Në fokus

July 19, 2016 | 8:04

Oriela Nebijaj: Dua një mashkull të më dominojë!

 Lëvizja marramendëse e njerëzve në qendrën tregtare dhe parada “e çmendur” e dyqaneve me veshje luksi, e kishte çuar atë në një skaj më të thellë, atje ku një bar me ambient klasik e nuanca dritëskene, silueta e saj vijëzohej krejt e shpenguar. Ishte një vendtakim interesant dhe po aq intim sa për të shkëmbyer dy fjalë qetësisht. Nuk ishte e vështirë për ta shquar dhe ndoshta “takimi” i përditshëm përmes ekranit e bënte gjithçka më të lehtë. Teksa hapat më çonin drejt saj, në fund të një korridori të gjatë, dukshëm, imazhi i njohur publik u përçonte buzëqeshur përshëndetje miqve të atygjendur. Casual veshja e saj, në një kombinim excellent ngjyrash ku më së shumti dominonte bluja dhe e verdha. Ndërsa një shall i hollë i mbulonte qafën e gjatë. Oriela Nebijaj është vajza 27-vjeçare e “Vila 24”. Është pikërisht ajo që komunikon herët në mëngjes në televizionin “News 24”. Sytë e saj të zinj shprehës janë kontakti i parë. Të qeshur dhe të thellë njëkohësisht në përmbajtjen e tyre. E, me sa duket, kjo e bën atë të ketë veçantinë e saj. Por gjithashtu ajo është sa e bukur, po aq energjike si dhe e vetëkontrolluar. Në perceptimin e parë m’u duk se njohja ishte e hershme. “Ekrani” thashë me vete, ai e bën të afërt. Është e lirshme, shumë e komunikueshme, e për më tepër mjaft e përgatitur për rrugët që ka zgjedhur të bëjë në jetë. E diplomuar për drejtësi, Oriela ka zgjedhur që në një çast të volitshëm t’i rikthehet me vendosmëri. Ama, nga ekrani, pasioni i saj, nuk do të hiqte kurrë dorë. Pakkush di për jetën e saj private, atë që ajo e konsideron përvojë dhe një leksion të dobishëm për jetën. Në bashkëbisedim nuk heziton të fshihet pas fasadave, siç i quan ajo fytyrat e disa njerëzve që druhen të jenë të vërtetë. Pranon të rrëfejë një histori dashurie të kaluar në adoleshencën e saj, sikundër po e rijeton sërish ndjenjën me një djalë shqiptar jashtë kufijve prej shumë vitesh. Me fanatizëm flet për lidhjen e fortë dhe të pandashme me bërthamën e Nebijajve. Prindërit dhe motrat, që janë streha më e rëndësishme për jetën e një njeriu e që kurrë nuk do t’i krahasonte me asgjë.

Je ndër vajzat e ekranit që pëlqehesh në publik për mesazhet pozitive që jep përmes ëmbëlsisë që të karakterizon. Si është për Orielën ky konstatim?

Është i natyrshëm, karakteristikë e imja që në vogëli, ndoshta edhe për sytë e zinj që më ndriçojnë sa herë që buzëqesh. Është ndër gjërat që e kam në ‘xhep’. Sa i takon angazhimit në TV, buzëqeshjen asnjëherë s’e kam kursyer, duke u përpjekur të mos e teproj. Deri më sot nuk më ka ndodhur të buzëqesh kot. Nëse nuk kam ndierë që mund ta fal buzëqeshjen time, nuk kam buzëqeshur. Në marrëdhënie pune ka qenë gjithmonë ‘qershia mbi tortë’. Mund të jem serioze në shumë biseda, ama në momente finale serioziteti dhe buzëqeshja bëhen dy të vërteta që qëndrojnë përballë.

Sa ju ka shërbyer buzëqeshja?

Buzëqeshja është terapi jo vetëm personale, por ndikon edhe tek ata që janë pjesë e jetës tënde. Pozitiviteti është pikërisht një nga gjërat që përcillet lirshëm, aq sa shumë miq këtë gjë ma kërkojnë. Natyra ime është të mos e ngarkoj situatën. Dhe kjo ndodh sidomos kur ata ndihen keq. Por duhet pasur dhe kujdes. Kot nuk thonë, zgjidh njerëz me energji pozitive pranë. Nëse unë u jap të tjerëve energji pozitive, edhe unë kam nevojë që ta marr mbrapsht atë. Mundohem t’i ruaj ekuilibrat.

Si fillon dita juaj?

U bë pothuajse një vit që zgjohem në mëngjes rreth orës shtatë. Mandej njëzet minuta për t’u bërë gati dhe nisja. Gjatë rrugës për në punë me makinë, pi edhe kafenë e mëngjesit. Njëkohësisht bëj kërkim të kanaleve dhe informohem për lajmet e fundit. Pasi arrij në televizion i përkushtohem për rreth njëzet minuta grimit dhe në 8 e 30 jam në studio për të nisur transmetimin.

Si e menaxhoni kohën?

Në “News” koha vrapon. Nuk mund të mendosh për gjë tjetër veçse për emisionin. Përkushtimi im është maksimal dhe falë stafit, kemi një bashkërendim të mirëfilltë për temat, idetë, personazhet që e bëjnë panelin e të ftuarve edhe më interesant. Plotësojmë njëri-tjetrin më së miri. Edhe sikur të mos jem në “News”, angazhimin për emisionin e vazhdoj edhe në hapësira të tjera të ditës. Mund të drekoj me një të ftuar me të cilin dua të diskutoj për temën e ardhshme. Pasditja kalon në kafe me ndonjë mikeshë, të cilës i marr mendim ose me dikë që kam ndërmend ta ftoj në emision.

Si do e përkufizoje dashurinë?

Si ankth. Është ajo lëvizja në stomak që shpeshherë ironizohet, por që ndodh me të vërtetë kur ti ke një dëshirë, emocion dhe pasion të madh në momentin kur takon dikë. E do, e puth apo e përqafon. Për mua, është absolutisht dashuri, por që nuk mund të mbetet vetëm aty.

Ke pasur lidhje të rëndësishme dashurie?

Për një kohë të gjatë kam qenë krah dikujt, rreth gjashtë vjet. Por ajo histori mbeti aty dhe për mua është shndërruar në përvojë. U rrita e pavarur. Kur u ndava, nuk u ndjeva bosh, përveçse u përfshiva nga një ndjenjë rutinë ditore, sepse mendoj që është e natyrshme të ndodhë. Nuk më mungoi gjë. Jeta vazhdoi po aq fort. Falë lidhjes së parë kuptova, besova dhe pashë shumë limite të miat, që mund të isha gruaja, partnerja, shoqja, e dashura, shumë aspekte të personalitetit që i mëson vetëm pasi i ke përjetuar.

A ka një diferencë ideale në moshë midis partnerëve?

Jo. Ne femrat, dashur pa dashur, jemi më të pjekura dhe në këtë rast mendoj se duhet të ketë njëfarë diference, por jo domosdoshmërisht. Ka edhe përjashtime. Ka meshkuj që e zotërojnë femrën. Ne të dy u rritëm bashkë, ishim dy shokë, jetuam një kohë të bukur, por thjesht nuk mund të vazhdonim më tej. Unë do ta kisha jetuar po ashtu, bukur, sepse isha disi e vetëdijshme në atë që doja, edhe pse kërkoja të zbuloja anë të karakterit të tij që mund të më ngjasonin me ato të karakterit të babit tim, që mund të më falnin siguri, por kjo nuk ndodhi kurrë. Shpesh ndodh që te një çift, sidomos kur janë të rinj, njëri rritet më shpejt se tjetri. Rrugët dhe përvojat mund të ndahen nën ndikimin e maturisë.

Po zhgënjime ke pasur?

Zhgënjime nuk kam pasur. Përgjithësisht i kam parashikuar situatat. Në jetën time kam njohur njerëz për të cilët kam menduar se kanë qenë të bukur jashtë e brenda, por më kanë rezultuar ‘flluska sapuni’. Nuk kanë qenë zhgënjime, por thjesht ‘sa gjynah’.

Je duke i përjetuar të njëjtat emocione?!

Kam qenë gjithmonë e hapur për të qenë e dashuruar, për të pasur afër meje një partner. Aktualisht jeta ime është shumë e bukur. Nuk kam asgjë për të thënë publikisht si histori. Po vazhdoj përvojën e një vajze të re që do të shijojë jetën, që do të shijojë moshën që ka, sepse është periudha më e bukur për t’i thënë ‘po’ shumë eksperiencave. Jam pjesë e jetës së dikujt dhe bëj të mundur që të jetë pjesë e jetës sime pa klishe, pa përcaktime fikse. Mund të ndodhë të gjej kohën për t’i lënë të kuptojë se e kam shumë për zemër, se ai është në mendjen time në ato çaste. Jam shumë romantike e nostalgjike. Dhe kjo për mua është dashuri. Kudo që jam, edhe në punë, një ngacmim i vogël nga dikush që nuk ka fare lidhje me jetën time private, një fjalë, një vështrim më kthen në një moment të kaluar me atë që unë dua, dhe aty më zgjohen kujtimet dhe pikërisht aty dua t’i çoj një mesazh apo ta marr në telefon dhe t’i them: “Zemër, të kam shumë xhan!”

A e keni përfytyruar se si do të ishte mashkulli ideal?

Asnjëherë nuk kam pasur modele për mashkullin ideal, as në pamjen fizike, e jo më thellë. Por, duhet të jenë disa ekuilibra, të mos ketë disnivele të frikshme. Dua që mashkulli që kam në krah të më dominojë. Unë jam vajzë që ia dal vetë, por në momentin që jam me të në tavolinë mundësisht të mos flas, por të mahnitem prej tij. Një marrëdhënie s’mundet të ekzistojë pa përshtatje dhe toleranca dypalëshe, por unë e dua sfidën, që kur t’i them në telefon e dua diçka, të më mbështesë.

Martesë apo bashkëjetesë?

Është i frikshëm numri i divorceve që rritet çdo ditë dhe këtë temë e kam trajtuar shpesh në emision. Shkaku nuk është vetëm pasuria, por ajo që vihet re është shkatërrimi i bërthamës së shoqërisë. Po i harrojmë të gjitha parimet dhe vlerat, duke u bërë pre e disa fasadave të shëmtuara, që do të na çojnë, nuk e di, asgjëkund, përveçse të rrisin këto lloj shifrash. Unë jam rritur në një familje me shumë dashuri. Do të doja që fëmijët e mi të rriten me dy prindër të dashuruar, ashtu si unë. Pra, jam pro martesës, por pajtohem edhe me bashkëjetesën, sepse është një mënyrë për të njohur njëri-tjetrin edhe më shumë. Kontributi është i njëjtë. Bashkëjetesa është po aq e vlefshme për korrektësinë, lirinë, ekonominë e përbashkët, pikat e dobëta dhe të forta, për ato të “shkelurat në kallo”, për të kuptuar më mirë njeriun me të cilin ndan jetën.

Përveç bukurisë, çfarë vlerësojnë më shumë meshkujt te një femër?

Të jem e sinqertë, kam parë që meshkujt të vlerësojnë veç për bukurinë dhe rrallë për zgjuarsinë. Nëse shkon përtej kësaj, mashkulli nuk lodhet të të vlerësojë më shumë se kaq. Jam e bindur se koketat, femrat që janë veçse të bukura e dinë të llastohen, të jenë të bindura ndaj një mashkulli, duke e bërë të ndihet shumë në kontroll, do jenë gjithmonë fitimtare në jetën e tyre private. Do jetë ndryshe për ne që prindërit na kanë mësuar të bëjmë pazar, të lyejmë murin, të rregullojmë ujin etj, që çdo hall e zgjidhim vetë.

Si ka qenë fëmijëria juaj?

Shumë e bukur, pavarësisht trazirave të vitit të vështirë `97. Kur jashtë dëgjoheshin krismat, im atë më kishte blerë një video-lojë dhe unë nuk doja asgjë tjetër, veçse të qëndroja në shtëpi dhe të luaja. Fëmijëve, nëse u ndërton një botë të tyren, qëndrojnë aty brenda.

Për çfarë keni më shumë nostalgji?

Kam pas luajtur me kukulla pa fund, po aq sa kam luajtur me top të gjitha llojet e lojërave. Volejbollin e kisha dhe e kam qejf akoma. Kam qenë një fëmijë aq dinamik, saqë gjithmonë organizoja lojërat. Kemi pasur edhe një terren të favorshëm në lagje ku nuk kalonin makinat dhe prindërit njiheshin me njëri-tjetrin. Kam një peng, atë që babi nuk më bleu asnjëherë motor me fjongo të kuqe, për shkak të frikës së tij e që për mua mbeti një ëndërr në sirtar.

E kaluara juaj ka ndikuar edhe në atë që ju jeni sot?

Ne kemi një biznes familjar në plazhin e Golemit, dhe aty kam ndenjur shumë gjatë pranë familjes. Duke qenë se muajt e verës rrinim atje, kontakti me Tiranën bëhet i pakët. Kjo i përket periudhës kur isha 15 vjeçe. Përveçse kënaqesha, luaja, bëja plazh, isha e angazhuar 24 orë në 24 për të ndihmuar në hotel, duke filluar që nga mbarëvajtja, pastrimi, akomodimi, një rregullator i brendshëm ky, që brumosi tek unë edhe ndjenjën e përgjegjësisë për punë. Ka qenë periudhë e bukur dhe jam nostalgjike.

Çfarë është familja për ju?

Është gjithçka, pasi në familje ndërton karakterin, personalitetin. Të jep parimin, normat. Të mëson çfarë është e drejtë dhe e gabuar. Nëse diçka nuk shkon mirë me familjen tënde, absolutisht që do të ketë probleme që ndoshta do të duhet t’i rikuperosh me kohën në mënyrë më të pavarur. Nëse i gjen në gjirin e familjes tënde këto cilësi, do jesh fëmijë me shumë fat, ashtu siç unë e quaj veten time dhe një i rritur i përgjegjshëm për veprimet e tij. Atë që unë jam sot, ua dedikoj atyre.

Me cilin nga prindërit je më shumë e lidhur dhe kujt i ngjan më tepër?

Të dyve. Ata janë shumë njësoj me njëri-tjetrin. Gati identikë. Kanë bërë gjithçka si kanë dashur të dy. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që vendimet të jenë marrë me ‘unë’. Na kanë përfshirë të tria ne motrat me mendimet tona, nuk na diferenconin.

Me kë ndan më tepër gjërat e rëndësishme?

Ne jemi tri motra, Enkeleda e madhja dhe Eljona e dyta. Lidhja brenda familjes na ka bërë që të jemi shoqe. Me prindërit shkëmbej mendime, qoftë edhe për punën, por kur flas me ata, unë tashmë e kam një ide të qartë në kokën time dhe sado që ta diskutoj, prapë vendimin do ta marr vetë, vetëm kërkoj mbështetjen për ta bërë. Ndërsa motrat i kam gjyqtaret më të mira. Në të vërtetë, ajo që ndikon më shumë tek unë është motra e dytë, Eljona.

Po familjen tënde si e ke menduar? Sa fëmijë dëshiron?

Modeli i familjes sime është shembulli më i mirë. Ndaj e kam menduar dhe me sa fëmijë. Duke menduar me egoizëm se duhet përgjegjësi, përkushtim, mirëqenie, angazhim i madh, një fëmijë nuk duhet lënë vetëm, pra mendoj për dy. Unë ndihem shumë e pasur për fatin që kam dy motra.

Shumë pak dinë që je diplomuar për drejtësi. Si është përballja mes profesionesh?

Për një vajzë idealiste si unë dhe që nuk i pëlqej kompromiset, është e vështirë ta vë në zbatim. Nuk mund të jem një seksere e rëndomtë. Provova të punoja në gjykatë dhe ika me vrap pas dy muajsh. Edhe pedagogët e mi, të cilët punonin aty më thoshin: ‘Nuk është vend për ty. Një vajzë me paraqitje dhe një moshë të re nuk vlerësohet për atë që duhet.’ Besoj kur të shkoj tek të 30-at, do investoj edhe më shumë në këtë drejtim. Mendoj se ka shumë për të bërë në drejtësi, ndaj kontributin tim do ta jap pa kursim, thjesht tani s’është ende koha e duhur.

Nëse një ditë do t’ju shohim avokate, gjyqtare apo notere, do të thotë se atëherë do të keni hequr dorë nga ekrani?

Unë e dua shumë avokatinë dhe nga eksperiencat që kam pasur deri tani, mendoj se do të fokusohem mbi të drejtat tregtare për të qëndruar jashtë konflikteve njerëzore.

Jeni imazhi i mëngjesit në “News 24” me “Vila 24” bashkë me zonjën Vjollca. Cila është risia e këtij formati dhe si je përshtatur?

Duke qenë se është një format i suksesshëm ndër vite, kemi bërë maksimumin për të sjellë risi, qoftë në rubrika, tema, në mënyrën e gatimit, qëndrimin tim, trajtimin e të ftuarve, xhirimet dhe tematikat e zhvilluara jashtë në terren, lajmet sociale ekstra, për ta bërë sa më të gjallë dhe tërheqës emisionin. Kemi një shtrirje edhe më të gjerë grupmoshash, amvisa më të kuruara që i dedikojnë kohë vetes, të cilat kanë më shumë pavarësi në mënyrën se si e shohin jetën, që duan të dinë më shumë për çka i rrethon.

Bashkëpunëtore keni dhe zonjën Vjollca…

Vjollca është një zonjë e vërtetë. Është një nga ato aristokratet që ka jetuar gjithmonë mirë. Ka pasur shumë probleme në jetën e saj për shkak të sistemit të kaluar, por ajo ka një finesë, personalitet të hapur. Është shoqe shumë e mirë, edhe pse herë-herë duket pak autoritare dhe të imponon personalitet, por është kaq e brishtë dhe bujare. Është luks që e kam në krah.

Po sa i takon këndit të kuzhinës, ka arritur zonja Vjollca t’jua mësojë të gjitha recetat?

Jo. Unë jam nxënëse “e keqe”, pavarësisht se e dua shumë gatimin. Gjithsesi më ka mësuar një gjë mjaft të rëndësishme: unë tani i bëj përbërësit bashkë, marr pak vesh nga gatimi, por të më pyesësh për një recetë të mirëfilltë, nuk e mbaj mend. Zonja Vjollca është shkollë më vete. Edhe pse mamaja ime gatuan shumë mirë dhe unë do të jem përherë fanse e saj, por zonja Vjollca ka veçantinë e vet.

Ka ndonjë gatim që ju pëlqen më tepër?

Pashaqoftet më kanë mbetur në shpirt. Kur ajo i ka gatuar, më ka lënë pa fjalë. Madje na ndodhi që ishim duke xhiruar jashtë dhe një zonjë na ndaloi për të na falënderuar për recetën, duke shprehur interes për gatimet që bën Vjollca.

Po në shtëpinë tuaj, a je amvisë e mirë? Cili është gatimi që të pëlqen më shumë të përgatisësh?

Mjafton të jem në shtëpi, t’i kem thënë vetes që sot jam për familjen time. Nuk qëndroj ulur. Përgjithësisht është mami që gatuan, por unë përkujdesem për sallatat e ndryshme, antipastat, zbukuroj pjatat.

A ke hobe apo pasione të tjera?

Pëlqej shumë shpejtësinë, ujin, gjithçka që ka të bëjë me detin, windsurf, not, ski, varkat, zhytje etj. Më pëlqen adrenalina. Jam shumë sportive.

Sa kujdeseni për pamjen e jashtme?

Kujdesem aq sa duhet, jo më shumë. Jam pak indiferente.

Po qendrat estetike, sa ju tërheqin?

Qendra estetike të ofron komoditet dhe luks ku duhet të dorëzohesh. Për një femër që del çdo ditë në ekran, një herë në muaj apo dy duhet të gjejë kohë për vete. Por edhe përkujdesja në shtëpi nuk duhet të mungojë, që nga pastrimi ditor, pasi të fjeturit me make-up është krim i vërtetë për fytyrën. Është i domosdoshëm kremi hidratues dite e nate si dhe mbrojtësi ndaj diellit. Por ndonjëherë kur gatuan në shtëpi, se bëre një sallatë me domate, portokall apo limon, i cili është tonik shumë i mirë, pse të mos i vendosësh mbi fytyrë lëkurat e tyre për disa minuta?! Bëj maska me vaj ulliri dhe sheqer si scrub dhe pastroj në thellësi fytyrën dhe duart.

Jeni tip sportiv. Palestër apo vrap nga liqeni?

Deri më sot kam pasur fatin e formave shumë të mira falë genit të trashëguar dhe metabolizmit. Por tani, me kalimin e viteve, duhet ta bëja palestrën pjesë të agjendës sime, sepse më bën mirë për mendjen dhe trupin. Në gjithë jetën time kam bërë vetëm një muaj palestër, dhe aty kuptova se unë mund të kisha një regjim shumë të mirë ushqimor. Për shkak të impenjimeve, palestra më ndihmon të ruaj ekuilibrin.

Është kohë pushimesh. Çfarë ke planifikuar këtë verë?

Kam shumë plane. Sapo të lirohem nga punët e shumta që kam marrë përsipër, do të ‘zhdukem’ nga Shqipëria. Mund të shkoj në Barcelonë, apo më larg. Në Shqipëri do të kaloj fundjavat.

Botuar në revistën Psikologji, nr.74

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top