Në fokus

August 15, 2018 | 9:04

Nga Renato Civili: Në Kërkim të Mentorëve – Si mund të fuqizohet rinia për të arritur më shumë?

Nëse kam qenë në gjendje të shoh më lartë, është për shkak se kam qëndruar mbi shpatulla të gjigantëve“ – shprehet Isaac Newton.

Imagjinoni sikur çdo i ri që ëndërron për të ardhmen, të ketë “gjigantë” pranë tij, shembujt e tij personalë të suksesit. Të jenë mentorët e tij personalë për jetën dhe karrierën. A nuk do t’i dukej më i qartë vizioni i tij për të ardhmen? A nuk do të influencohej ai të mësonte më mirë për drejtimin e tij, sfidat që duhet të ndërmarrë dhe aftësitë që duhet të zotërojë për të ndërtuar të ardhmen që shikon me sytë e mendjes?

Renato Civili

Renato Civili

Pyetja që na lind natyrshëm kur shikojmë shoqërinë tonë, është: A kemi ne “gjigantë” në kohët e sotme? Ndryshe nga shumë njerëz, unë jam optimist. Dhe besoj se po! Kemi, dhe ata janë rreth nesh!

Unë besoj se në shoqërinë tonë kemi njerëz me mendje të ndritur, të zgjuar dhe njerëz me vlera.  Njerëz me eksperienca unike, që duhet të jenë modele suksesi si në botën e biznesit dhe atë akademike. Ata janë “gjigantët”, edhe pse shpesh janë modestë e nuk njihen nga shumë njerëz.

Këta njerëz duhet të bëhen mentorët e kohës moderne. Me eksperiencën e tyre mund të shtojnë një vlerë të jashtëzakonshme në shoqëri, e mund të bëjnë ndryshmin në jetën e të rinjve që përpiqen të shohin më lartë, përtej errësirës. Sepse ata mund t’i falin perspektiva më të mira nga vizioni i tyre, e mund t’i ngjallin shpresë e guxim mes arritjeve të tyre.

Mungesa e modeleve dhe e sistemit të meritës sjell mungesë të shpresës

Të rinjtë nuk kanë modele suksesi në shoqërinë tonë. Ata nuk kanë orientim dhe as mbështetje nga njerëz me njohuri e eksperiencë që t’i mentorojnë ata për të marrë vendimet e duhura në jetën e tyre.

Ky problem është një nga arsyet kryesore që sjell mungesë të shpresës tek të rinjtë, e që mbetet gjithmonë një nga tiparet dalluese në shoqërinë tonë. Studentët nuk kanë orientim dhe as mbështetje nga universitetet për punësimin e tyre. Shumica e kompanive nuk kanë programe mentorimi për zhvillimin profesional të punonjësve. Pjesa më e madhe e mediave dhe portaleve kanë harruar misionin e tyre: edukimin. Dhe institucionet publike, në vend që të jenë rregullatori dhe mbrojtësi i sistemit të meritës, janë bërë burimi dhe shkaku i mungesës së shpresës dhe mundësive për të rinjtë.

Modele që frymëzojnë e transformojnë mentalitetin e përgjumur të shoqërisë

Që të kemi zhvillim, në fillim duhet të kemi shpresë. Brezi i ri meriton më shumë mundësi, mbështetje dhe projekte që i ndihmojnë ata të zhvillojnë të gjithë potencialin, talentin dhe ëndrrat e tyre.

Tani më shumë se çdo herë tjetër, kemi nevojë për mentorë. Për njerëz që mund të influencojnë pozitivisht të rinjtë me mënyrën e të menduarit për veten, për të tjerët e për botën në përgjithësi, që i sfidojnë të besojnë te vetja, të shikojnë më lartë e të arrijnë më shumë. Për shembuj dhe modele të mira që mund të frymëzojnë e transformojnë mentalitetin e përgjumur të shoqërisë. Të ringjallim shpresën tek të rinjtë, t’i japim vetëbesim të guxojnë, të shikojnë lart, të ecin drejt dhe të ndërtojnë me siguri një të ardhme më të mirë.

Lidhja e mentorëve me të rinjtë, promovimi i ideve dhe mesazheve të tyre jo vetëm tek një rreth i mbyllur njerëzish, por tek të gjithë, do të sillte zgjerim të sferës së influencës pozitive që ata kanë.

Kjo, tani mund të realizohet. Lehtësisht, me ndihmën e teknologjisë.

Një komunitet i ri dixhital – Me mentorë, profesionistë dhe të rinj që mësojnë

Do të krijojmë një platformë online që mund të zhvillojë edhe më shumë ndërveprimin e shoqërisë. Aty do të krijohet një komunitet me mentorë, profesionistë dhe të rinj që duan të mësojnë e të arrijnë më shumë. Do të ketë ndërveprim pozitiv si midis të rinjve, ashtu edhe mes atyre e mentorëve të fushave të ndryshme mbi të cilat ata janë të interesuar dhe duan të mësojnë.

Do të jetë një platformë online që ofron trajnime, leksione të hapura dhe ndërveprim me video periodike tek audienca e interesuar, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mentorët do të përzgjidhen nga një juri akademike, biznesi, si dhe nga vetë të rinjtë. Ata mund të ndajnë me video njohuritë, eksperiencat dhe këshillat e tyre. Mund të realizohen çdo javë/muaj, me tema të ndryshme e të paracaktuara të zhvillimit personal dhe profesional, të biznesit, teknologjisë, psikologjisë, marketingut, shitjeve, lidershipit, etj.

Temat do të jenë të orientura edhe në bazë të interesit nga të rinjtë, për të përmirësuar njohuritë, kompetencat dhe aftësitë e lidershipit personal dhe ndërpersonal. Duke patur mentorët e tyre, në fushat e tyre të interesit, çdo i ri do të ketë orientim dhe mbështetje nga njerëz me eksperiencë, për t’i ndihmuar ata të marrin vendimet e duhura.

Kjo nismë nuk është utopike, por realiste. Ajo ju drejtohet të gjithë juve, profesionistëve në të gjitha fushat e dijes dhe të biznesit. Të gjithë ju profesionistë, trajnerë, akademikë dhe sipërmarrës mund të bëheni pjesëmarrës dhe faktorë të rëndësishëm të këtij projekti. Ju do të jeni “Mentorë të Shqipërisë”.

Do të jetë një privilegj dhe një mundësi e mirë për të kontribuar në shoqërinë tonë, me atë që dimë më mirë. Për të fuqizuar e mbështetur rininë dhe për të sfiduar me energjinë e fuqinë e mendjes, forcën regresive të indiferencës.

Ju, mentorët, do të jeni partneri më i fortë social për ta bërë të mundur këtë projekt. Dijet, aftësitë dhe energjia juaj, janë vendimtare për suksesin e tij.

Vetëm me ju, çdo i ri mund të jetë në gjendje të shohë më lartë e më qartë të ardhmen e tij. Sepse vërtetë do të ketë qëndruar mbi shpatullat e gjigantëve, mentorëve si ty, që i kanë ofruar në mënyrë të vazhdueshme mbështetje, perspektivë dhe shpresë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

 

Burimi / businessmag.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top