Këshilla & Arsye

September 3, 2020 | 8:03

Përshtatja e fëmijëve në çerdhe, guidë për prindërit, fëmijët dhe edukatorët

Çfarë është përshtatja?

Përshtatja e fëmijës në çerdhe është një proces kalimtar, i konsideruar si një ndër më të rëndësishmit për zhvillimin e fëmijës. Kjo fazë ka të bëjë me kalimin e fëmijës nga një mjedis i njohur familjar në një mjedis të panjohur për të,me rregulla, rutina dhe role të reja. Mënyra se si ky proces do të përjetohet nga fëmija do të përcaktojë edhe qëndrimet dhe përshtatjen e tij në vazhdimësi në çerdhe dhe në institucione të tjera, më vonë.

Gjatë përshtatjes fëmija harxhon shumë energji dhe kërkon kohë për t’u përgatitur. Kalimi nga shtëpia në çerdhe mund të përjetohet në mënyrë të qetë dhe të jetë i kënaqshëm për disa fëmijë ose mund të përjetohet me ndjenja parehatie, frike dhe ankthi për disa të tjerë. Edhe pse fëmija është ai që preket drejtpërdrejt nga ky proces, kjo nuk do të thotë që edhe personat e tjerë si prindërit, gjyshërit apo edukatoret nuk do të përfshihen emocionalisht në një ngjarje të tillë. Përjetimi dhe reagimi i fëmijës gjatë kësaj faze (nëse ai do të reagojë pozitivisht ose negativisht gjatë qëndrimit në çerdhe) është i lidhur dhe ndikohet nga qëndrimet e prindërve dhe edukatoreve.

Disa nga faktorët që do të ndikojnë në përshtatje

  • Karakteristikat e fëmijës

Fëmija juaj mund ta përjetojë me kënaqësi ardhjen nëçerdhe, pasi po shkon në një mjedis të ri. Mirëpo, ai/ajo mund të përjetojë edhe shqetësim apo ankth, pasi do t’i duhet të largohet nga ju dhe mjedisi familjar për të shkuar në një vend të panjohur për të. Në momentin që fëmija vjen në çerdhe,do i duhet të pranojë mjedisin e ri, ku qëndrimet, rolet dhe rutinat janë të ndryshme, do i duhet të bashkëveprojë me fëmijët e tjerë dhe të përballet me figurën e edukatoreve. Gjithashtu, do të ndryshojnë oraret e gjumit dhe tëvakteve ushqimore. Nëse këto eksperienca të reja nuk menaxhohen si duhet, atëherë vendosja e marrëdhënieve të reja për fëmijën mund të jetë stresuese. Fëmijët nuk e dinë se çfarë të presin, ndërkohë që prindërit janë të shqetësuar për integrimin e tyre në institucion.

Ndjenjat që mund të përjetojë çdo fëmijë janë të ndryshme: ankthi i shkëputjes nga prindi, nevoja për t’u afruar me të rriturit e tjerë, dëshira për t’u afruar me fëmijët, të pëlqyerit e objekteve të ndryshme, frika për përplasje të mundshme mes tij dhe fëmijëve të tjerë etj. Për fëmijën do të thotë të krijojë, pak nga pak, një raport, një lidhje të re me një person të ndryshëm nga nëna, babai dhe familjarët e tjerë, duke mësuar të menaxhojë ankthin që i shkakton shkëputja nga familjarët dhe krijimi i lidhjes me mjedisin e ri dhe edukatoret.

  • Qëndrimi i prindërve dhe familjarëve të tjerë

Prindërit shpresojnë që përshtatja në çerdhe do të jetë një fazë e lehtë dhe e qetë për fëmijën e tyre. Mirëpo, ata janë të shqetësuar nëse fëmija do ia dalë të përballet me këtë sfidë të re, nëse do të përshtatet me mjedisin dhe personat e rinj, etj. Përshtatja e suksesshme e fëmijës në çerdhe lidhet ngushtë me qëndrimet e prindërve.

Ankthi i fëmijës për t’u ndarë dhe vështirësia në përshtatje janë të lidhura ngushtë me ankthin që përjeton prindi. Fëmijët kanë aftësi të lexojnë gjuhën e trupit të prindërve. Në qoftë se ata perceptojnë sadopak ankth te prindërit, do të përjetojnë më shumë pasiguri dhe frikë, çka do ta bëjë të vështirë përshtatjen. Procesi i përshtatjes nuk mund të ndodhë nëse prindërit dhe kujdestarët e tjerë nuk janë ende gati për t’u shkëputur nga fëmija dhe për të pranuar sigurinë e institucionit në drejtim të përkujdesjes dhe politikave/praktikave edukuese. Prindi duhet të jetë i informuar rreth faktit që çerdhja është një institucion përkujdesjeje dhe edukimi, me një rregullore e cila përcakton rutinat ditore, detyrat dhe të drejtat.

  • Edukatoret

Për edukatoret, përshtatje do të thotë të përshëndeten me fëmijët e rritur të cilët do të largohen dhe të mirëpresin fëmijët e rinj në grup. Edhe edukatoret kanë pritshmëritë e tyre rreth fëmijëve të rinj që do të vijnë dhe përpiqen të krijojnë një marrëdhënie besimi e bashkëpunimi me kujdestarët primarë të fëmijëve. Edukatoret e lehtësojnë procesin e përshtatjes përmes bisedave, lojërave dhe aktiviteteve të tjera në grup. Ato ju mbajnë të informuar për ecurinë e fëmijës suaj gjatë ditës dhe ju kontaktojnë për çdo problem.

Pse është i rëndësishëm kalimi me sukses i përshtatjes?

Çerdhja është një ndër institucionet që do të ndikojë më vonë në atë çfarë do të bëhet fëmija kur të rritet dhe nëmënyrën se si ai/ajo do të përshtatet në shkollë dhe mjedise të tjera të reja.

Si realizohet përshtatja në çerdhe?

Nuk mund të flasim për një model standard përshtatjeje, sepse çdo fëmijë është unik dhe mënyra se si ai/ajo e kalon këtë fazë do të ndikohet nga shumë faktorë, si temperamenti i fëmijës, karakteristikat dhe qëndrimet e prindërve dhe nga rregullat e institucionit. Kalimi nga mjedisi familjar në çerdhe është gradual dhe ndikohet nga prania e familjarëve.

Shoqërimi i fëmijës në çerdhe, derisa ai të mësohet me mjedisin e ri, mund të bëhet nga nëna, babai ose nga një tjetër pjesëtar i familjes. Përshtatja mund të zgjasë disa javë. Që fëmija të flerë në çerdhe, duhet pritur momenti që ai vetëtë tregojë që ka dëshirë të rrijë në çerdhe, që është mësuar dhe miqësuar me shokët, me rutinën e re, që përfshihet në lojë me kënaqësi, së bashku me fëmijët e tjerë të çerdhes.

Mjedisi që e pret fëmijën ofron një kujdes të vazhdueshëm me fokus sigurimin e mirëqenies së tij. Fëmija dhe kujdestarët e tij primarë mund të përjetojnë ankth në mëngjes kur duhet të ndahen nga njëri-tjetri, por mënyra sesi do të menaxhohet ky ankth nga të rriturit do të shërbejë për ndarjen e shëndetshme të fëmijës. Ky proces duhet të shoqërohet me entuziazëm.

Rregullat. Prindi duhet të njihet me institucionin dhe stafin e tij: me përgjegjësen e çerdhes, me mjedisin, rregulloren dhe politikat e brendshme, masat anti-COVID dhe mbi të gjitha,me edukatoret që do të kujdesen për fëmijën e tij. Me rëndësi këtë periudhëështë njohja dhe zbatimi i masave për mbrojtjen nga virusi Sars-Cov2: sjellja dhe marrja e fëmijës në orar te dera e jashtme e çerdhes, matja e temperaturës nga edukatorja, firmosja nga prindi dhe dorëzimi te edukatorja e grupit, lënia e numrit të telefonit edukatores dhe qëndrimi në gatishmëi për ta marrë fëmijën. Gjatë qëndrimit nëçerdhe, stafi kryen termometrimin disa herë në ditë, të cilin e dokumenton; dezinfektimin e mjediseve dhe larjen e shpeshtë të duarve fëmijëve.

Krijimi i marrëdhënies. Është e rëndësishme që ju si prindër të krijoni besim gradualisht te stafi edukator, pasi qëndrimi juaj ndaj çerdhes do të ndikojë në përshtatjen e fëmijës. Stafi i çerdhes si përgjëgjësja, stafi mbështetës (mjek, psikolog, punonjës social) dhe edukatorja duhet t’ju informojnë rreth rutinave dhe aktiviteteve që fëmija do të zhvillojë në çerdhe: orari i pritjes dhe përcjelljes, masat anti-COVID, oraret e vakteve ushqimore, të gjumit, aktiviteti ditor/ programi edukativ, ditë të veçanta/ ditë festash, etj. Çerdhja është një institucion, i cili duhet t’u sigurojë fëmijëve besim, mbështetje dhe përkujdesje dhe të hedhë bazat në edukimin e tyre, duke zbatuar programin e përcaktuar.

Koha e përshtatjes. Përshtatja e fëmijës normalisht ndodh për një periudhë dyjavore, por jo gjithmonë është e thënë të ndodhë kështu. Disa fëmijë mund të përshtaten që në javën e parë të frekuentimit, ndërkohë që të tjerë duan më shumë kohë për t’u përshtatur. Është e rëndësishme që në dy ditët e para të përshtatjes, prindi të qëndrojë pak minuta në oborr me fëmijën, ta prezantojë atë me mjedisin e çerdhes dhe me edukatoren e grupit që del për ta marrë. Në momentin që prindi i prezanton edukatoren fëmijës, atëherë fëmija ka prirjen ta shohë atë si një person familjar dhe të besuseshëm. P.sh. Ju mund t’i thoni fëmijës suaj: “Kjo është teta Mira, edukatorja jote. Ajo do tëkujdeset për ty kur unë të jem në punë”. Gjithashtu,ju duhetta nxisni fëmijën të eksplorojë dhe të njihet me mjedisin rrethues që në ditën e parë të çerdhes.

Ushqyerja dhe gjumi. Fëmija juaj fillimisht do tëpërshtatet me edukatoret të cilat do tëkujdesen për të, me mjedisin dhe rutinat e reja, me bashkëmoshatarët dhe së fundi me ushqimin dhe gjumin. Pranimi i ushqimit në çerdhe është një fazë e rëndësishme që nënkupton edhe përfundimin e fazës së përshtatjes. Është normale që fëmija të refuzojë të konsumojë ushqimin, për këtë arsye nuk duhet të insistoni që ai të ushqehet që në ditët e para. Jepini kohë fëmijës që të ulet në tavolinë dhe më pas të provojë ushqimet në çerdhe. Ju mund ta lehtësoni pranimin e ushqimit nga fëmija juaj duke marrë një menu të ushqimit nëçerdhe, duke përgatitur disa ushqime të ngjashme, etj. Gjithashtu, ju duhet të informoni stafin nëse fëmija është në gji, si ushqehet në shtëpi, nëse ka vështirësi me ushqyerjen etj. Ky proces duhet të ndodhë në mënyrë graduale dhe fëmija duhet të jetë gati për këtë fazë.

Shkëmbimi i informacionit. Kërkoni informacion të vazhdueshëm nga edukatoret rreth mënyrës se si fëmija juaj e kaloi ditën dhe çfarë lojërash dhe aktivitetesh zhvilloi në mënyrë që ju t’i zhvilloni ato edhe në shtëpi.

Si të sillem me fëmijën para se ta sjell në çerdhe?

1. Flisni me fëmijën! Edhe pse mund të jeni nervozë, të stresuar, të shqetësuar për nisjen e çerdhes, përpiquni të jeni gjithmonë pozitivë kur i flisni fëmijës për të.

2. Flitini fëmijës për gjërat e reja që do të bëjë atje. Shpjegojani që edhe ju keni qenë i/e vogël në çerdhe dhe jeni kënaqur.

3. Shpjegojini që ai nuk do të jetë vetëm dhe se do ketë persona që do të  vazhdimisht për të.

4. Përmendni emrat e edukatoreve të grupit ku ndodhet fëmija juaj dhe shpjegojini se si është fizikisht “teta edukatorja”.

5. Mos i flisni negativisht për edukatoret. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, sepse edukatorja është një figurë kyçe.

6. Mos harroni asnjëherë t’i flisni fëmijës suaj, veçanërisht fëmijës 0-18 muajsh. Edhe pse ai ende nuk mund të flasë me ju, mund t’ju kuptojë shumë mirë dhe do të reagojë në mënyra të ndryshme, mënyra që ju mund t’i kuptoni nëse e vëzhgoni fëmijën tuaj.

Bëni kujdes me emocionet tuaja. Fëmija mund ta ndjejë fare qartë edhe “pa fjalë”, ankthin që ju përjetoni. Në qoftë se ju nuk ndiheni të sigurt për çerdhen ku e çoni, kini parasysh se edhe fëmija do të ketë të njëjtin reagim.

Çfarë të bëj ditët e para? 

  • Disa fëmijë e kanë të vështirë që të përshtaten dhe të qetësohen në ditët e para, disa të tjerë mund ta kenë të vështirë edhe pas disa javësh. Mos u shqetësoni dhe mos e fajësoni veten! Pranoni faktin që fëmijët janë individualë dhe unikë, por në fund do të përshtaten.
  • Merrni kohë! Fëmija nuk është i përgatitur për ndarjen, ndaj ju duhet të punoni para se ta sillni nëçerdhe, për ta përgatitur: me biseda për çerdhen, lojëra dhe përralla.
  • Lëreni pak kohë ditën e parë (15-30 minuta) dhe shtojeni kohën ditën tjetër e kështu me radhë duke ndjekur ecurinë e përshtatjes së fëmijës suaj.
  • Mund të ndjeheni edhe ju në ankth dhe në stres po aq sa fëmija tuaj, por përpiquni që të jeni pozitivë dhe të gëzueshëm. Fëmijët i ndjejnë emocionet tuaja.
  • I thoni fëmijës suaj se kur do të ktheheni, pa e gënjyer. Mos i thoni: “Mami do shkojëpak dhe erdhi”, por shpjegojani qartë se kur do të ktheheni për ta marrë, duke e lidhur gjithmonë me një aktivitet të fëmijës në çerdhe, p.sh. “Pasi të kesh mbaruar lojën, pasi të kesh provuar ushqimin, mami ose babi do të vijnë të tëmarrin”.
  • Nëse fëmija juaj qan me dënesë dhe nuk do t’ju lërë që të ikni, kërkoni këshilla nga edukatoret dhe psikologia/punonjësja sociale. Lini një numër telefoni për çdo rast.
  • Pasi i keni thënë “Mirupafshim” fëmijës suaj, mos u shqetësoni më! Përpiquni që përshëndetja e ikjes të jetë e shkurtër. Mos zgjasni më kokën te xhami. Mos u riktheni. Kjo do t’i bëjë keq fëmijës suaj. Vetëm pasi prindërit largohen me të vërtetë, fëmija është gati të pranojë dhe të fillojënjë eksperiencë tjetër për jetën e tij: shoqërimin me fëmijët.
  • Angazhohuni me fëmijën në një aktivitet para se të futet në grup, p.sh. mund të luani pak te oborri me top/ lisharëse, etj.
  • Flitini fëmijës për mjedisin, dhomën ku do tërrijë. Bëjeni që të ndihet mirë dhe diskutoni vetëm për gjërat pozitive apo të kënaqshme.
  • Përpiquni të krijoni një rutinë ditore të ngjashme me atë tëçerdhes, që fëmija të mësohet me orare (zgjimi, ushqyerja, shëtitjet, etj.). Përpiquni të shmangni ndryshime të tjera të mëdha apo tensione familjare në jetën tuaj.
  • Bëni një album special për fëmijën me foto të familjes apo me të tjera gjëra të rëndësishme për të dhe jepjani me vete. Lejojeni të marrë me vete ndonjë objekt ose lodër të preferuar apo nga shtëpia.
  • Krijoni një ditar të fëmijës në çerdhe, ku të shkruani informacionet më të rëndësishme për të (sipas udhëzimeve të stafit).
  • Mos harroni asnjëherë që çdo fëmijë është i veçantë dhe i menaxhon ndryshimet sipas mënyrës së vet, ndryshe nga të tjerët. Disa prej reagimeve të përkohshme mund të jenë të qarat, dhimbjet e stomakut, dhimbjet e kokës, probleme të gjumit, refuzimi i ushqimit, nervozizëm, frikë për të qëndruar vetëm, varësi e shtuar ndaj prindit, refuzim për të shkuar nëçerdhe, etj. Kujtoni që këto reagime janë të përkohshme. Kujdesuni me dashuri dhe respekt.
  • Mundohuni ta sillni çdo ditë nga pak, pa e shkëputur, që përshtatja të bëhet gradualisht. Kur bëhen shkëputje, fëmija do të çakordohet dhe përshtatja do kërkojë më shumë kohë.

Si të sillemi me fëmijën kur e marrim nga çerdhja?

Disa prindër, kur e marrin fëmijën nga çerdhja, “e mbysin” me të puthura, duke e çoroditur atë.  Marrëdhënia prind-fëmijë nuk ndërtohet vetëm me të puthura dhe përkëdhelje. Përdorni fjalën në çdo çast me të. Kërkon informacion nga edukatorja gjatë përcjelljes për ecurinë e fëmijës dhe aktivitetet që ka bërë. Përdoreni këtë informacion për të folur me fëmijën me zë përkëdhelës, të ngrohtë dhe qetësues, në mënyrë që ai të fitojë siguri nga ju. Përshëndeteni eduktoren duke i thënë fëmijës që nesër do të vini përsëri.

 

 

Burimi / http://femijetetiranes.al/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top