Dëshmi

January 12, 2021 | 22:02

Një ngjarje e përmasave shokuese të sjelljes njerëzore në spitalin Covid 2, emisioni STOP demaskon skandalin (video)

Nga Orjona TRESA
Ngjarje tronditëse, e përmasave shokuese të sjelljes njerëzore, jashtë çdo forme humanizmi që mund të qëndrojë me këmbë në tokë. Sepse ka të bëjë me jetën e një njeriu që shpreson nga i ngjashmi t’i japë dorën për ta ndihmuar.
Mbrëmjen e së martës emisioni Stop në TvKlan transmetoi me video dëshminë shokuese të një vajze që humbi nënën e saj nga Covid19 në 25 dhjetor. E reja u nda nga e ëma pa mundur t’i japë lamtumirën. I gjithë komunikimi deri në ditën e fundit mundësohej nga një sanitare që shtirej si ndihmësmjeke, e cila njëherësh bënte pazarin e fëlliqur për t’i shërbyer të ndjerës, gjoja me gjithçka i nevojitej.
Demaskimi i sotëm nga vajza e viktimës, erdhi pas kërkesës së të bijës për të treguar  moralin e ulët në gjithë këtë aventurë keqtrajtuese që i ishte bërë sipas saj nga bluza e bardhë që përfaqëson spitalin me emrin e madh “Shefqet Ndroqi”. Në një analizë të plotë, vajza e viktimës nga Covid thotë se e ëma është lënë pas dore, edhe pse asaj edhe ajri përveç një liste të gjatë kërkesash për t’i ofruar shërbimin që e meritonte falas, i kishte kushtuar 8 milionë lekë nën dorë.
3
Pjesa më e dhimbshme e këtij kalvari të turpshëm në komunikimin e mundësuar me video nga ana e sanitares kundrejt nënë-bijë, janë mesazhet e lamtumirës me duar ndaj të bijës nga ana e 55-vjeçares, e cila e pafuqishme nuk dërgonte dot mesazhe zanore. Madje dhe ato në whatsapp i kontrolloheshin nga përfaqësuesja e spitalit, e cila pafytyrësisht ka guximin të bëjë një jetë të vërtetë pas gjithë kësaj.
Ky turp, ky skandal, është transmetuar dhe demaskuar sot në emisionin “Stop”, ku sipas dy ideatorëve dhe moderatorëve të emisionit, punonjës të këtij spitali bëjnë pazar me jetën e pacientëve.
Intervista e plotë
Vajza e një zonje 55-vjeçare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.
Në fund të Nëntorit, mami im është shtruar në spitalin Shefqet Ndroqi. Skaneri, të gjitha kanë dalë që ka qenë me Covid. Ia kemi bërë të gjitha në mënyrë private në shtëpi. Kishim marrë mjekë privatë, oksigjenin, të gjitha. Nuk mundi t’ia dilte dot. I plasi hemorragji nga hundët, i ranë parametrat dhe ishim të detyruar ta çonim në spital. Morëm ambulancën, shkojmë në spital e lenë për 3 orë brenda në ambulancë dhe në ato momente nuk njihnim asnjë. Infermierët ishin shumë në mbingarkesë”, tha vajza.
Si ranë në kontakt familjarët e pacientes me pastruesen e këtij spitali, e cila fillimisht u hoq si infermiere… “Një zonjë në derë më thotë jam infermiere. Emri i saj është Tire Alldervishi. Thotë, nëse ke nevojë për ndihmë, se të shikoj shumë të ngarkuar, më thuaj se unë jam shumë infermiere. Ishte pa uniformë në ato momente. Më tha do ngjitem, do vishem dhe më prit poshtë të vishem. E prita, aty më merr numrin e telefonit zonja dhe më thotë që do mbajmë kontakt, më prit tek lokali. E pres…. 
Komunikimet mes vajzës së të ndjerës dhe punonjëses së spitalit “Shefqet Ndroqi”, i publikoi emisioni ‘Stop” dhe aty duket qartë abuzimi me detyrën dhe ryshfeti nga ana e zonjës Tire Alldervishi. Më 30 Nëntor, vajza i lutet sanitares që të dërgojë një foto të së ëmës.
Vajza: Aman ma ço një foto. Mbretëresha ime!
Tire Alldervishi: Shpresat në Zot.
Vajza: O zemra ime. Aman o Zot, ju lumshin ato duar o Tire. Do bëj çdo gjë, vetëm ta kem mirë.
Gjatë komunikimeve, Tirja i ka dërguar vajzës së pacientes foto dhe video të mamasë së saj nga brenda ambienteve të spitalit. “Puthe içik me dorë t’ia çoj… bravo, bravo!”, shprehet sanitarja në video.
Gjatë një komunikimi me një doktoreshë të spitalit konfirmohet se Tirja nuk ka qenë infermiere, por sanitare. Madje ajo nuk shërbente në pavijonin ku ka qenë.
Vajza: Tire mami më tha të shkoje pak se jam djersit thotë.
Tire Alldervishi: Mirë, me doktoreshën fola, erdhi e pa.
Vajza: Aman bëni më të mirën. Më thuaj të vërtetën, është më keq sot apo njësoj.
Tire Alldervishi: Të gjithë mjekët aty janë.
Vajza: Pse është keq?
Tire Alldervishi: Tani është rënduar.
Vajza: Ça po më thua, është keq fare? Po vij në spital, a del dot?
Tire Alldervishi: Po!
Vajza: O Tire, bëfsh hajër.
Tire Alldervishi: Mos u ni, do Zoti.
Vajza: Aman o Tire për hatrin tim mos ju largo! E di që ia bën hyzmetin, po më kupto se po më plas shpirti.
Tire Alldervishi: Nuk e beson çfarë barre kam.
Vajza: Bëfsh hajër o Zot!
Tire Alldervishi: Doktoreshës thotë mami t’i japim noj lekë. Është bashkë me shefen.
Vajza: Sa thua ti, më thuaj të drejtën?
Tire Alldervishi: Jam këtu tek mami.
Vajza: Ok po ke ti, jepi ti, e t’i jap unë. Patjetër që do t’i japësh.
Tire Alldervishi: Si shpesh po vijnë.
Vajza: Që tani jepja t’i bëhet qejfi edhe mamit. Mos e ruaj dorën, jepi.
Tire Alldervishi: Sa thua ti?
Vajza: Jepi sa të duash, mos pyet!
Tire Alldervishi: Shefes dhe doktoreshës?
Vajza: Sa të duash Tire. Mos pyet mos e kufizo dorën fare.
Gjatë këtij komunikimi, Tirja i vë në dispozicion vajzës numrin e infermierëve dhe doktoreshës që kishin turnin, në dhomën ku ishte shtruar mamaja e saj.
Vajza: O e bukura dheut, o princesha ime, o aroma më e ëmbël e kësaj botë. Kjo është krenaria ime!
Tire Alldervishi: Dil ke polici e dashur.
Vajza: Tire si je, a ke shkuar gjë te mami sot?
Tire Alldervishi: Po parametrat 95, i çova qumësht, donte përshesh. Marshallah. Edhe ka ngrënë, tani do prapë. Na hahet mish me lëng, merr ke lokali ku pinë kafe në darkë. Në orën 7 e duam gati mbas insulinës dhe rrobat i kemi dhënë dajë Sabriut.
Vajza: Me patjetër rrobat janë rrugës, ça do t’i dojë zemra princeshës sime, kam thënë unë, veç hap gojën.
Tire Alldervishi: Që ta ndërrojmë bashkë me sanitaren pa ikur unë.
Vajza: Tire 40 janë për ty, 20 për infermieren dhe 10 për pastruesen. Të lutem merr numrin e infermieres.
Tire Alldervishi: Si urdhëron e dashur. Infermier është Fatjoni, shih telefonin e ke numrin. Vajza: Ok! Shumë faleminderit.
Tire Alldervishi: Ato 70 mijë lekëshin përse ma dhe? Për ditën apo për natën?
Vajza: Për ty, qëparë të dhashë 50 për Fatjonin dhe pastruesen. Po 70 është për ty sonte. Tire Alldervishi: Për mua janë pak për sonte.
Vajza: Më thuaj sa do se t’iu jap në mëngjes për Titin mos e vrit mendjen, vetëm m’i rri mamit afër.
Tire Alldervishi: Po sikur më premtove që do e rregulloje dorën.
Vajza: Mos e vrit mendjen, vetëm m’i rri afër se me i ndodh gjë se shoh më me sy po përvëlohet zemra. Pa merak fare, nesër në mëngjes t’i sjell unë.
Tire Alldervishi: Okej nuk mërzitem. Mund të gjesh dhe njeri tjetër më të mirë dhe më të lirë, nuk më ngelet qejfi.
Vajza: O Tire s’është momenti të m’i thuash këto gjëra se po më plas zemra, kam frikë po më vdes mami pa e parë. Unë kam besim tek ti.
TvKlan siguron dhe dëshminë e mjekes…
Doktoresha: Alo…!
Denoncuesja: Alo, përshëndetje doktoreshë! Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin…! Doktoresha: Po!
Denoncuesja: Jam vajza e Liljanës…, nëse më mban mend?
Doktoresha: Po, po, po, patjetër. Si je ti?
Denoncuesja: Dua vetëm një informacion, se po e vuaj shumë nga brenda…! Tirja ka qenë infermiere, apo sanitare në spitalin tuaj?
Doktoresha: Jo, Tirja nuk është fare në pavijonin tonë, nuk ka lidhje fare me pavijonin tonë.
Denoncuesja: Po ku punon, në katin e tretë, pavijonin e tretë, sanitare apo infermiere? Doktoresha: Sanitare!
***
Është shumë e habitshme mënyra se si sanitarja ka shkuar në dhomën e pacientes. Kjo e fundit ka qenë e shtruar në pavijonin 2, ndërkohë Tirja punon si sanitare në pavijonin numër 3 të spitalit Covid 2. “Personalisht këta mjekë dhe infermierë dhe mjeku dezhurn kur shikonte Tiren, si e lejonin që të hynte. Ose këta mjekë dhe infermierë që ishin në turn realisht, që unë besoj se nuk kanë marrë lekë nga Tirja”, tha drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra.
Vjen poshtë dhe më thotë situata është shumë e rëndë dhe siç e ke parë dhe vetë, është një mbingarkesë shumë e madhe dhe na duhet pagesa që infermieri apo mjeku t’i rrijë tek koka apo kushdo tjetër”, tregoi ajo. Ndër të tjera, vajza tregoi të gjithë mekanizmin që është përdorur nga sanitarja për korrupsionin.
“Turni i parë që në mëngjes ishte 50 mijë lekë për infermierët, 50 mijë lekë për Tire Alldervishin, 20 mijë lekë për sanitaren. Përveç kësaj një ditë ishte 100 mijë lekë për doktoreshën dhe 50 mijë lekë ishte për ditën tjetër për doktoreshën. Pastaj vinte turni tjetër dhe ishte e njëjta histori. Me të njëjtën shumë. Të gjithë lekët i merrte Tirja. Asaj i janë dhënë të gjitha lekët. Takimet janë bërë nga ajo. Kam mesazhet nga mami im që më thotë ‘ku je se po të pret Tirja për të marrë lekët e infermierit, sepse ka ndryshuar turni’.
Herë pas here detyrohesha të lija punën që të kapja turnin e ndërrimit të mjekëve që të jepja lekët. Ishte si një lloj detyrimi. Lija punën që të shkoja të bëja pagesën”, tha vajza. Ajo shtoi më tej se i ka dhënë sanitares 8 milionë lekë të vjetra. “Shuma që Tirja ka marrë nga unë është 8 milionë e pak lekë të vjetra. Duke qenë shumë ditore 250, 300 për një muaj dhe shumë e shumë të tjera që blija e i fusja në spital. Ushqimin e fusja vetë. Ujin e fusja vetë. Pampersin vetë. Insulinën vetë. Ilaçin e gojës e të gjitha gjërat që spitali duhet t’i ketë. Edhe pse mami im sot nuk jeton më, ka ndërruar jetë më 25 Dhjetor, arsyeja është duke qenë se jemi shtet dhe kemi dëgjuar nëpër media që shëndetësia është falas, shëndetësia nuk kishte as edhe termometër. Mamaja ime më kërkonte me mesazhe, më sill termometër se më duhet për temperaturën. Që nga uji, më sill ujë për të pirë. As ujë dhe unë ia çoja vetë. Të gjitha i kam të shkruara që mami i kërkonte nga jashtë, duke filluar nga ushqimi, uji dhe të gjitha, pampersi dhe çdo gjë tjetër”, ka treguar vajza e të ndjerës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top