Dëshmi

June 23, 2020 | 10:44

Përvoja jetësore e një çifti ndër-racor, Jonida dhe Nnamdi, çifti shqiptaro-nigerian

Protestat pas vdekjes së George Floyd në duart e policisë, nxorën përsëri në pah betejën e dhimbshme për barazi racore në Shtetet e Bashkuara. Por, çdo të thotë të ndeshesh me problemet racore në një kontekst më personal – me çfarë vështirësish përballet një çift dy-racor në Amerikë?

Jonida Spahija dhe bashkëshorti i saj Nnamdi Nwachukwu (Nuaçuku) ndanë përvojën e tyre me Rudina Dervishin e Zërit të Amerikës.

Jonida dhe Nnamdi, një çift shqiptaro-nigerian në Uashington DC, i dinë mirë vështirësitë dhe sfidat që sjell një martesë dy-racore. Marrëdhënia e tyre kaloi ditë të errëta në fillimet e saj, pasi u refuzua për një kohë të gjatë nga prindërit dhe familja e Jonidës.

“U rrita në një familje tradicionale myslimane nga Shkodra. Kisha udhëzime të qarta edhe pse të pathëna që të martohesha me dikë nga veriu dhe nga e njëjta fe. Sigurisht, nuk u nisa me synimin të gjeja dikë që do të ishte komplet e kundërta. Gjeta një njeri të mirë me të cilin ndërtova miqësi dhe filluam të dilnim që në kulturën tonë nënkupton martesën (qesh)” thotë Jonida për Zërin e Amerikës.

“Nuk më pranuan që isha partneri i saj, derisa lindi vajza. Në atë kohë kishim qenë bashkë për gati tetë vjet. Imagjinoni të jesh në një marrëdhënie ku jeton vetëm pesë minuta larg nga prindërit e bashkëshortes, për të cilët unë nuk ekzistoja”, thotë Nnamdi për Zërin e Amerikës.

Jonida thotë se  iu desh të bënte një jetë të dyfishtë për një kohë të gjatë duke u përpjekur të menaxhonte veças dy gjëra shumë të shtrenjta për të, Nnamdin dhe familjen e  saj.

“Kam vepruar me një mentalitet të heshtur që nuk më shërbeu në aspektin afatgjatë. Në retrospektivë e di që nuk mund ta përsëris atë gabim. Ja ku jemi tani. Të gjithë po i rishikojmë marrëdhëniet racore dhe po i analizojmë në një kontekst shumë më të gjerë se martesa, në shoqëri dhe kudo në realitet”.

Bashkëjetesa me Nnamdin e ka bërë Jonidën të dallojë më thellë “privilegjin e të qenurit e bardhë” edhe pse dikur mund të mendonte se si imigrante ishte qytetare e klasës së dytë. Ajo ka qenë dëshmitare e disa incidenteve ku Nnamdi i është nënshtruar kontrollit policor, thjesht për faktin e ngjyrës.

“Unë isha në sediljen e  shoferit kur polici më ndaloi dhe i kërkoi Nnamdit licencën, pa m’u drejtuar mua që kisha bërë shkeljen…

“Ai i zbaton rregullat si asnjë tjetër. Unë, si shqiptare, provoj t’i thyej. Gjithmonë provoj limitet, por jo ai. Tani e kuptoj arsyen. Ai nuk guxon t’i thyejë, pasi për të, kjo mund t’i kushtojë jetën. Për dikë tjetër, jo me atë ngjyrë, nuk është e njëjta gjë”.

Lindja e vajzës i dha një dimension të ri vështrimit të Jonidës për problemet racore në shoqërinë amerikane. Ajo shqetësohet se Zara do  të përballet me një realitet të vështirë për faktin se vjen nga prindër me ngjyrë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top