Në fokus

September 20, 2018 | 10:54

Nga Violeta Gjoni / Puna me fëmijët autikë, art më vete!

Në qoftë se bëjmë një krahasim me sindromën down vërejmë që fëmijët, të rinjtë me autizëm kanë një imunitet më të palëkundshëm. Kjo është fituar falë lëvizjeve hiperaktive që ata kanë…

Violeta Gjoni

Violeta Gjoni, Mësuese e fëmijëve me aftësi të veçanta

Si është të punosh me një fëmijë të spektrit autik?

Të punosh me një person të spektrit autik është art më vete. Është produkti i aftësisë mbi paaftësinë. Ashtu siç janë prindërit e këtyre fëmijëve të përzgjedhur natyrshëm, sepse jo çdo prind lufton përjetë me atë çka fati i ka ofruar, ashtu edhe personat që trajtojnë këta fëmijë a të rinj me autizëm janë njerëz të jashtëzakonshëm. Dhe është e domosdoshme që mësuesi dhe terapisti të jetë i mirinformuar mbi këtë fushë përveç humanizmit që mbart. 

Tashmë është vështirë që një person që është i përgatitur maksimalisht në anën teorike t’i gjendet pranë këtij personi, pasi siç thotë një fjalë e urtë popullore “nga e thëna në të bërë, është në mes një lumë i tërë”. Ndodh që të ndikojë edhe negativisht te këta persona, duke këshilluar “psikologjikisht” si: “Mos i bërtit”; “Lëre të bëjë ç’të dojë”. 

Përveç kësaj mund të përballet edhe në ambientin familjar: “Lëre djalin ta marrë, mos e bëj të qajë, mos i bërtit djalit, blija kur ta kërkojë, mos të qajë në rrugë a në qendër tregtare” etj, etj. Mos përdor kurrë fjalën “mos” me fëmijën etj., e cila syrit të specialistit që është direkt në kontakt me fëmijën me autizëm, i duket absurde. Prindi është pika kryesore e këtij udhëkryqi.

A mund të llastohen këta fëmijë? Çfarë ndodh me këta fëmijë?

Thjesht po i shtojmë elementet e autizmit, thjesht e bëjmë të “sëmurë”, duke mos e konsideruar si vëllanë apo motrën tjetër, por vetë ne e veçojmë dhe stopojmë arsyetimin te këta fëmijë, duke i lënë në botën e tyre. Pra, çdo gjë duhet të shkojë siç duhet të shkojë me një fëmijë tjetër, kur është për t’u llastuar, të llastohet (kur ka bërë diçka që i keni thënë, sidomos një sjellje e përshtatshme) dhe kur bën gabim duhet t’i flasësh me ton që ta kuptojë dhe fillojë të logjikojë.

Sa i fortë është sistemi i tyre imunitar?

Në qoftë se bëjmë një krahasim me sindromën down vërejmë që fëmijët, të rinjtë me autizëm kanë një imunitet më të palëkundshëm. Kjo është fituar falë lëvizjeve hiperaktive që ata kanë. Çdo gjë që atyre u intereson, këta fëmijë e arrijnë me një mënyrë apo një tjetër, duke përdorur të gjithë psikomotoricitetin trupor. Shumë fëmijë e kanë problem veshjen me shumë rroba, siç ndodh në të ftohtë, duke i dhënë një “dorë” të mirë sistemit imunitar për të përballuar viroza të ndryshme.

Si menaxhohen sjelljet?

Menaxhimi ndodh sipas krijimit të rrethanave ku ky fëmijë trajtohet. Nëse është punuar që në fëmijërinë e hershme si: në shkollë, qendër apo ambiente sociale, menaxhimi është më i lehtë. Por duhet theksuar që vazhdon kolapsi i vlerësimit herë pas here i këtyre fëmijëve nga grupi i specialistëve të fushave të zhvillimit. Vazhdon teoria dhe praktika që fëmija futet te qendrat private, dhe për dy orë fëmija del me vlerësim, ku i detyrohet vlerës 150 mijë të vjetra pagesë, dhe të vazhdojë terapinë, ku ajo mujore shkon 350. Dhe për fëmijët që s’kanë mundësi të vazhdojnë terapinë, mbeten me atë vlerësim, që do të thotë: sa mund të jap një fëmijë me autizëm në një ambient të ri, kur ai mund të qajë gjithë kohës?! Dhe kështu, prindërit bien prè e zinxhirit të këtij biznesi që po fuqizohet çdo ditë mbi këto familje. 

Fëmija duhet të shihet të paktën përgjatë dy-tre javëve që t’i ndërtohet një vlerësim, dhe mbi këtë formulohet plani edukativ individual PEI. Për shembull, një fëmijë është me moshë biologjike 7 vjeç dhe në pesë fushat e zhvillimit jep për 2 vjeç, ka nevojë që me të, të punohet me programin e 2-vjeçarit. Gjithsesi, autizmi s’ka formulë standarde për progres, duhet përshtatur individi sipas potencialit, boll që ta duash këtë profesion dhe idetë rrjedhin vetvetiu, pra s’ka metodë të prerë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top