetë vlerë e prej nga ku mund të prodhosh vlera.

Por ka dhe më shumë se kaq. Gjithmonë pa shpenzime. Por gjithsesi i lumtur. Është një mendim i hedhur aty shpejt mbi bllokun e punës, që ndërkohë të ka bërë të reflektosh mes shënimit veten tënde, e plot situatave të tilla që nuk kanë fund. Janë këto çastet që nuk ta lënë kurrë bosh zemrën. Ato falin veç lumturi, të shtyjnë para për të qenë më i motivuar. E përse duhen patjetër një, dy apo dhjetë milion dollarë për të cilat mendon vazhdimisht se do të të sjellin buzëqeshjen që të është zhdukur nga fytyra.

Lumturia gjendet te gjërat e vogla. Mos e harro këtë!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top