Marrëdhënie

May 7, 2018 | 14:21

Nga Silvana Canaj /  T’i mësojmë fëmijët me punë shtëpie

Të kesh fëmijë nuk përbën vetëm domosdoshmëri për të pastruar me kujdes lodrat e tyre, por shpesh prindërit duhet të përballen me kaosin dhe parregullsinë mes lodrave, kukullave e makinave. Edhe fëmijët duhet të përfshihen në punët e shtëpisë: nga rregullimi i pellushëve deri te vendosja e këpucëve në raftin e vet. Ka shumë detyra të thjeshta, të cilat ata mund t’i bëjnë me lehtësi, në mënyrë që të mund të ndihmojnë edhe prindërit e tyre. Sipas psikologëve vetëm 14% e prindërve me fëmijë nga tre deri në pesë vjeç deklarojnë se fëmijët e tyre i ndihmojnë në shtëpi.

Silvana Canaj, Psikologe Këshillimi

Silvana Canaj, Psikologe Këshillimi

Një gjë jo dhe aq e mirë kjo, sepse sa më parë fëmijët të ndërgjegjësohen për përgjegjësitë e tyre, aq më shpejt do të rriten dhe do të dinë t’i marrin vendimet e tyre me besim.

E çuditshme, por këtë temën e punës (në shtëpi) e kam hasur me bashkëshortët më tepër si problem sesa me fëmijët. Shumë femra ankohen “burri im nuk di as të ziejë një vezë”. Ky është modeli që ai ka marrë nga e ëma. A je gati t’ia japësh këtë model edhe djalit tënd (apo vajzës)? Nuk besoj! Në një shtëpi gjithsecili duhet të jetë në kushte të barabarta me të tjerët. Modeli klasik “femra zonjë shtëpie” (vetëm për detyrimet ama) duhet të eliminohet nga shoqëria jonë.

Edhe mami, edhe babi punojnë x orë jashtë shtëpisë. Po kur mami është shtëpiake? Nuk punon? Gabim! Punon më tepër se të gjithë madje. Babi që vjen nga puna duhet ta ndihmojë. Edhe biri që vjen nga kopshti/ shkolla, etj. Edhe vajza që vjen nga kopshti/shkolla, etj. Kaq të vegjël duhet t’i mësojmë me kontributin në punët e shtëpisë. Ka shumë metoda: me shpërblimet e vogla p.sh, ose me marrëveshjen “bëj këtë që të kërkoj unë, të përfitosh atë që do ti”, etj.

Ashtu si kërkohen të drejtat nga çdo anëtar, ashtu të përmbushen edhe detyrat brenda shtëpisë. Një punë që mund ta bëjë vajza, nuk është turp ta bëjë edhe djali i shtëpisë. Vetëm pamundësia fizike mund të jetë pengesë, jo gjinia. Gjëja më e mirë që t’u mësoni fëmijëve është të jepni shembullin e mirë në përditshmëri. Do të shihni që do t’ju imitojnë. Më pas, kini parasysh që, edhe pse nuk duan ta pranojnë, të ndihmojnë “të rriturit” me punët e shtëpisë është gjithmonë një gjë që i bën të ndihen krenarë.

Nuk është mision i pamundur. Me durim dhe vullnet arrihet ndërtimi i balancave ideale në shtëpi!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com