Mirëqenie

July 18, 2018 | 10:43

Përfitimet që sjell leximi i përditshëm

Nëse jeni një prej atyre shumë njerëzve që nuk e kanë të lexuarit një zakon të rregullt, atëherë po humbni shumë: leximi ka një numër të madh përfitimesh, disa prej të cilave janë renditur më poshtë:

Mbron shëndetin mendor

Studimet kanë treguar se personat që lexojnë rregullisht çdo ditë dhe e mbajnë vëmendjen përditë aktive përmes leximit, kanë 2.5 herë më pak shanse për të zhvilluar sëmundjen nervore degjenerative të Alzhaimerit.

Redukton stresin

Një studim i bërë në “University of Sussec” në vitin 2009 ka treguar se leximi i përditshëm me vetëm 6 minuta redukton stresin me 68%, sepse gjatë kohës që lexohet diçka, lexuesi bëhet pjesë e një bote tjetër larg botës së vet, duke e hequr mendjen prej stresit të përditshëm.

Shton njohuritë e përgjithshme

Nuk është e thënë që duhet të lexoni materiale shkencore për të marrë informacione të shumta lidhur me tema të ndryshme. Edhe një roman tipik veror mund t’ju japë informacione për sjelljet e njerëzve, menaxhimin e situatave dhe të problemeve etj. Edhe këto janë njohuri.

Nxit empatinë

Në një studim me njerëz heteroseksualë që shpreheshin me urrejtje për homoseksualët, secili prej tyre do të paguhej, nëse do të përfundonte së lexuari një libër lidhur me jetën e një personi homoseksual. Ata do të paguheshin vetëm nëse do të diskutonin në fund rreth tij. Kur e përfunduan, shumica prej tyre ndryshuan komplet mendim lidhur me homoseksualët. Kjo tregon se duke lexuar mbi jetën e dikujt që ndodhet në kushte komplet ndryshe nga tonat, ne e vendosim veten tonë në vendin e tij dhe bëhemi më tepër empatikë.

Përmirëson fjalorin tonë

Çdo gjuhë është një mjet fantastik për t’u shprehur për veten tonë. Nëse ne lexojmë rregullisht, do ta përmirësojmë dhe pasurojmë fjalorin tonë. Duke e bërë këtë gjë, ne bëhemi më të aftë të shprehim ndjenjat dhe mendimet tona. Është vënë re në konferenca dhe takime të ndryshme që njerëzit, të cilët kanë një fjalor më të pasur dhe dinë të shprehen lirshëm, e fitojnë më lehtë pëlqimin e të tjerëve.

Përmirëson gjuhën e shkruar

Ky përfitim i yni shkon paralelisht me përmirësimin e fjalorit. Duke lexuar rregullisht përditë, ne bëhemi më të vëmendshëm edhe për gabimet që bëjmë në të shkruar. Me gabime në të shkruar nuk bëhet fjalë vetëm për shkrimin saktë të fjalëve, por edhe me vendosjen e saktë të presjeve, pikëçuditjeve, pikëpyetjeve etj.

Fiton aftësi të forta analizuese

Në një studim të bërë me dy grupe, njërin grup me lexues të rregullt dhe një tjetër që thonin se lexonin ndonjëherë kur kishin kohë, të dyve iu dha për t’u zgjidhur i njëjti mister. Ditën e parë u morën përgjigjet e tyre dhe nuk iu dha përgjigja e saktë. Pastaj iu la porosi ta mendonin dhe ta thoshin të plotë versionin e tyre ditën tjetër. Grupi që lexonte rregullisht, kishte fituar aftësi më të mira analizimi të misterit, krahasuar me grupin që lexonte “kur kishte kohë”.

Forcon kujtesën

Leximi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i librave e mban trurin aktiv dhe e përmirëson kujtesën në mënyrë të shpejtë e të dukshme. Nëse je lexues i rregullt i librave, sipas studimeve të kryera në periudha të ndryshme, ti ke fituar aftësi tepër të forta për t’i mbajtur mend mirë gjërat.

Rrit përqendrimin

Duke qenë se rutina e secilit prej nesh është bërë më e ngarkuar për shkak të përdorimit kudo të teknologjisë, ne shpesh na shkëputet vëmendja jonë nga gjërat e rëndësishme që kemi. Nëse lexojmë rregullisht, kemi për ta vënë re se si do të përmirësohet përqendrimi ynë, edhe në kushtet e mbingarkesës në punë, në shoqëri, apo në shkollë.

Dhuron argëtim falas

A nuk është fantastike të ndihesh si i transportuar në një botë komplet ndryshe pa asnjë pagesë? Librat janë me vlerë dhe kanë një vlerë të caktuar monetare, por nuk është e thënë që duhet t’i blesh për t’i lexuar. Mundet edhe t’i huazosh në biblioteka, ose t’i lexosh online dhe të argëtohesh totalisht falas.

 

Burimi / Bota.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top