FB

November 25, 2021 | 8:10

Nga Edmond Tupja / Jeta të jepet një herë!

Pas tërmeteve të kohëve të fundit tek ne, një tjetër fenomen i frikshëm po peshon me hijen e tij vdekjeprurëse jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën: pandemia e shkaktuar nga koronavirusi. Kjo pandemi është kthyer në burim ankthi ekzistencial, në një makth që po ndjek pa mëshirë njeriun nga të gjitha anët. Ky fenomen është një formë terrorizmi fizik e psikologjik që na ka mbërthyer të gjithëve sepse, për më tepër, parashikohet të zgjasë deri sa të jetë kryer vaksinimi i mbarë popullsisë botërore.

Në vendin tonë, më saktë në shoqërinë shqiptare, vihen re dy lloj qëndrimesh të skajshme: nga njëra anë, një pjesë e popullit, të rinjtë në veçanti, që nuk zbatojnë porositë e shkencës mjekësore (larje duarsh, mbajtje e maskës dhe ruajtje e largesës midis njerëzve) dhe, nga ana tjetër, më të moshuarit, të cilët, duke e ditur që janë preja e parapëlqyer e kovid-19-s, terrorizohen nga ky mendim që u ngjall një ankth të padurueshëm dhe pothuajse ngujohen duke hequr kështu dorë nga çdo veprimtari sadopak sociale.

Përveç kësaj, pandemia në fjalë ka ndikuar shumë negativisht tek ekonomia, si edhe në jetën shoqërore, arsimore, kulturore e sportive, gjë që, në rrafshin psikologjik, ka sjellë një çoroditje të dukshme, sepse njerëzit nuk ishin shpirtërisht të përgatitur për t’i bërë ballë kësaj dukurie agresive dhe, rrjedhimisht, shkurajuese deri në plogështi patologjike, sidomos kur njeriut i lind si përfundim pyetja: A ka vërtet kuptim jeta që po bëjmë tani?”

Me shumë gjasë, këtë pyetje i kanë bërë vetes ata katër persona të prekur nga Kovid-19-a që i dhanë fund jetës duke u hedhur nga katet e sipërme të pavijonit infektiv në spitalin e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës. Vërtet a ka kuptim jeta në këto kushte tejet shtrënguese? Nëse po, si duhet vepruar? Çfarë duhet bërë për ta jetuar jetën pa humbur shijen e saj?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve së pari duhet të heqim dorë një herë e mirë nga pretendimi krejt absurd, sipas të cilit mua më mbron Zoti, çka do të thotë se Zoti disa i mbrojtka, kurse disa të tjerë jo, gjë që do të përbënte një diskriminim të neveritshëm ose një padrejtësi hyjnore flagrante! Në fakt, në vetë shkrimet e shenjta (për ata që besojnë pikërisht në Zot) thuhet shprehimisht: Mbro veten, që të të mbrojë Zoti!, prandaj sot, në betejën kundër pandemisë, duhet të shkundemi për të dalë nga letargjia e për ta flakur plogështinë e dëshpërimit duke u mbrojtur e duke respektuar të gjitha këshillat e udhëzimet e mjekëve.

Së dyti, do të ishte mirë të risillnim ndër mend reagimin e francezëve të nesërmen e atentateve të 13 dhjetorit 2015 në Paris, vepër e kobshme e organizatës terroriste Isis, si pasojë e të cilëve shumë njerëz humbën jetën në një stadium ku kishin shkuar për të parë një ndeshje futbolli, në disa rrugë me restorante e kafene plot me klientë, si edhe në një sallë shfaqjesh ku 1 500 persona ishin të pranishëm në koncertin që po jepte një grup amerikan roku. Reagimi, pra, i francezëve ishte befasues: “Terroristët islamistë, siç u shprehën në thelb shumë prej atyre, duan që ne të jetojmë të frikësuar, duan që ne të heqim dorë nga gëzimet e jetës, ata duan kështu që, edhe kur nuk na vrasin fizikisht, të na vrasin shpirtërisht, prandaj ne, pa hequr dorë nga vigjilenca qytetare në emër të jetës, do ta jetojmë atë!”.

Kjo lloj mendësie vlen, pra, edhe në ditët e sotme, sepse gjendemi përballë një terrorizmi vdekjeprurës me emrin Kovid-19. Me një fjalë, le të qëndrojmë vigjilentë duke e shijuar jetën, sigurisht me kufizimet që na imponojnë rrethanat e pandemisë, sepse, edhe kur nuk është e bukur, jeta ia vlen ta jetosh ngaqë të jepet vetëm një herë!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top