FB

November 25, 2021 | 8:10

Për gratë… që vuajnë në heshtje nga “i forti i shtëpisë” / Detyra jonë si qytetarë: ndërgjegjësimi institucional për parandalimin e fenomenit

Nga Msc. Valentin Çela, aktivist Shoqëria Civile

 

Autoritet policore kanë detyrën kryesore për të mbrojtur çdo grua apo fëmijë që denoncon partnerin/prindin për ushtrim të dhunës. Epo i çuditshëm është fakti se janë të njëjtat viktima, sipas raportimeve të gjashtëmujorit të fundit të 2020, ku gratë vijojnë të dhunohen edhe pse autoritetet janë në dijeni. Mosreagimi i menjëhershëm i forcave blu, apo siç ndodh fatkeq në institucionet shqiptare, ku një apo disa aktorë të brendshëm ndër forcat policore, ndërhyjnë për ta “shuar” çështjen apo vënë në dijeni dhunuesin si rezultat i marrëdhënieve farefisnore apo të ngjashme me to. Këta faktorë të jashtëm, krijojnë hapësira duke avantazhuar “të fortin e shtëpisë”, atë për të cilin, enët kanë më shumë rëndësi se vetë gruaja, e cila mbështetjen e vetme e gjen tek familjarët e saj apo tek tjerë të afërm (p.sh. fqinjët, kushërinjtë), ku mundësitë e ndërhyrjes janë të pafuqishme përballë një njeriu problematik, ku për shkak të frikës dhe presionit janë të detyruar të mos përfshihen më tej.

1

Të shumta kanë qenë rastet që të dhunuarit janë bërë viktima me humbje jete pas denoncimeve në institucionin apo njerëzit më të afërt. Forma e trajtimit që forcat blu japin për raste të tilla është e pamjaftueshme për gratë e dhunuara, ku detyrohen të vuajnë në heshtje; aty ku të viktimizuarve ju dhemb më shumë se çdo gjë, nuk u ofrohet siguri dhe besim nga forca e ligjit apo ajo e medias. Këtu lind detyrimi ynë.

Çfarë dëshiron kjo grua?

Dhuna ndaj grave është një problem i njohur pavarësisht kufijve dhe ndodh në të gjitha shoqëritë anembanë botës. Dhuna në familje u shfaq si problem shqetësues në Shqipëri në vitet ‘90, kur vendi po përjetonte ndryshimet më të mëdha strukturore dhe shoqërore. Sot i njëjti fenomen po përhapet si asnjëherë më parë, në mungesë të plotësimit të kushteve financiare dhe procesit të mirëedukimit. Dhuna përfshin një gamë sjelljesh që synojnë të mbajnë nën kontroll, izolojnë, frikësojnë, shkaktojnë frikë, dhe të sulmojnë karakterin e gruas dhe të tronditin ndjenjën e saj të vetëvlerësimit.

Është e rëndësishme të sqarohet se gratë e keqtrajtuara zakonisht nuk përjetojnë vetëm një lloj dhune në martesën e tyre. Dhuna në të gjitha format e saj ndikon negativisht edhe tek fëmijët e tyre, duke lënë kështu gjurmë traumatike në procesin e formimit personal dhe profesional të tyre. Në familjet shqiptare, ky fenomen në rritje po prevalon në masë të madhe nëpër kronikat e zeza të mediave vendase, ku dhe jo të pakta kanë qenë rastet e protestave nga shoqëria civile.

01Fenomeni që po iu vëmë në dijeni, nuk është lajm për pan-deminë, por “dhunë-ndemi-në”, ku të përbashkët kanë dhimbjen, por jo trajtimin dhe përkushtimin e njerëzve në evitimin e saj. Fatkeqësisht, problemet e COVID-19 apo/dhe të lajmeve të përditshme kanë zaptuar të gjithë vëmendjen dhe fokusin e qytetarëve. Tronditëse, shokuese dhe paradoksale për ne kur dëgjojmë një lajm të zi më shumë për nënën e dy fëmijëve, motrën e tre vëllezërve dhe bijën e dy prindërve të cilët e rritën me sakrifica dhe përkushtim të sinqertë. Të gjithë habiten dhe kundërshtojnë, por përsëri jemi në një situatë ku njerëz dhe sipërmarrës janë të detyruar ta ngrenë këtë çështje si  problematikë.

Gruaja në foto është një nga mijëra gra në Shqipëri që nuk do dëshironte kurrë të martohej. Është nënë që dëshiron që fëmija i saj mos të kishte parë kurrë momentet e dhunës të netëve tmerruese e pa gjumë. Si bijë dëshiron që të mos shqetësojë prindërit e sëmurë me hidhërimin e saj. Si motër dëshiron të mos turpërohet përpara vëllezërve të saj nëse iu tregon të vërtetën. Si qytetare dëshiron që ligji të tregohej i drejtë për të dhe djalin e saj. Gruaja e privuar nga të drejtat e saj nga i vetëshpalluri “vendimmarrës” me cilësi abuzive, kërcënon e shantazhon në mënyrë të herëpashershme me të gjitha format e dhunës për vonesën e larjes së enëve.

Ky fenomen është theksuar dhe nga organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, ku ka krijuar jo pak herë diskutime në portale dhe mediat e huaja për të vënë theksin tek dhuna në familje ndaj grave dhe fëmijëve në vendet në zhvillim, ku Shqipëria renditet dhe në vendet e para në Europë për mungesën e politikave institucionale dhe rritjen e situatës në masë.

Ndërsa po flasim për dhunën ndaj grave dhe të miturve, jemi tek kryefjala e nënave dhe shtëpiakeve në zonat e thella të Shqipërisë, aty ky gratë janë edhe prind edhe “thes me baltë”, e burrat e tyre nga ana tjetër, të investuar thellë në traditat dhe zakonet patriarkale (p.sh. steriotipet e ngurta gjinore, autoriteti patriarkal, respektimi i kodit të nderit, dhe edukata) ku prej kohësh abuzojnë në mënyrë sistematike, duke e bërë edhe formë edukimi për brezat në vijim. Këto incidente janë gjithnjë e duke u përshkallëzuar në frekuenca dhe ashpërsinë e dhunës së ushtruar edhe në familjet e reja.

Si bashkëkombës e reklamojmë këtë çështje si një nga problemet prioritare për shoqërinë tonë, ku dhimbja dhe vuajtjet në heshtje janë zëri dhe motivi ynë, prandaj ne kemi marrë vendosmërinë për t’u ballafaquar dhe për t’i lehtësuar dhimbjen të gjitha grave që po vuajnë, ku ndërkohë që ne po lexojmë këtë artikull, me dhjetëra gra po kërcënohen, dhe me dhjetëra të tjera që janë bërë viktima e kësaj dukurie.

Detyra jonë si qytetarë është të edukojmë miqtë, familjarët dhe njerëzit që na ndjekin në rrjete sociale, për emergjencën dhe rëndësinë që duhet t’i kushtojmë të gjitha grave dhe fëmijëve të dhunuar, si dhe të solidarizohemi të gjithë së bashku për t’u ofruar mbështetje morale dhe financiare për ta katapultuar menjëherë këtë realitet.

Shoqëria civile bën thirrje autoriteteve në vend për rëndësinë dhe seriozitetin që duhet të japin në vijim për fenomene të tilla, si dhe zhvillimin institucional me prioritet ndaj mekanizmave qeveritare për parandalimin e Dhunës ndaj Grave.

Të gjithë qytetarët shqiptarë janë bërë palë me situatën ekonomike të rënduar në vend, që nga dita një e pandemisë, duke vuajtur kështu pasojat e pasigurisë që COVID-19 njollosi në xhepin e familjeve shqiptare. Dukuri të tilla, janë të papërfillshme për ata që varfërinë dhe sfidat i kanë të përditësime.

Të keqtrajtuarit nga kjo situatë priren ta konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore e familjare. Duke qenë se dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur në shoqërinë shqiptare, viktimat përgjithësisht vuajnë në heshtje. Në mosraportimin apo raportimin e ulët të dhunës në familje, në vendin tonë vlerësohet të ndikojnë faktorë të tillë si turpi, frika nga ndëshkimi apo normat që ekzistojnë për dhunën në familje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top