Mirëqenie

March 6, 2020 | 8:14

Si të mirëpresim pranverën!

“TË JETOSH DO TË THOTË TË LINDËSH NË ÇDO ÇAST. VDEKJA DEL NË PAH KUR NDALON PROCESI I LINDJES”. ERICH FROMM

Pranvera është duke ardhur dhe, edhe një herë, për pjesën më të madhe prej nesh, lind dëshira për t’u rizgjuar dhe për t’u rinovuar së bashku me të.

Jo rastësisht, kjo është një nga periudhat e preferuara për të liruar pak hapësirë brenda mureve të shtëpisë, për të eliminuar të gjitha papastërtitë e grumbulluara gjatë vitit. Kjo gjë, përveç përfitimeve më të dukshme, na bën të ndihemi mirë, duke përmirësuar humorin dhe duke pakësuar stresin. Për këtë arsye, na mbetet vetëm që edhe këtë pastrim ta rifillojmë nga vetja.

Filloni nga mendimet negative | Mendimet negative janë si plehrat që grumbullojmë në mendjen tonë; zënë hapësirën që mund t’i kushtohet një tjetër gjëje – ndoshta zgjidhjeve të reja – japin gjithmonë bezdi, nuk ndryshojnë asnjëherë formë dhe na helmojnë. Jepini vetes disa minuta në javë ku të shkruani në një copë letër të gjitha mendimet negative që zakonisht ju shqetësojnë. Me ta bërë këtë gjë, griseni ose digjeni atë fletë dhe hidheni në kosh.

Synoni të bëni një jetë të ekuilibruar | Jeta frenetike që bëjmë, shpesh na shtyn të nënvlerësojmë efektet negative të një diete të çekuilibruar, të mungesës së gjumit apo mungesës së aktivitetit. Të trajtoni mirë trupin, do të thotë të trajtoni mirë edhe mendjen, ndaj filloni të ndryshoni zakonet. Hani pesë vakte në ditë, flini 7-8 orë dhe bëni aktivitet fizik. Gjenden gjithmonë mundësitë për të përmirësuar stilin tuaj të jetesës, edhe pse jeni gjithnjë me nxitim dhe të mbushur me punë, sepse nëse nuk kujdeseni për veten, herët a vonë nuk do të jeni në gjendje të përballoni përditshmërinë dhe të gjitha ato gjëra që më parë kishin përparësi në shëndetin tuaj.

Shijoni natyrën | Rezultatet e studimeve më të fundit sugjerojnë me zë gjithnjë e më të fortë, rëndësinë thelbësore të ambientit natyror për shëndetin fizik dhe mendor. Shëtitja në natyrë mund t’ju bëjë të ndiheni më pak depresiv dhe të stresuar, duke përmirësuar humorin. Është një aktivitet që bëhet pa shpenzime, falas, mund ta praktikojë kushdo dhe do ishte akoma më mirë nëse praktikoheni në shoqërinë e personave të tjerë.

Në këtë moment, ka ardhur koha të prisni degët e thara, të bëni rregull dhe të rinisni nga një pikë e re, duke bërë lëvizjet e duhura për të ushqyer mirëqenien tuaj; por pothuajse asnjëherë nuk bëhet fjalë për detyra të lehta, sidomos nëse për shumë kohë i keni evituar ato nga frika e ndryshimit dhe e asaj që ky ndryshim sjell me vete.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top