Editorial

December 17, 2020 | 8:20

Nga Orjona Tresa / Reflektimi, më shumë se sa një mjet shpëtimi për të fituar veten

Reflektimi është një çast. Në thelb i domosdoshëm. Mund të rrëzojë mure të dobët, e po aq të ngrejë fortesa shkëmb graniti. Është ai çasti që bëhet tepër i rëndësishëm, atëherë kur e ke vërtet të nevojshme për t’u kthyer me këmbë në tokë, e për të kuptuar se deri në këtë kohë, gjithçka ka ngjarë me ty ka nevojë për qartësi, të ftohtë, të thellë dhe rigjeneruese. Por mund të jetë dhe një hapësirë e programuar ditore, për t’i dhënë mundësi vetes të fitosh qetësinë dhe rilindjen mendore.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Reflektimi është një NDALESË, që nuk duhet të të lërë të mbetesh pas. Përkundrazi. Ai ka për qëllim që në të qindtat e sekondës, të të sjellë në kujtesë panoramën e ngjarjeve dhe aktiviteteve që kanë ndikuar në jetën tënde, për mirë, por jo dhe aq, dhe prej aty të bësh lëvizjen e duhur. Në shumicën e rasteve, reflektimi është më shumë se sa një mjet shpëtimi për të fituar veten në sprovat e ekzistencës. Sepse ndodh jo rrallëherë që të biem pre e një rutine “ndotëse” për shkak të rrethanave ku na përball jeta, qoftë në punë, shoqëri apo familje.

Mbytemi nga ngarkesat e pandashme, pak nga pak çdo ditë, dhe harrojmë veten. Papritmas, si ajo gota e mbushur plot e që nuk mban më, e gjejmë veten të dorëzuar dhe pa pikë shprese për të vazhduar përpara. Dhe… fillon ta kërkosh “qetësinë” tënde me ngulm, duke i kërkuar llogari se përse shkoi deri aty ku nuk duhej të shkonte?!

Sa herë na ndodh që për shkak të rutinës, të përfshihemi në aq shumë gjëra, saqë harrojmë veten dhe interesa të tjera që na përkasin, dhe që kanë edhe më shumë vlerë? Sepse harrojmë që gjithëpërfshirja nuk na bën heronj. Dhe befas, pas një kohe, ndodh e papritura, që të mërzit e njëherësh të revolton se përse nuk ka shkuar ashtu siç e kishe menduar në fillim? Na ndodh në familje, kur me besimin e dhënë fëmijëve, direktivave dhe mesazheve të komunikuara vazhdimisht, harrojmë që ata janë fëmijë e mund t’ua varin mësimeve që janë tejet të rëndësishme; kur detyrimet familjare nuk ndahen bashkërisht, e barra i bie vetëm njërit; na ndodh në punë, kur nga besimi i tepërt që u japim kolegëve, vuajmë pasojat e vonesës në kryerjen e detyrës në kohë, apo edhe më keq, mosbërjen e saj fare, duke të të përkitur ty çuarja e përgjegjësisë në vend; na ndodh në mjedise publike, ku të rrethuar nga shoqëri me interesa të pakta publike, të duhet ta marrësh ti përsipër ndryshimin e atyshëm…

Italo Svevo thoshte se jeta nuk është as e bukur dhe as e shëmtuar, është origjinale. Askujt nuk i pëlqen të pranojë se ka gabuar. T’ua vësh fajin të tjerëve është shumë më e lehtë dhe mbron egon nga shëmtitë e ndërgjegjësimit. Me pak fjalë, jo gjithçka është origjinale, shumë gjëra janë të parashikueshme. Përveçse është e vështirë, apo dhe e pamundur t’i imagjinoni ato paraprakisht. Ndaj, pas gjithë këtyre ngjasive të rastësishme apo jo, na duhet të bëjmë një analizë me veten për të kuptuar pasojat që duhen ndrequr. Duhet të lëvizim e të tregohemi më të kujdesshëm në raport me interesat dhe treguesit.

Reflektimi është ajo koha që duhet racionuar me kohën e detyrimeve të tjera,  duke investuar që të na shërbejë si kambanë “zgjimi”. Më shumë përgjegjësi janë më shumë shfokusim. Ndaj duhet të racionalizojmë veten nga përgjegjësitë që marrim përsipër. Në thelb, të kuptosh se çfarë je i gatshëm të jesh, ndryshe nga sa dëshiron, mund të të japë një përfundim të lumtur.

Jemi në muajin e fundit të vitit. Ritëm, lëvizje, energji. Gjithçka në funksion të një marramendjeje të pafundshme arritjesh. Ndërkohë që më shumë, ka nevojë për të reflektuar shëndetshëm. Sepse reflektimi nuk është një përgjegjësi, por domosdoshmëri! Muaj të mbarë!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top