Është e përditshmja. E jona. Reflektim sjelljesh me nota negativiteti. Edhe më keq se kaq. Presion, frikë, traumë, dhunë, humbje jete. Një territor problemesh që varion nga një mjedis në tjetrin, familje, punë, shoqëri…
Nga Orjona Tresa, gazetare
Kompleksitet ndjenjash, që agravojnë në raporte të vështira, raporte të dyshimta, deri me rrezik për jetën. Çfarë e krijon këtë mjedis të vrazhdë, çfarë e ngarkon kaq shumë? Padyshim dashuria, mungesa e saj vret. Mungesa e dashurisë e tjetërson individin, e than emocionalisht. Përshtypja krijohet besoj nga përditshmëria e gjithsecilit. Njerëz që refuzojnë të hapen, njerëz që kanë frikë të jenë të vërtetë, njerëz që tërhiqen mbrapsht nga ndryshimi që sjell një fjalë e mirë. Njerëz që nuk duan t’ua bësh qejfin, që nuk u pëlqen një ndryshim i yti, që mbyten me lotët e fshehur nga suksesi yt, që nuk duan të dëgjojnë asgjë nga ty por vetëm të çlirohen pas teje për të të shëmtuar ty.
Mjedis mbytës. Ajri nuk bart vetëm grimcat kancerogjene, por edhe ca më tepër se kaq. Është pesha që i bën disa njerëz të mos ndjehen mirë me veten në sytë e tjetrit. Papranueshmëri. Ngacmim ndjesor që së brendshmi reflekton errësirë. Lodhje. Habitat i parehatshëm. Sot është problem i madh të jesh i mirësjellshëm. Përgjigjja shoqëruese transmeton vakësi, ose asfare reagim. Një gojë që kyçet sepse nuk do të japë përgjigjen e mirë. Zemra dikton sjelljen, ajo reflekton mungesën e dashurisë. Mungesa e dashurisë e vret të mirën! Individualizmi provokon vështirësitë. Po pse, vetëm për kaq? Kjo ndjenjë egoiste nuk mund ta shtypë apo vrasë shpirtin. Kaq e vështirë është ta diktojmë? Nëse nuk e hapim veten për dashuri po. Sepse vetëm dashuria mund të përmbysë gjithçka. Për mirë apo për keq, prapë ne e kemi të dorë. Nëse jeta do të na ishte dhënë me kalendarë të rinovueshëm, edhe mund të bënim manovrime. Por jo. Ajo është një dhe e vetme, dhe nuk ka pse dëmtohet nga fragmente periodike kohore.
Urrejtja të dëmton ty! Largoji frikërat, ato e shtojnë urrejtjen! Bëje jetën tënde më të mirë! Mendo me dashuri! Fal dashuri! Shpirti juaj do të zbukurohet. Do ta bëjë këtë edhe për ata që ndajnë jetën me ty, të tjerë e të tjerë gjithashtu në rrugëtimin tënd jetësor.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.176, muaji Shkurt
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.