Këshilla & Arsye

March 24, 2020 | 8:09

Pandemia dhe mësimi online, kontributi me fleksibilitet në këtë sistem

 

Ekspozimi ndaj situatave të larmishme që bën qenia njeri është i pashmangshëm. Cikli jetësor ndër periudha të ndryshme, përcillet me situata qoftë të këndshme apo jo të tilla. Ndërtimi fiziologjik, bashkë me koordinimin e ndërtimit të sistemit truror, marrin sinjalet dhe pas një procesimi, reagojnë ndaj tyre. Natyra e qenies humane dhe reagimet që ne si qenie bëjmë, shkojnë gjithmonë në drejtim të mbrojtjes së përbërjes sonë fizike, e psikike. Çdo ngacmim që pranojmë, siç është edhe forma e distresit, ngjall në trupin tonë një reagim fiziologjik ndaj këtij ngacmuesi apo situate, që vlerësohet si e rrezikshme për qenien tonë.

Fatlinda Sadiku & Filonida Kelmendi MSc – Psikologji Shkollore dhe Këshillim

Fatlinda Sadiku & Filonida Kelmendi
MSc – Psikologji Shkollore dhe Këshillim

Referuar situatës që Covid-19 po shkakton në botë, kjo e bën secilin pjesë të këtij stresi psikologjik. Pandemia si dukuri, përfshin përhapjen e një sëmundjeje në një dimension të gjerë gjeografik duke prekur kështu një përqindje jashtëzakonisht të lartë të popullatës (Filler, 2009). Duke marrë parasysh këtë fakt, një situatë tashmë kërcënuese në nivel global, nxit stres dhe jo rehati emocionale e psikike.

Por a duhet ne të dorëzohemi para situatave të tilla?

Sigurisht që jo.

Ajo që po apelohet këto ditë në radhë të parë është mbajtja e pastërtisë, për të parandaluar përhapjen e virusit. E padyshim që shëndetin e plotë e arrijmë edhe me mbajtjen e higjienës mentale, si një ndër aftësitë jetike njerëzore dhe tejet dobiprurëse në situata të tilla. Pastërtia në nivel më të lartë i takon edhe pastërtisë fizike personale edhe asaj mentale. Kur përmendim këtë të fundit, kemi të bëjmë me idenë që mendja jonë të jetë e pastruar nga mendime që shpenzojnë energjinë dhe nuk shpenzojnë atë në dizajnim të aktiviteteve të ndryshme, për të kaluar më me lehtësi situata të tilla. Për këtë arsye, angazhimi në gjëra progresive, stimulon trurin të prodhojë hormone si serotonina dhe noradrenalina, hormone këto që ndërlidhen me ndjenjat e mira.

Sot, secili në mënyrë unike, po mundohet të gjejë aktivitete për të hequr mendjen nga gjendja aktuale. E një tërheqje të tillë fitimprurëse kush më shumë e realizon se sa krijimi i dijes së re, njohurive të reja, dhe zhvillimit ne aspektin kognitiv. Situata të tillë pamundësojbë mbarëvajtjen e procesit mësimor në objektet shkollore, por një proces i tillë u vendos që të realizohej përmes të mësuarit virtual apo online.

2

Por si ndikon kjo tek nxënësit dhe sa është motivuese për ta?

Sistemet që duhet kujdesur për këtë sferë janë një zinxhirë bashkëveprimesh mes familjes si aktor i parë me ndikim te përfituesi, pra, nxënësit në këtë rast, dhe padyshim edhe sistemi edukativo-arsimor dhe politikat arsimore. Të mësuarit online është termi më i përdorur gjerësisht për të përshkruar gjithë mësimin e bazuar në teknologjinë e komunikimit të informacionit. Teknologjia është integruar në këto qasje të ndryshme arsimore, duke dhënë kështu një kontribut me fleksibilitet në këtë sistem.

Edhe pse në rastin e kontekstit kosovar, mësimi online po bëhet detyrimisht nga situata e krijuar. Studimet kanë demonstruar potencialin e saj dhe ndikimin pozitiv te studentët për shkak të fleksibilitetit dhe lehtësisë që ofrohen nga klasa në internet (Allen, Bourhis, Brell & Marbrz, 2002). Vështruar në dimensionin pozitiv, një realizim i tillë i të mësuarit, mund të konsiderohet si një mundësi më shumë për të avancuar veten në përdorimin e teknologjisë dhe formave të shumta të qasjes së saj. Por, edhe mësimet, librat dhe materialet më të mira në botë nuk do t’i bëjnë studentët të entuziazmuar për të mësuar dhe të gatshëm të punojnë shumë nëse nuk janë të motivuar. Motivimi, si i brendshëm, ashtu edhe i jashtëm, është një faktor kryesor në suksesin e studentëve në të gjitha fazat e arsimimit të tyre, dhe mësuesit mund të luajnë një rol kryesor në sigurimin dhe inkurajimin e këtij motivimi te nxënësit e tyre.

Motivimi është koncepti bazik i mësimdhënësve, e teoria që përshkruan këtë koncept është teoria e vet-vlefshmërisë dhe arritjes nga Convington. Tek teoria e vet-vlefshmërisë dhe arritjes (Covington & Beery, 1976; Covington, 1984) supozojnë se prioriteti më i lartë njerëzor është kërkimi i vetë-pranimit. Kjo teori tregon se si individi e percepton veten dhe arritjet e tij. Teoria e vet-vlefshmërisë e vë theksin edhe te funksionimi social dhe normativ i shoqërisë  me theks të veçantë te presioni social për arritje. Për këtë arsye një vlerësim i duhur i motivimit gjatë mësimit online, vë bazat kryesore të suksesit.

Sistemi parësor që mund të ndihmojë këtë qasje është mbështetja familjare. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që të ofrojnë një ambient të qetë dhe një atmosferë familjare të vlefshme për zhvillimin e aspektit mësimor. Prindërit duhet t’i kushtojnë një pjesë të përshtatshme të kohës së tyre, për të parë nëse fëmijët janë të vëmendshëm gjatë mësimit online dhe a po arrihen objektivat e caktuara paraprakisht. Për këtë arsye, një veprim në formë të sinkronizuar me mësimdhënësit është tejet e rëndësishme për arritjen e qëllimeve të parapara për një njësi mësimore, detyrë e zhvillime tjera.

Aspekti tjetër është edhe gatishmëria e mësimdhënësve për të zhvilluar një qasje të tillë. Sa mësimdhënësit janë të gatshëm për të provuar dhe praktikuar forma të ndryshme të këtij procesi influencon edhe motivimin e nxënësve për mësimin online. Edhe pse një qasje e drejtpërdrejtë nuk bëhet mes nxënësve dhe mësimdhënësve, prapë këta të fundit duhet të shfaqen entuziastë dhe të gatshëm për të mos lënë në vendnumëro këtë proces të rëndësishëm. Kjo qasje duhet të përcillet me përforcim, siç janë lëvdatat nga ana e mësimdhënësve, bashkëpunimi me bashkëmoshatarët, mbështetja teknike, e aspekte të tjera.

Ajo që konsiderohet motivuese, siç kanë dëshmuar studimet, është edhe vlera e përmbajtjes së  lëndës mësimore, e cila vendos edhe nivelin e motivimit. Pra, kur një detyrë mësimore është e diskutueshme dhe mund të përdoret fantazia mbi të, kjo nxit motivimin. Kjo duket se kontribuon në aspektin e vetë-kompetencës tek nxënësit, duke zhvilluar kështu vetëvlerësim dhe vetëfikasitet, shtylla këto të fuqishme për stimulimin e motivimit të brendshëm. Këto janë disa nga aspektet që mësimdhënësit duhet vlerësuar gjatë mësimit online në drejtim të nxënësve të tyre.

Vështirësia që vijon tutje, mund të jetë edhe një ndryshim nga klasa tradicionale, në objektet shkollore, tek një mësim online, kjo kërkon kohë për përshtatje. Një bashkëbisedim me bashkëmoshatarët për përfitimet që mund të sjellë kjo metodë, ndryshon qasjen që mund të jetë jo aq e dashur fillimisht ndaj të mësuarit online. Problemet teknike që mund të shfaqen gjatë këtij procesi, paraqiten si pengues të mbarëvajtjes progresive, andaj një sigurim paraprak që nxënësit janë të pajisur siç duhet, mund të sigurojë një arritje objektivash më të vlefshme. Por, në kontekstin kosovar sa është e mundur kjo,  mbetet ta rishqyrtojnë politikat arsimore.

Mësimi online kërkon një punë intensive, duke marrë parasysh edhe kompleksitetin e sistemit teknologjik, andaj një menaxhim i duhur i kohës ndikon në zhvillimin e duhur të vizionit mbi lëndën dhe detyrat përkatëse.

Pavarësisht sfidave, një qëndrim pozitiv, i ndihmon nxënësit të kuptojnë se kjo është e nevojshme, për të korrur përfitimet e mësimit online në të ardhmen. E kjo arrihet vetëm me një rreth vicioz bashkëveprimi mes politikave arsimore, mësimdhënësve, e prindërve për të mos prolonguar aspektet më të rëndësishme jetësore siç është arsimimi, e kjo pavarësisht situatës që ka sjellë Covid-19 në vendin tonë.

Një pastërti e tillë mentale tejkalon çdo lloj gjendjeje jo të këndshme, ‘mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, dhe anasjelltas’.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top