Psikofakt

November 19, 2016 | 6:16

Para pasqyrës

…Marrëdhënia jonë me vetveten është dhe nuk mund të jetë veçse konfliktuale: E duam, por edhe e urrejmë vetveten; ngadhënjejmë mbi atë, por edhe mundemi prej saj; e dënojmë atë, por edhe e falim.

Jo rrallëherë na ndodh të qëndrojmë një copëherë para pasqyrës. Ashtu si kot. Pa ndonjë qëllim të caktuar. Këqyrim vetveten dhe, për disa çaste, humbasim nocionin e kohës dhe të hapësirës. Kur e rimarrim veten, na duket sikur kemi kaluar diku, në një hapësirë tjetër, një kohë të papërcaktuar. Aq sa na krijohet përshtypja sikur kemi qenë nga ana tjetër e pasqyrës. Po me kë? Me vetveten. Po ç’kemi bërë me të? Kemi folur? Kemi heshtur? Po sikur edhe fjala të jetë heshtje ashtu si heshtja nganjëherë është fjalë? Shkurt, ç’kemi bërë me vetveten?

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Një përgjigje mund të jetë: kemi vazhduar marrëdhënien me atë. Ose jemi përpjekur ta mbajmë gjallë këtë marrëdhënie. Sepse ajo nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë sepse kush thotë dialog, marrëdhënie, marrëveshje ose debat me vetveten, thotë dikotomi, bipolaritet, dyzim. Njëra pjesë e saj gjykon, vlerëson, shpëton, lavdëron, kritikon, dënon tjetrën. Por a janë këto dy pjesë të vetvetes në të njëjtën lartësi? Shumëkush është i mendimit se të dy pjesët janë duke bërë shilarës: një herë lartësohet njëra, një herë tjetra. Me radhë. E mira dhe e keqja. E ndritshmja dhe e errëta. E bukura dhe e shëmtuara. Tragjikja dhe komikja. Dashuria dhe urrejtja etj. Gjendjet e ndërjmetme zgjasin fare pak: aq sa zgjat momenti kur të dy pjesët e shohin veten në të njëjtën lartësi paralel me tokën, çka shpjegon përzierjet e tipit mirëkeqe, driterr, bukurshëmti, tragjikomedi, dashurrejtje etj. Thënë më shkoqur, kjo shpjegon përse marrëdhënia jonë me vetveten është dhe nuk mund të jetë veçse konfliktuale: E duam, por edhe e urrejmë vetveten; ngadhënjejmë mbi atë, por edhe mundemi prej saj; e dënojmë atë, por edhe e falim. Për t’u kthyer te pasqyra, duhet pranuar se, ndërsa ndodh që pamja jonë e jashtme të na pëlqejë herë pas here, më rrallë na rastis që pamja jonë e brendshme të na pëlqejë dhe, në këtë rast, na vjen t’ia mbathim me vrap e të fshihemi diku (sigurisht, e dimë që pasqyra nuk na gënjen, prandaj nuk bëjmë as më të voglën orvatje për ta thyer atë); kur kemi kurajën t’i bëjmë ballë vetvetes para pasqyrës, na vjen të hapim duart, të fusim secilin nga dy gishtat e mëdhenj në secilin vesh, të nxjerrim gjuhën dhe ta përqeshim vetveten, atë të brendshmen, sidomos kur e përgënjeshtron shpesh atë të jashtmen, atë që na pëlqen. Sepse, sado që të përpiqemi, e kemi shumë të vështirë të gënjejmë vetveten para pasqyrës, sidomos para pasqyrës së ndërgjegjes (e kam fjalën për ata njerëz që kanë ndërgjegje). Gjithsesi, edhe ata që nuk e kanë të vështirë t’i bëjnë hile vetvetes, duhet të kenë një moment kur, pasi janë dendur se gënjyeri vetveten, me t’u gjendur papritmas para një pasqyre prej qelqi, do të ndiheshin të lumtur sikur në çast t’u kishte humbur fytyra. Ajo e jashtmja. Sidomos sytë. Sidomos vështrimi i tyre. Sepse fytyrë të brendshme nuk duhet të kenë, përderisa mashtrojnë vetveten. Prandaj janë të pafytyrë. Të pafytyrë me vetveten në radhë të parë, me të tjerët në radhë të dytë dhe, në radhë të tretë, me kujtimin që do të lenë pas vdekjes, d.m.th. pasi t’i kenë humbur përfundimisht të gjitha fytyrat e mundshme e të përfytyrueshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top