Editorial

March 6, 2020 | 8:10

Nga Orjona TRESA / Në marsin e nënave… dhe të babait

A mjafton dashuria për nënën? Pa dyshim: kurrë! Nëna është ajo strehë, të cilës gjithmonë ia kemi nevojën, se vetëm aty mund të strukemi, të sigurohemi e të marrim plot stimuj për të mirën tonë të vazhdueshme. Si dikur të vegjël, edhe kur rritemi, priremi të dëgjojmë për çdo gjë fjalën e saj. Dhe natyrisht, në herë të herëve, ajo mbetet si një busull shpëtimi për ne. Ku ka nënë ka jetë!

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Dhe ndoshta, vetëm ajo arrin t’ia dalë për çdo herë, të na bëjë të tejkalojmë pasiguritë tona, duke na dhënë ashtu, verbërisht, mbështetjen me gjithçka mundet. Vetë fjala e saj na shoqëron gjithë jetës si një këshilltar që qëndron i gatshëm në paradhomë. Edhe pse sot jam prind vet, nënë e dy fëmijëve, sërish, me po të njëjtat shqisa rend çdo ditë. E dua fjalën e nënës time, këshillën e saj, një mendim, qoftë dhe më të thjeshtin a të përsëriturin edhe dhjetëra herë. Dhe kjo këshillë mbetet sërish po aq e vyer sa herën e parë.

Thonë se dy moshë me diferencë njëzet apo tridhjetëvjeçare, nuk përputhen kurrë me njëra-tjetrën. Kjo duket si një e vërtetë e pamohueshme. Megjithatë, nënë e bijë, që janë dy nëna njëkohësisht, dalin mbi tabunë e një sentence praktike më shumë se filozofia vetë. Është fjala e nënës ajo që të dikton, të mëson, të bën të kthesh kokën për të kërkuar të vërtetën, atë që vetëm ajo mund ta thotë. Është fjala e saj që të lehtëson pas një dite të ngarkuar a një situate të pakëndshme. Sepse është Ajo, nëna, i vetmi person në botë që të do pa kurrfarë interesi. Dhe në thelb, është dashuria më e pastër që ekziston me njerëzimin.

Shumë njerëz që dinë të hedhin vargje a prozë në letër, kanë shkruar për nënën e vijojnë ta bëjnë këtë, duke lehtësuar frymëmarrjen e tyre, duke çliruar shpirtin, e duke dhënë dritën e nevojshme në ciklin e jetës.

Por këto rreshta dua të rendis edhe një ndjesi pas së cilës gjendet një forcë burimore, po kaq e dashur dhe e patjetërsueshme, që është: babai. Është figura e parë që na ngjiz me dashurinë amësore, që transmeton kromozomin X e i jep udhë një etape të re jetësore, që ndërton dhe mban gjallë një familje pas krijimit të saj. E nëse duhet t’i jemi mirënjohës qenësisë së gruas në jetë, është pikërisht babai, ai që trashëgon genin femëror, për të na e dhuruar, denjësisht.

Për të gjithë baballarët, që në shumicën absolute të rasteve renditen si të dytët në listën e njerëzve të dashur, për mua në fakt, meritojnë të njëjtin vend, barabrinjës me nënën. Më besoni, ka po aq shumë baballarë që veprojnë me zemrën e nënës, me thellësinë e saj, e nëse e keni dhe ju në familjen tuaj një shembull të tillë, duhet të ndiheni me fat. Sepse një baba i mirë, ashtu si një nënë e mirë janë produkt i një shoqërie të mirë, i një brezi të mbarë e produktivë për vendin. Dhe e kundërta, besojeni vetë! Gjithsesi jemi në mars, dhe marsi është i nënave.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top