Pika referimi

November 2, 2017 | 11:10

Nga Rinora Kurhasku: Mos e kurse dashurinë, sepse zemra është ajo që rreh e para dhe ndalet e fundit!

Jeta e secilit njeri ndahet në tri faza ose etapa, atë të fëmijërisë, rinisë dhe pleqërisë. Asnjëri nuk e jeton jetën ashtu siç dëshiron apo pretendon, por më e rëndësishme është përpjekja për ta fituar betejën, sesa një betejë e fituar lehtë! E zgjodha këtë temë, sepse pak ditë më parë takova një grua e cila kishte moshë të thyer. Ajo kishte kaluar dy faza nëpër të cilat vuajti, qau, u gëzua, u rrëzua, u ngrit.. por që mes rreshtash thotë që në këtë moshë: ‘është në këmbë, por që mezi ngrihet’.

Nga Rinora Kurhasku, gazetare dhe studiuese e çështjeve sociale

Nga Rinora Kurhasku, gazetare dhe studiuese e çështjeve sociale

Para ca ditësh, sapo prisja një miken time të dilja për kafe, në rastësi tek një dyqan takova një grua, e cila përkundër moshës që kishte, mbante mbi supe një qëndrim që rrallë njerëz kanë ose duan ta kenë. Kishte 60 vite, por mosha nuk tregonte vitet e saj, por jetën si “eklips”, “eklips” i cili vazhdonte bënte dritë përkundër dritës që po shuhej! 

Sapo e ndihmoja të hapte çantën, sepse i kishte të dyja duart e zëna, më tha: Qenke vajzë e  edukuar. Ia ktheva me një të qeshur të lehtë dhe përgjigje të shkurtër: Të gjitha vajzat janë! Ma ktheu: Qenke dhe modeste. Prapë qesha, dhe kështu dolëm nga dyqani, unë të prisja miken time ajo motrën e saj.

Biseda vazhdoi, por pa ekzagjeruar lavdërimet, sepse në të tilla raste nuk ndihem rehat. Ajo siç duket e kuptoi, duke shikuar djalin tim teksa po i rregulloja kapelën. Më pyeti nëse isha në punë, i tregova që po edukoja fëmijën tim të vogël dyvjeçar. Buzëqeshi dhe më falënderoi: Faleminderit që po mundohesh të edukosh një brez kaq delikat, në të kundërtën, ti po sakrifikon punën dhe jetën për t’i kushtuar fëmijës vëmendje apo?! E rrotullova kokën si e habitur dhe i thash: Po ai është fëmija im, nëse unë nuk e edukoj kush tjetër mund ta njohë më mirë se një nënë procesin e zhvillimit të fëmijës së saj?! Ma ktheu prapë me të qeshur: Nuk më kuptove më tha, dhe vazhdoi duke më shpjeguar se çfarë kishte në mendje. Unë vetë jam nënë dhe e kuptoj se në ç’pozitë ndodhesh tani. Ti po lufton me veten, sepse ke dëshirë të punosh, ndërkohë që më bazike e konsideron edukimin dhe zhvillimin e fëmijës tënd, i kushton kohë, e ushqen, i ruan gjumin, kujdesesh për shëndetin e tij, pastërtinë, po ashtu mundohesh në çdo kusht t’i plotësosh nevojën për të qenë fëmijë.

foto-rinora

Duke e pohuar atë që zonja tha, i thash po ashtu është, dua që të edukohet me dashuri, të rritet i shëndetshëm e mbi të gjitha të ketë fëmijëri të lumtur. Vazhdoi duke më bindur për atë që më shpjegonte, që ndërkohë ngutej të fliste nga meraku se mos ndaheshim shpejtë dhe na ngelej biseda në gjysmë. Duke e kuptuar arsyen e saj i thashë: vazhdo të flasësh, sepse nuk iki askund pa e përfunduar atë që ke nisur të më tregosh! Kështu vazhdoi me fjalët e gërshetuara në pyetje: Ne jemi njerëz dhe nëse ne nuk e kuptojmë dhe mirëkuptojmë njëri-tjetrin kush tjetër do ta bëjë? Tunda kokën dhe iu përgjigja: Po pra, këtë mendoj edhe unë, në fakt gjithmonë mundohem të arsyetoj njerëzit për gjërat që bëjnë qoftë me apo pa qëllim të caktuar, nëse ne kemi fëmijëri të lumtur ose rritemi me kujdesin të madh sigurisht që do të kemi një rini të shëndoshë, dhe nëse një rini është e shëndoshë askush nuk do të brengoset për shoqëri në përgjithësi, sepse të gjithë do të jetojnë të lirë, të vendosur dhe të ndërgjegjshëm në çdo veprim. E habitur në përshtatjen e arsyes së njëjtë, më falënderoi prapë me fjalët: Kam nderin që takoj një zonjë të re kaq optimiste dhe vlerësuese. Qesha, dhe ula sytë nga toka, duke fshehur turpin e lëvdatës. Ngrita kokën dhe i thashë faleminderit, juve! Vazhduam bisedën dhe siç duket ky ishte dhe fundi i bisedës tonë.

foto-1rinora

Më tha po të pyes troç: Çfarë mendimi ke për pleqërinë, ose për një të moshuar si unë? Iu përgjigja: Çfarë të them, ta mendosh moshën e tyre, është e mundimshme, lëre më ta jetosh jetën e tyre. Kalojnë gjithçka në jetë dhe kur plaken, kërkojnë dashuri, respekt dhe mbështetje, ne as nuk pasurohemi as nuk varfërohemi nëse i dhurojmë këto tria bashkë pa ndarë asnjërën. Të them të drejtën ky ishte përqafimi pothuajse më i sinqertë që kisha marrë kohën e fundit, më shtrëngoi aq shumë, më përqafoi në dy faqe dhe më puthi në ballë me lutjen: U plaksh siç është më së miri! Oh sa e çliruar ndihesha dhe nuk e kuptoja arsyen. U përshëndetëm, por… pa e njohur njëra-tjetrën!

Gjatë natës, duke menduar për bisedën që bëra gjatë ditës, më bëri përshtypje falënderimi që më bënte për çdo koment që bëja. Mendova pyetjet, të tria kishin të bënin me jetën, njeriun, dashurinë. Si tip analitik dhe detajiste, arrita të logjikoja dhe të analizoja pyetjet e zonjës, të cilat sipas mendimit tim ishin të thella, por të arsyeshme.

Në pyetjen e parë kërkoi të dinte se çfarë nëne jam, në mënyrë që të kuptonte çfarë fëmijërie kisha kaluar.

Në pyetjen e dytë kërkoi të kuptonte se çfarë njeriu kisha arritur të bëhesha, gjykuese apo arsyetuese?

Dhe në përgjigjen e fundit, ajo më uroi, më falënderoi dhe bekoi, dhashtë Zoti të presim pleqëri të gjithë!

Askush nuk ka të drejtë të shenjtërohet, vetëvlerësohet apo vetëmohohet, por ndonjëherë, mjafton diçka ose dikush që ta kujtojë se kush ishe, kush je dhe kush pretendon të bëhesh!

Po e mbyll me një moto timen: “Mos e kurse dashurinë, sepse zemra është ajo që rreh e para dhe ndalet e fundit”! 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top