FB

April 1, 2021 | 9:00

Altruizmi, të heqësh dorë nga interesi vetjak!

Fytyrat e tyre janë bërë të njohura në këto ditë të vështira. Ndoshta, nuk do t’i kishim njohur ndonjëherë, nëse nuk do të vinin ditë si këto. Për disa “ra ky mort e s’u pamë”, por kur vjen fjala tek ata dhe ato, duhet thënë me plot gojën “ra ky mort e ju pamë”.

Nga Lediona Braho, M.Sc Psikologji Klinike Mental Health Albania Psikologe klinike, Ass. Lektore Fakulteti Shkencave Sociale, UT

Fytyrat dhe zërat e mjekëve dhe infermierëve kanë qenë për ne, gjatë gjithë këtyre javëve, ndoshta fytyrat dhe zërat më të dashur dhe më shpresëdhënës. I kemi parë, i kemi dëgjuar, ua kemi besuar fjalën dhe i kemi duartrokitur me gjithë zemër. Fjala e tyre ka mbushur shtëpitë tona me shpresë dhe përkujdesje, ka mbushur dhomëzat e zemrave tona me dashuri dhe mirënjohje. Ditët e para ishin ndoshta më të vështirat, ndaj na u desh t’i mbanim vesh mirë e t’ua zbatonim porositë, ca herë si fëmijë të frikësuar që kanë nevojë për siguri e mbrojtje, herë të tjera si të rritur të përgjegjshëm për veten dhe të tjerët.

Mjekët e nderuar të Infektivit, ndoshta fill pas turnit të gjatë e të lodhshëm, gjenin kohë dhe ishin të vendosur për të na informuar rregullisht për gjendjen e të sëmurëve në spital, për përhapjen e sëmundjes në popullatë dhe për kujdesin maksimal që secili prej nesh duhet të bënte për shëndetin e vetes, familjes, lagjes dhe qytetit. Ngrohtësia e zërave dhe ëmbëlsia e portreteve të tyre do të na mbetet gjithmonë në kujtesë. Ata ishin dhe mbeten të parët në përballimin e pandemisë, pavarësisht se qenë po aq të rrezikuar, pavarësisht se punonin me orare të tejzgjatura, pavarësisht se mund të kishin javë të tëra pa takuar familjarët e tyre…

Mendoni ç’vlerë njerëzore dhe profesionale kanë qenë dhe mjekët e dalë në pension që iu bashkuan vijës së frontit të parë! Sa bujare këto zemra njerëzore në shërbim të të sëmurëve, në shërbim të jetës! Përveç mesazheve që i kemi dëgjuar kaq herë, pa u lodhur asnjë çast, kemi parë edhe disa imazhe që na kanë trishtuar, por njëherësh na kanë bërë të ndiejmë dhimbjen e atyre heronjve të heshtur të luftës nëpër spitale.

Kanë qenë të ndjera dhe shumë emocionuese fotografitë e infermiereve në spitalet e Italisë, të ulura në gjunjë, të mbështetura pas shtretërve apo edhe të shtrira në dysheme – pamje sfilitëse, por thellësisht njerëzore, që të bënin të ndieje keqardhje, por edhe krenari për këta njerëz luftarakë deri në rraskapitje e vetëmohim. Po aq frymëzuese ishin edhe videot e infermierëve të talentuar që i binin pianos në hollin e spitalit. E në fakt, çdo luftë, do kish’ nevojë për njerëz të tillë! Pa ta, nuk do të mundej dot dhimbja, sëmundja, e keqja.

Përpos personelit shëndetësor, do të rendisja pa drojë personelin e shëndetit mendor. Këtu kam parasysh qindra e mijëra profesionistë psikiatër, psikologë, psikoterapistë, terapistë dhe këshillues në të gjithë botën dhe në mënyrë specifike, në vendin tonë, të cilët, qysh në ditët e para të përballjes me pandeminë, u aktivizuan për të dhënë ndihmë online për qindra e mijëra qytetarë. Mes tyre, kam ndjerë një humanizëm të pashoq dhe një nevojë për të qenë sa më pranë njerëzve në këto ditë të vështira, si detyrim personal dhe profesional të patundshëm.

Krahas punës së atyre që e kanë për profesion lehtësimin e dhimbjes fizike dhe psikologjike të njerëzve, në këto ditë të vështira, ka spikatur puna e dhjetëra-qindra vullnetarëve të cilët janë angazhuar me dëshirë dhe altruizëm për të ndihmuar persona e familje në nevojë. Para syve tanë, është përshfaqur një paradë e gjatë të rinjsh vullnetarë, me sjelljen e thjeshtë humane, që nga dhënia e ndihmës për të blerë ushqime për të moshuarit e pallatit apo lagjes deri te aktivizimi për të çuar ndihma ushqimore dhe materiale nëpër familjet e varfra në mbarë Shqipërinë.

Ky aktivizëm i kaq shumë të rinjve në këto ditë përballjeje me pandeminë na ka bërë të kuptojmë sa i nevojshëm është brezi i ri për prindërit dhe për gjyshërit tanë, por jo vetëm: për prindërit dhe gjyshërit e pallatit, lagjes, qytetit dhe atdheut tonë.

E kështu në radhë, mund të sjellim ndërmend dhe para syve, edhe shumë njerëz të tjerë që, gjatë kësaj kohe, kanë ofruar ndihma të llojeve të ndryshme, nga ajo njerëzore, profesionale te ndihma financiare, për ata që kanë pasur nevojë për ndihmë. Vargut të këtyre njerëzve iu bashkohen profesionistët e gazetarisë së terrenit, në veçanti, por edhe gazetarët e studiove televizive, që me transmetimet e tyre maratonë dhe përpjekjet në përçimin sa më të shpejtë e real të lajmit, kanë udhëhequr një proces pa të cilin nuk do kishim se si të informoheshim në mënyrën e duhur.

Po aq të rëndësishëm janë punonjësit e policisë, të cilët kanë qenë në krye të detyrës për të siguruar mbarëvajtjen e rendit publik, si dhe zbatimin e ligjit dhe masave kufizuese. Jam e bindur se ka edhe shumë të tjerë që kanë ndihmuar shumë, por pa u shfaqur publikisht. Edhe këta njerëz “të padukshëm” kanë dhënë nga vetja duke e bërë jetën e njerëzve të tjerë pak më të mirë, duke zbutur herë dhimbjen e tyre, herë varfërinë, herë të dyja bashkë. Të gjithë këta shpirtra njerëzorë duhen falënderuar përunjësisht për faktin që ekzistojnë dhe që japin kaq shumë nga vetja, pa pretenduar gjë nga të tjerët. Pavarësisht se shumë prej nesh e kanë vokacion profesional dhënien e ndihmës dhe kemi zgjedhur t’u shërbejmë të tjerëve, nuk mjafton vetëm formimi.

Ajo që na bën të japim pa marrë është ajo forca e brendshme që na zgjon nga gjumi në mëngjes enkas për ta bërë jetën e të tjerëve pak më të mire se ç’është, çdo ditë. Këtë forcë njeriut ia jep vetëm dashuria për tjetrin, pasi tjetri shihet njëlloj si vetja. Nga kjo dashuri vëllazërore buron edhe altruizmi ynë. FALEMINDERIT NGA ZEMRA!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top