Mirëqenie

July 18, 2018 | 9:34

Nga Violeta Gjoni / Mistere reflektimi… Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi”, këndvështrim si prind dhe mësuese

Pas tre-katër vitesh pasi mbarova edhe masterin mbi arsimin special përpos viteve të punës dhe trajnimeve të ndryshme në dikasterin privat, më vjen një telefonatë: “Përshëndetje, ju flasim nga DART. Nesër duhet të paraqiteni pranë këtij institucioni”. Po ndiqja një fëmijë me elementë autizmi pranë kopshtit Nr.19 dhe kjo telefonatë më çoroditi paksa. Më në fund thashë me vete: pas gjithë kësaj kohe u kujtuan…

Violeta Gjoni

Violeta Gjoni

Fakti i kësaj telefonate bëri që gjithë pjesën e kohës deri të nesërmen t’ia kushtoja iluzioneve. Të nesërmen futem në zyrë dhe më përcillet emërimi në shkollën speciale “Luigj Gurakuqi”. Të them të drejtën nuk më ngjalli asnjë emocion ky lajm. Kisha aplikuar për mësuese mbështetëse nëpër shkolla dhe punonjësja më tha që për momentin nuk ka fonde për këtë target grup mësuesish. Ama, do t’ju kemi parasysh. Do të zëvendësoja një mësuese që po dilte në pension. Gjithë ato ditë mediat vlonin nga lajmi i dhënë nga emisioni “Stop”, për mënyrën se si mësueset e kësaj shkolle qenkan filmuar për trajtesën ndaj nxënësve. 

Kisha formuar një vizion negativ edhe pasi një kolege që kishte një qendër sociale, shkruante jashtëzakonisht keq për shkollën speciale, pra çdo gjë e kisha fotografuar bardhë e zi në hard-diskun e memories sime. Filloi dita e parë e punës, ku shikoja koleget që me zor ngrinin kokën për të përshëndetur, e në tension të dukshëm për të menaxhuar nxënësit e klasave te tyre, ku sapo zbritën nga autobusi i shkollës. Kishte klasa me nga 12 nxënës. Të gjithë me aftësi të dukshme të kufizuar. Tek-tuk kishte nxënës që përshëndesnin “mirëmëngjes”.

Megjithëse performanca vizive dhe struktura e shkollës më pëlqeu, fillova punën përsëri me mendimin që këto mësuese e marrin rrogën kot, që ky institucion sipas mediave (që vdesin për pak shou) dhe e asaj shoqes që villte vrerë pse nuk ishte pranuar një fëmijë nga qendra e saj këtu, duhej mbyllur urgjent. Fillova punën, gjithmonë me dëshirën që një orë më parë të më vijë një telefonatë e dytë nga DART. Ditët po kalonin. Shikoja nxënës që vërtetë të bënin për vete, ndihmonin shokët e tyre që ishin më të pamundur. Shikoja kolegë që me mish e shpirt përcillnin mbështetjen fizike e morale te këto nxënës, shikoja drejtues që në mënyrë profesionale “ulërinin” pafund për rregullat dhe mbarëvajtjen e punës (të them të drejtën nuk isha mësuar aq strikt). Puna me të huajt na ka bërë të kemi një frymë sportiviteti e tolerante.

Shikoja nxënësen që kishte këmbëngulur zonja për ta hequr nga qendra e saj, e sjellë këtu dhe disa nxënës të tjerë që vërtetë kishin këmbëngulur me kokëfortësi apo familjarët e tyre për t’i sjellë këtu, duke mos e kuptuar ose për të bërë sikur nuk kuptohej, që kjo është shkollë speciale dhe jo qendër rehabilitimi. Megjithatë, shikoja që drejtuesit nuk kthenin fëmijë pa regjistruar edhe pse numri shkon drejt mbi normales. Arsyeja mendoj, nuk është fitimprurëse monetare, por më shumë se kaq. Nga kjo shkollë kanë dalë kontingjente që sot përpos paaftësisë, janë nëpër punëra të përshtatshme për ta. 

Shteti u ka ofruar gjithë këto shërbime gratis pa asnjë lloj detyrimi. Këtë shikoj këto kohë. Shoh një menzë që mbushet me 120 nxënës, ku falë punës së mësuesve nuk dallon asnjë problematikë, por të gjithë nëpër vendet e caktuara sipas klasës së tyre. I shoh çdo ditë edhe pse jam edhe unë nën tensionin reflektiv si koleget, ama shoh…, shoh përtej “mureve të Berlinit” dhe tashmë mendoj me një këndvështrim real.

Mendoj se ne jemi si prindër aq të prirë për strukturimin e sjelljeve apo të zhvillimit në tërësi të fëmijëve tanë, apo edhe ne si prind dorëzohemi para “fatit”, ulërasim, mallkojmë sa mundemi brenda shtëpisë të sigurt që nuk na filmon askush, të lirshëm edhe kur dëshpërohemi, edhe kur mërzitemi e ia fusim ndonjë shuplakë fëmijës që kërkon dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë?! Ama qajmë bashkë me të përsëri të lirshëm nga fokusimi i të tjerëve, e të mbërthyer mirë nga fati. 

Mendoj tashmë edhe për kolegët e për drejtuesit e kësaj shkolle, që vërtetë është konforme, brenda standardeve europiane (të tillë institucion kam parë kur bënim stazhin e punës në Fermo, Itali), se nuk vijnë aty thjeshtë të marrin një rrogë. Ata nuk janë për copën e bukës, ata mund të gjejnë punë gjithkund, por ne si prindër nuk gjejmë mësues që kujdesen për fëmijët tanë më mirë se këta, që falë trajnimeve, mbi të gjitha janë humanë.

Mendoj edhe për një kolege timen që është zonja e një ish-ministri, a thua s’ka pas mundësi të gjejë ajo një punë më të përshtatshme, por ta emërojnë këtu?! Por jo. Në sytë e saj shikoj se sa e do këtë profesion, sa e dashuron këtë dhunti. Ky është art i bukur ku vetëm njerëz të veçantë rrezikojnë të brumosin shpirtin e tyre, gërshetojnë aftësinë me paaftësinë. Dhe pikërisht këta mësues përçmohen, akuzohen, diskriminohen, zhvishen nga çdo vetëmbrojtje. 

Po ne si shoqëri çfarë bëjmë?! Sehir! Akumulojmë mllef për këtë figurë, bashkohemi me ca frustrime mediatike. Asnjëri nuk bën tentativë të bëjmë njësh atë që duhet prindin me mësuesin, jo të krijojmë hendek të pakalueshëm ndërmjet tyre. Bëjmë sikur rregullohet, duke dreqosur çdo gjë, duke i dhënë një goditje më të madhe këtij “fatit” që kanë (kemi). Ne duam partneritet, jo hendek! 

Thashë shumë, ndoshta asgjë, por të shihet me sytë e mendjes së kthjellët. Tashmë nuk ka rëndësi në më vjen telefonata për mësuese mbështetëse në ndonjë shkollë tjetër normale. Normaliteti vendoset qetësisht, shpirtërisht, kudo!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top