Dëshmi

April 30, 2018 | 14:54

Orjola Pampuri: Mirësia e pranimi na nxisin të ecim përpara

 

Sa ndikon shoqëria apo mjedisi social?

Së pari duhet të ndalemi tek termi “intelektual”, i cili nuk duhet të trajtohet thjesht si një fjalë e cila cilëson një individ, por një bosht i rëndësishëm në të cilën mbahet një individ, të cilin e ka ndërtuar ndër vite falë studimeve, kërkimeve, përvojës, të cilat funksionojnë paralelisht edhe me parimet bazë të moralit, të cilat së bashku të orientojnë të kesh një këndvështrim tëndin falë perceptimit dhe argumentit personal.

Për të gjitha sa u tha më lart duhet një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë që të realizosh një sukses të tillë. Pikërisht këtu nis gjithçka, nis përplasja e fortë mes pritshmërisë dhe realitetit. Nëse realiteti nuk përmbush apo nuk i afrohet pritshmërive të intelektualit të cituar më sipër, atëherë lind zhgënjimi, dhe sa më i ndjeshëm të jetë ky individ aq më shumë e cenon, apo klinikisht e dëmton ky zhgënjim.

 

Orjola Pampuri, Psikologe, Deputete e PD

Orjola Pampuri, Psikologe, Deputete e PD

Dhe në këndvështrimin klinik, sërish ai shumë thjesht mund të preket nga çrregullime të cilat iniciohen nga ankthi i përballjes me të kundërtën e pritshmërive e deri te depresioni, i cili përkon me humbjen e shpresës, të ndjerit i pavlerë në profesion, familje e shoqëri, e deri në aktin fatal, i cili ka të bëjë me dëshirën e vazhdueshme për t’u shkëputur përfundimisht nga realiteti me të cilin po përballen, që fatkeqësisht është vetëvrasja. Shoqëria ose mjedisi social kanë një ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos kohët e fundit kur kontakti me ta është më i shpeshtë, falë rrjeteve sociale, dhe kjo i bën më të prekshëm kundrejt opinioneve, paragjykimeve, thashethemeve dhe shpeshherë shpifjeve.

Sigurisht për një intelektual, për një profesionist, i cili një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar profesionit, shpeshherë është e tepërt që në botën e tij të suksesit dhe arritjeve të përfshihen edhe persona të cilët nuk e kuptojnë, dhe si pasojë nuk perceptojnë njëlloj çka deri këtu është krejt normale, por hapi i guximshëm dhe i gabuar i tyre është që i japin vetes mundësinë të gjykojnë apo kritikojnë, çka nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse paragjykim, i cili mund të prekë e të cenojë fort një pjesë të tyre. Kështu mjedisi social, shoqëria, shpesh kthehen në “vrasës” të individëve, të cilët përveç punës, jetës e profesionit të tyre nuk kanë kohë të merren me vese të tjera. Sa më paragjykuese shoqëria, aq më pak të prirur do të jenë intelektualë e profesionistë të mirë të ngrenë zërin, sa më paragjykuese shoqëria aq më në rrezik është morali i saj.

Hipokrizia. Të flasësh mirë për dikë pas vdekjes edhe pse opinioni njeh të kundërtën e atij raporti.

Pikërisht ky është paradoksi, të duash e heroizosh dikë pas vdekjes. Tashmë kjo është shndërruar në trend, por në të vërtetë është një trend i rrezikshëm. Një intelektual i mirë, një profesionist i mirë, punon dhe kontribuon pikërisht për atë shoqëri e cila ndonjëherë e pashpirt përballë tij e paragjykon, dhe ky paragjykim përbën zhgënjim për të.

Dhe nga zhgënjimi që në këtë botë nuk mori asnjë feedback pozitiv kundrejt kontributit që dha, atëherë në një moment në të cilin mund të ndjehet i pashpresë, mund të ndjekë shembullin e një kolegu të tij, suksesi e puna e të cilit u vlerësua vetëm pas vdekjes, pra shpesh të ndjerit i pashpresë mund t’i çojë drejt sjelljeve përsëritëse, pra ndjekjes së modelit, ashtu sikurse ndodhi pas botimit të romanit të Gëtes, “Vuajtjet e djaloshit Vërter”, ku shumë të rinj, ndoqën modelin e personazhit, tek i cili gjetën veten.

Çdo individ pa dallim race, mendimi, profesioni, bindjeje e prejardhjeje ka nevojë të ketë hapësirën e tij në këtë botë dhe askush nuk ka të drejtën dhe tagrin ta cenojë atë.

Çfarë ju vjen të thoni për kësi rastesh që në çdo shoqëri ndodh?

Sigurisht, në çdo shoqëri ndodhin e kanë ndodhur, sigurisht në çdo periudhë ndodhin e kanë ndodhur kësi rastesh, por e rëndësishme është që mjedisi social të jetë mbështetës, të jetë motivues për ta, për kontributin e vyer të tyre, në të kundërt atëherë mirëfilli mund të jemi një shoqëri që nuk duam të shohim përpara, nuk duam të shkojmë larg e të ecim me hapin e kohës, pikërisht me atë hap që këta profesionistë duan të ecin.

Mjedisi social duhet të jetë mbështetës për ta. Sa më shumë mbështetës ndaj kësaj kategorie aq më përpara do të ecë shoqëria dhe aq më e emancipuar do të jetë, sa më shumë paragjykues e jo mbështetës të tyre, aq më të pashpresë do të jemi si shoqëri. Intelektualët janë boshti i shoqërisë, nëse goditet ky bosht atëherë e gjithë shoqëria është në rrezik. Në fakt nuk dua ta përgjithësoj duke e lehtësuar një kauzë të tillë, por dua të theksoj që në çdo shoqëri ndodh, por arsyet janë të ndryshme. Në shoqërinë tonë dy janë arsyet thelbësore, e para zhgënjimi si pasojë e mosvlerësimit të vlerave që ata mbartin, dhe e dyta që është shumë e dhimbshme, guximi për t’i përfolur e paragjykuar.

Dhe ky është pikërisht paradoks, të cilin rrallë e gjen sot në mbarë botën. Sigurisht, në botë një fenomen i tillë ndodh, por një ndër arsyet që theksohet e vihet re është pikërisht si pasojë e fokusimit në një aspekt të vetëm, siç është ai profesional, studime të thelluara, kërkime etj, çka i largojnë gjithnjë e më shumë nga jeta sociale, mbyllen në vetvete, dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre mendor, duke nxitur çrregullime të cilat shpesh bëhen shkas që të ndërmarrin iniciativa të rrezikshme, për të dëmtuar veten.

Çfarë i mungon shoqërisë sonë për të qenë më e hapur në mendimet e saj?

Rasti i gazetares, të ndjerës Arlinda Canaj, dhe intelektualëve të tjerë që kanë pasur të njëjtin fund, të nxit të mendosh që duhet të sensibilizohemi e të jemi një shoqëri më mbështetëse, pranuese dhe altruiste. Shoqëria jonë me dëshirën e madhe e të vazhdueshme për të ecur përpara, vijon të jetë gjykuese, paragjykuese duke mos marrë parasysh asnjë pasojë. Nuk nguron të flasë e të përflasë askënd.

Ndoshta një ndër arsyet themelore që ndoshta shumë pak e kanë kuptuar, që disa nuk shterojnë së gjykuari apo paragjykuari është pikërisht fakti, që duan të largohen nga paaftësia, nga problemet personale dhe shoqërore që mund të kenë, e vetmja mënyrë për t’u arratisur është zhvendosja, dhe në rastin konkret sa më shumë zhvendosemi larg sërës, nivelit intelektual, aq më mirë mund të ndjehemi, por kjo është sigurisht një kënaqësi shumë e pavërtetë dhe fatale, pasi njëkohësisht cenojmë një individ dhe nuk zgjidhim asgjë për veten tonë.

Sa më shumë pranues, sa më pak paragjykues, sa më shumë të fokusuar te problemet dhe arritjet tona, aq më shumë mbështetës do të jemi ndaj arritjeve të të tjerëve. Mbështetja, mirësia, pranimi na nxisin të ecim e shohim përpara.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top