Pika referimi

October 28, 2015 | 13:14

Një masë dhe një maskë!

eljan taniniNga: Eljan Tanini

Asnjëherë nuk tregojmë se çfarë nuk jemi. Menduam se jemi më të mirët. Pëlqejmë. Dimë dhe s’dimë kë të zgjedhim. Dikush betohet se do ta ruajë të pastër nderin dhe punën. Vetja më tregoi një masë dhe një maskë. Por edhe me Veten ndonjëherë qenka e vështirë të merresh. Shumë e më shumë çdokush dëshiron të tijën për hesape mendimesh. Shumë ose jo, ky është pakti që kemi bërë me Veten që në lindje. Pakt, i cili kështu është shkruar dhe nuk mund të kthehet kurrë. Jemi ne ata që kthehemi gjithmonë në rimishërimin e tij. Kështu duhet të dyshojmë në atë që quhet e vërteta e Vetes me rëndësinë. U mësuam dhe po mësohemi gabim. Andej nga erdhëm u përplasëm. Respekti për Veten është një proces i rëndësishëm. Masa e përditshme e të qenit njeri. Morëm lëkurën dhe harruam shpirtin. Kështu kujtuam se jemi të pashmangshëm. Prandaj mërzitemi me jetën e përditshme. Tinguj që nuk kuptohen u dashuruan. Kështu më mirë perceptohen. Tingulli mori një fytyrë. Një fytyrë, sepse panë të njëjtën në një. Kështu përpiqen të gjejnë dhe Veten, por panë edhe faqen në fytyrën e njëjtë. Janë plot jetë, tani nuk është fundi. Nuk i dihet se kur do të vijë. Në një jetë plot akte erdhi plakja. Në sintaksën e bardhë të jetës shkëlqyet më mirë. Për këtë keni dhe kishit më shumë nevojë. Ju pashë aty, ishit ulur në një stol në parqet e pakta të qytetit tim. Po hanit akullore. Ai, si gomar shikonte një tjetër, dhe ajo si nepërkë me smirë në sy, shqetësohej për këmbët e bukura të ndonjërës. Ata të dy kështu hahen. Edhe kur të thonë që je shumë e bukur plot smirë, brenda saj ka një mallkim. Sepse duan të jetojnë sërish atë që nuk e thanë, të humbur njëkohe. Tani nuk është fundi. Ata, por më shumë ai, (sepse vetëm atë po shikoja pa rënë në sy) përziheshin e bëheshin një në një moment të pisët. Vuante të ishte në moshën ndërmjet akteve të para. Flet për lloj-lloj perversitetesh. Edhe për çadrën kur ishte partizan, edhe për gratë shoqe-komuniste të punës, madje edhe për pastruesen rome që ende i pëlqen. Për të edhe vajzat dolën partizane, se dikush duhet të mbante haremin e çadrave të partizanëve me yll në ballë. Madje quheshin armike ato që shkonin në kazermat e italianëve. Kështu bëhen pleqtë kur shkojnë në moshë. Si je kur nuk ke zemër? Ai dhe ajo më dukeshin si dy perveresa të ulur në një stol parku, në gatishmëri për të përdhunuar ndër sy të parin apo të parën që do të pëlqenin. Asnjëherë s’e njohim Veten aq sa themi. Më shumë njohim Veten e tjetrit, se sa tonën. Vetëm Vetja nuk ka emër. Shikojeni mirë, mes afshit dhe pendesës dikush do të bëjë jetën. Çdo njeri të lëshon një dritë, qoftë e ndritur ose jo. Gjithkush e ka në fytyrë, varet se sa e rrezaton atë. Drita që të lëshon është aureola jonë, për të kërkuar një fytyrë me vlera dhe antivlera merr famën e momentit. Duam, dimë, s’dimë kë të zgjedhim. Mbrapshtësia merr fytyrë edhe kur lloji ynë shkatërron me kënaqësi. Njeriu po bën ç’të dojë, jashtë një kontrate të përbashkët. Ka një zotësi që rrallëherë përsëritet ndër të tjerë, edhe një lloj të pakët gjeniu që ka shpërthyer tani vonë. Gjeni, jo si kompliment. E di, do t’i bëhet qejfi kur të lexoj se unë po flas për të. Ti edhe ata, mund të jeni shumë më të mirë se ne. Ju në të ardhmen do të keni punëra shumë të pëlqyeshme dhe të lakmueshme. Ju do të bëni elitën tonë. Për këtë varet në do të jemi krenarë ne më të thjeshtët. Unë kam njohur të tillë. Aty ku do të ekspozohen, të tjerë do t’i njohin për të tjerë. E përsëris edhe njëherë me këtë letër të hapur drejtuar atyre që më rrethojnë: Ju do të bëni të pamundurën për të qëndruar në postin tuaj, kjo është puna juaj për të cilën do të luftoni, keni shumë gjëra lidhur me fuqinë e drejtimit. Te ty, unë së paku, nuk shoh të rrezatohet asnjë dritë. Faleminderit miku im, faleminderit për miqësinë, mos u mërzit që unë po shkruaj diçka edhe për ty. Të uroj punë të mbarë, por kujdes me shpirtin…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top