FB

April 1, 2021 | 8:45

Nuk jemi të përsosur, jemi të vërtetë dhe i duam fëmijët ashtu siç janë

 

Mos i kërkoni fëmijëve të jenë të përsosur, sepse askush nuk mund të jetë i tillë. Mundohuni të rrisni fëmijë të lumtur, jo fëmijë te ndrydhur!

Nuk jemi të përsosur. Faktikisht, prej shumë kohësh e kemi braktisur këtë objektiv naiv. Ne jemi të vërtetë, na pëlqen identiteti ynë, na pëlqen trupi ynë, kemi mbi supe një histori për të cilën jemi krenarë. Dhe për këtë, i duam edhe fëmijët tanë kështu siç janë, me tekat e tyre, me difektet dhe me ato të qeshura të çiltra, të cilat nuk do t’i ndërrojmë për asgjë në botë.

Kështu: siç ne duhet të jemi të vërtetë, jo të përsosur dhe jo të pagabueshëm, por të lumtur në aftësitë dhe indentitetin tonë, edhe fëmijët tanë kanë nevojë për të njëjtën gjë. Ju ftojmë të reflektoni mbi këtë çështje.

 

Nuk duhet të duam fëmijë të përsosur

Flasim për një “të keqe” shumë të zakonshme në ditët e sotme: nevoja për të pasur fëmijë të përsosur. Ekspertët e edukimit dhe të psikologjisë foshnjore këmbëngulin se kjo nevojë tani është më e madhe se kurrë për një arsye shumë konkrete: vështirësia e tregut të punës dhe kriza aktuale sociale.

Familjet kanë ankthin që të kenë fëmijë më të përgatitur, më të aftë dhe më të zotë. Kaq shumë sa në shumë qendra edukimi në Mbretërinë së Bashkuar janë futur që tani metodat e selektimit. Disa shkolla fillore elitë, nëpërmjet këtij selektimi, kanë filluar të pranojnë vetëm fëmijë që kanë arritur kompetencat e lexim-shkrimit që në moshën 4-5 vjeçare.

Një gjë e tillë mund t’i shtyjë shumë prindër që të bëjnë një sërë veprimesh, të cilave u mungon çdo normë pedagogjike, duke i larguar nga orët e gëzimit që një fëmijë duhet të ketë, për ta ekspozuar në një moment të papërshtatshëm ndaj përgjegjësive dhe tensioneve të një të rrituri. E gjitha kjo është e palogjikshme, nuk është as e shëndetshme dhe as e këshillueshme për fëmijët.

Dëshira për të qenë të përsosur gjeneron frustrim: ndaj duhet të kërkojmë të jemi origjinalë, të jemi të LUMTUR.

 

Shpesh, në artikujt tanë, kemi përmendur domosdoshmërinë për t’u kujdesur për veten si njerëz, si dhe për të dhënë më të mirën për fëmijët tuaj. Ata kanë nevojë për variantin më të mirë tuajin, për anën tuaj më të fortë, më të bukur dhe më të denjë. Sepse i edukojmë fëmijët jo vetëm me fjalë, por e bëjmë edhe me shembull.

Fëmijët që kanë prindër shumë kërkues ndaj vetes kanë tendencën të zhvillojnë një stres të parakohshëm. Ky stres, shumë larg të qenit i nevojshëm, i vendos përballë një muri shumë të lartë, të cilin do të mundohen gjithnjë ta kalojnë.

Nëse një fëmijë është i vetëdijshëm se nuk mund t’i arrijë ato objektiva që i vendosin prindërit ose nuk mund të imitojnë ato sjellje që u mëson nëna, është e mundur që ata të përjetojnë frustrim, vetëbesim të ulët dhe pasiguri.

Një tjetër realitet që mund të shohim në ditët e sotme është ideja se femra duhet të shndërrohet në një person që mund t’ia dalë mbanë në çdo fushë të jetës, duke qenë gjithnjë e më e mirë: një grua e suksesshme, tërheqëse dhe e përsosur, një partnere e mirë, një shoqe e mirë dhe padyshim, një nënë e shkëlqyer, një “supernënë”, e cila nuk lodhet kurrë dhe që ka një zgjidhje për çdo problem.

Duhet të jemi realistë. Dëshira për të shkëlqyer në çdo fushë të jetës është burim i pashtershëm vuajtjesh. Duhet të kërkojmë diçka më të thjeshtë: të jemi të vërtetë dhe të LUMTUR.

Pranojeni fëmijën tuaj për atë që është, por ndihmojeni çdo ditë të japë më të mirën nga vetja

Zhvillimi i një fëmije ndodh nga shumë faktorë dhe jo gjithmonë varet nga këmbëngulja jonë për t’i stimuluar apo për t’i forcuar konceptet e jetës.

Para së gjithash, është e rëndësishme të kuptojmë se truri i një fëmije piqet pak nga pak dhe duke ndjekur disa skema, disa etapa thelbësore. Nëse ende nuk ekziston një qelizë neuroni konkrete dhe një rrjet i përshtatshëm lidhjesh në një strukturë të caktuar cerebrale, është shumë e vështirë që fëmija të zhvillojë procesin e të lexuarit, as nuk do të mund të kuptojë konceptin e mbledhjes apo të zbritjes.

Në edukimin e një fëmije duhet të veproni duke e stimuluar dhe jo duke i ushtruar tension. Duhet të jeni të aftë ta pranoni fëmijën për atë që është në secilën fazë të jetës që do të kalojë. Nëse është 3 vjeç dhe ende nuk komunikon në mënyrë të qartë, mos i bërtisni, mos e qortoni dhe mos e korrigjoni me ashpërsi. E gjithë kjo sjellje nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të ngadalësojë zhvillimin e tij, sepse do të shkaktojë te fëmija frikëra dhe frustrim.

Nga ana tjetër, një aspekt thelbësor që duhet ta merrni në konsideratë është se fëmija juaj do të ketë, që shumë herët, një personalitet të vetin. Nuk mund ta detyroni të ndryshojë, nuk është e drejtë të impononi një fëmijë që të ketë të njajtat shqetësime dhe shije me ju.

Detyra juaj është që ta kuptoni, t’i qëndroni pranë dhe të jeni të aftë të nxirrni më të mirën prej tij, që të jetë gjithmonë origjinal, një njeri i denjë, i lumtur dhe me vlera. Një njeri jo i përsosur, por me një dashuri të madhe për veten, për të pasur një jetë të mirë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: Mammaoggi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top