Psikofakt

July 19, 2016 | 7:43

“Tradhtitë” e vogla bëjnë dashuritë e mëdha

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Prej shumë kohësh është folur dhe vazhdimisht flitet e do të flitet për krizën e çiftit. Krizë që ka vënë, vë e do të vërë shpesh në rrezik vetë ekzistencën apo, më saktë, mbijetesën e çiftit. Amplituda e kësaj krize shkon nga tradhtia te besnikëria. Por ç’kuptojmë me tradhti? Po me besnikëri? Ç’është tradhtia: braktisje përfundimtare e njërit prej pjesëtarëve të çiftit nga pjesëtari tjetër apo edhe shmangie e përkohshme e njërit me një kthim apo pendim pas disa kohësh? Nga ana tjetër, a ka vërtet besnikëri të kulluar? Mos vallë kemi tradhbesnikëri dhe bestradhti?

Gjithsesi, pavarësisht përgjigjeve që mund të jenë po aq të ndryshme sa ka edhe çifte të ndryshme, pavarësisht madje përgjigjeve që mund të japë i njëjti çift në kohë e situata të ndryshme, një gjë duket se pranohet gati njëzëri: çifti është si një fizarmonikë: herë rri i mbyllur dhe skajet, pra, dy pjesëtarët, janë fare pranë njëri-tjetrit, herë hapet aq sa distanca midis dy pjesëtarëve zmadhohet dhe vë në pikëpyetje, në rast tendosjeje maksimale, ekzistencën e vetë çiftit. Por le të tregohemi më modestë në këtë analizë të shkurtër dhe të marrim një çift të zakonshëm: a grinden ndonjëherë pjesëtarët e tij midis tyre? Patjetër që po. A i rrinë ndonjëherë ftohtë njëri-tjetrit? Sigurisht që po. Madje, a zemërohen ndonjëherë me njëri-tjetrin? Pa dyshim që po. Një grindje, një ftohje, një zemërim, me shumë gjasë, shkaktojnë një krisje sado të vogël, sado të përkohshme brenda çiftit, apo jo? Në këtë rast kemi hapje, tërheqje, tendosje të fizarmonikës, mjerisht të shoqëruar herë pas here edhe me dhunë psikologjike, për të mos përmendur ndonjë dhunë tjetër. A nuk kemi këtu një hap, një tundim drejt një largimi, një shmangieje, një tradhtie të mundshme, shpesh në trajtë impulsi, pra të pavetëdijshme? Apo edhe të vetëdijshme, në rrafshin psikologjik por jo vetëm – nevojë për t’u mbështetur te dikush tjetër, nostalgji për një konfidencë, intimitet, miqësi apo edhe dashuri të dikurshme, të realizuar apo të mbetur në tentativë, pak rëndësi ka? Montenji, filozof francez i shekullit XVI, në veprën e vet madhore “Sprova”, shkruan, tek analizon dashurinë, pra, tërthorazi edhe çiftin me marrëdhëniet në gjirin e tij: “Pour s’éprendre, il faut se déprendre, et pour cela il faut voyager”.

Pra, “Për t’u dashuruar, duhet të çdashurohesh dhe për këtë duhet udhëtuar”. Kur pjesëtarët e një çifti grinden apo zemërohen mes tyre, pavarësisht shkakut, a nuk i kthejnë ata kurrizin njëri-tjetrit jo vetëm psikologjikisht, por edhe fizikisht, pra, a nuk e tradhtojnë ata njëri-tjetrin me vetminë e secilit? A nuk udhëtojnë ata në drejtime të ndryshme, madje të kundërta? Në shumicën dërrmuese të rasteve këto udhëtime janë të përkohshme, kthimi te njëri-tjetri ndodh dhe a ka lumturi më të madhe sesa kur pjesëtarët e çiftit e rigjejnë, e rifitojnë njëri-tjetrin?

Një fizarmonikë vazhdimisht e mbyllur nuk nxjerr asnjë tingull, as një fizarmonikë përherë e hapur cep më cep. Kurse një fizarmonikë në lëvizje, po, nxjerr tinguj, sigurisht edhe të dhimbshëm, por edhe të gëzuar. Kështu që, na pëlqen apo nuk na pëlqen, “tradhtitë” e vogla bëjnë dashuritë e mëdha.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top