Psikofakt

September 17, 2016 | 7:27

Pak vuajër secili nga ne?

Fjala “vuajër” vjen nga frëngjishtja “voyeur” dhe cilëson “dikë që kërkon të jetë i pranishëm, për t’u kënaqur pa e parë të tjerët, në një skenë intime ose erotike”. Kështu na e shpjegon kuptimin e saj fjalori “Le Petit Robert”, pikërisht i gjuhës frënge. Ky fjalor na mëson gjithashtu se si rrënjë ky term ka foljen “voir” (shoh), nga e cila u formua në frëngjishten e vjetër emri “voer” (përgjues). Kurse, në botimin e fundit të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), fjala “vuajër” ende nuk e ka fituar të drejtën e qytetarisë, pra, ende nuk është “legalizuar”, ashtu si shumë e shumë fjalë të tjera me kumbim erotik.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Dikur, vuajëri (me sa duket, asokohe vuajërizmi përbënte dhe përbën ende sot një dukuri më shumë tipike për meshkujt sesa për femrat, sepse femërorja “vuajëre” nuk para përdoret në gjuhën e përditshme) konsiderohej si një njeri i shthurur, me vese të padenja për shoqërinë konservatore apo liberale, sidomos për shoqërinë “komuniste”, e cila, si në Shqipërinë e para disa dekadave, në emër të një moralizmi të rreptë, dënonte çdo prirje “seksualisht të padëshirueshme” që dilte jashtë kuadrit të së ashtuquajturës “familjes socialiste”.

Vuajëri, në raste të rralla, mund të konsiderohej edhe si një i sëmurë psikik, njësoj si, për shembull, kleptomani. Edhe në vendet e zhvilluara “kapitaliste”, deri para disa dhjetëvjeçarësh, vuajëri konsiderohej si një i çekuilibruar, ose të paktën si një individ jo fort normal, jo vetëm nga opinioni publik, por edhe nga psikologët.

 

Për më shumë saktësi, duhet pranuar se vuajër i mirëfilltë është ai që kënaqet seksualisht, pra, që arrin në orgazëm, vetëm duke parë, pa i rënë askujt në sy, një çift që kryen marrëdhënie seksuale. Gjithsesi, sot, në shoqëritë e emancipuara, kjo dukuri nuk gjykohet më aq vrazhdësish dhe duket sikur e ka humbur në këtë mënyrë deri diku atë ngjyrim negativ që kishte më parë. Kështu, për shembull, a mund ta quajmë mirëfilli vuajër apo vuajëre atë që, për t’u eksituar siç duhet para se të kryejë marrëdhënie seksuale me partneren apo partnerin e vet, pra, për të shmangur edhe më të voglin disfunksionim seksual, sheh paraprakisht, në vetmi ose jo, një film erotik ose disa sekuenca pornografike në Internet? Sigurisht që jo, madje, disa seksologë, në kundërshtim me psikologët, nuk e rendisin vuajërizmin jo më në kategorinë e perversioneve, por as në atë të deviancave. Nga ana tjetër, interesante është analiza që mund t’i bëhet “vuajërizmit” te fëmijët e vegjël që, tek nuhasin se mami me babin bëjnë, kur janë vetëm në dhomën e gjumit, diçka të mistershme, nisin e i përgjojnë ata (sigurisht psikanalistët e kanë thënë fjalën e tyre lidhur me këtë dukuri).

Ndërkohë, edhe tek të rriturit, sidomos në moshat e mëdha, vihet re njëfarë “vuajërizmi”, që na shtyn të mendojmë se, ndoshta, vuajërizmi është karakteristik për njeriun jo vetëm në disa periudha të caktuara të jetës së tij. E thënë ndryshe, mos vallë secili ose secila nga ne bëhet herë pas here, në rrethana të caktuara, pak vuajër ose vuajëre?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top